Arkiv-Lajme të përditësuara
Vdes në spital 63 vjeçarja, familjarët padisin mjekët për pakujdesi.
TIRANE-Një 63 vjeçare ka vdekur në spital pas ndërhyrjes kirurgjikale në veshka, por familjarët e saj kanë kallëzuar mjekët e një spitali privat për mjekim të gabuar.
Sipas njoftimit të policisë së Tiranës, 63-vjeçarja Luiza Lati ka ndërruar jetë në ambientet e një spitali privat ku ishte shtruar për të bërë një operacion në veshka.
Familjarët kanë bërë denoncim në komisariatin numër 6 në kryeqytet.
Policia ka nisur hetimet për rastin në fjalë. Efektivët e policisë kanë marrë dëshmitë e mjekëve ndërkohë që trupi i 63-vjeçares do i nënshtohet autopsisë mjeko-ligjore.
Basha në aktivin e Tiranës: Më 20 shkurt kundër mashtrimeve të qeverisë.
TIRANE-Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës ti bashkohen protestës popullore të 20 shkurtit që do të organizojë opozita kundër qeverisë.
Gjatë fjaës së mbajtur në aktivin e Tiranës, Basha i kujtuar rivalit të tij politik se gjendet në mesin e strukturave të degës së PD së Tiranës me të cilat në 2011 i mori Bashkinë, e që sipas tij edhe sot vazhdon të mbetet makthi i kryeministrit Rama.
Kosova dhe Shqipëria shpejt me kurrikulë të përbashkët.
Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do të kenë një kurrikulë të përbashkët. Zyrtarë të ministrisë së arsimit, thonë për Radio Kosovën, se përveç Abetares së unifikuar, tashmë është duke u punuar edhe për kurrikulën e përbashkët ndërmjet të dyja vendeve. Republika e Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë që të marrë për model Kurrikulën e Kosovës. Kjo kurrikulë do t’i paraprijë edhe hartimit të teksteve të përbashkëta.
Gjirokastër, maskat grabisin pikën e lojërave të fatit.
GJIROKASTER-Një pikë lojërash fati ka rënë pre e grabitjes së maskave në Gjirokastër.
Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 23:20 të në lagjen ’18 Shtatori’ pranë spitalit rajonal.
Sipas policisë, dy persona me maska janë futur në një pikë lojërash fati të licencuar në pronësinë e shtetasit me iniciale A.N dhe në kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin një shumë parash nga xhiroja e biznesit dhe janë larguar me pas në drejtim të paditur.
Bashkia shpall konkurs për logon e 400 vjetorit të Tiranës
Bashkia e Tiranës hapi konkursin për logon e 400 vjetorit. Arbën Skënderi nga Bashkia njoftoi se logoja e 400 vjetorit do të jetë një imazh me gjuhëbashkëkohore dhe të gjithë artistët e interesuar do të mund të përcaktohen dhe të rendisin punët e tyre, duke ballafaquar deri në tre punime, me karaktere të ndryshëm, duke lënë të hapur tematikën dhe mënyrën se si ato do të shprehen artistikisht.
Porositësi i vrasjeve: Një killer tjetër më ndiqte pas arrestimit të Julian Sinanaj.
Andon Mëhillaj, emri i vërtetë i të cilit është bërë i njohur nga vrasësi me pagesë, Julian Sinanaj, ka dëshmuar fakte kontradiktore në polici dhe gjatë marrjes në pyetje në Tiranë.
Pavarësisht pretendimeve të tij, reale apo edhe të dyzuara nga gjendje e rënduar psikike, kundër tij janë rrëfimet e pafundme të killerit që ka qenë “punëtor” i tyre. Rrëfimet e Julian Sinanajt kanë bërë që grupi i hetimit të zbulojë se në këtë vorbull të mbushur me vrasje, shpërthime dhe porosi për vënie minash me celularë, të jetë i përfshirë edhe një tjetër “killer”.
Bari, arrestohet shqiptari, udhëtonte me 6 kg kokainë.
Policia italiane ka vënë në pranga një shtetas shqiptar, drejtues i një kamioni përmes të cilit ka synuar të trafikojë 6 kg kokainë të pastër.
Mediat italiane bëjnë me dije se arrestimi është kryer në pjesën e vjetër të portit të Brindisit.
Një kamion me targa shqiptare në pjesën e kabinës së tij dhe me targa holandeze në pjesën tjetër tërhoqi vëmendjen e policisë italiane.
Britani, martesë e rreme për leje qëndrimi, arrestohet kosovari.
Një shtetas nga Kosova është arrestuar para se të merrte pjesë në një “martesë të rreme” në Blackburn, Britani.
Duke dyshuar për një lidhjeje e cila mund të mos ishte e vërtetë, zyrtarë nga Zyra për Emigracion shkuan në Zyrën e Regjistrimit, në Northgate, pak para orës 16 (më 14 shkurt).
Pak minuta para se të fillonteceremonia, zyrtarët e Emigracionit intervenuan dhe arrestuar 29 vjeçin pasi u zbulua paraprakisht se ai po qëndronte ilegalisht në Britani.
Serbët festojnë pavarësinë e Kosovës.
Dy gra të komunitetit serb, iu kanë bashkuar sot festës që u organizuar për nder të 6 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ato iu bashkuan panairit tradicional që u mbajt në Mitrovicë.
“Ne kemi meny më të gjerë por nuk kemi pasur mundësi t’i sjellim të gjitha. Ne sinqerisht iu urojmë pavarësinë dhe për ata kemi ardhur të ekspozojmë ushqimin tonë”, ka thënë njëra nga gratë.
Ndërkohë kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka uruar që kjo festë të shënohet gjatë.
Korcë, vodhi 2.9 milionë euro, drejtori i bankës në gjyq me 5 vartës.
Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj ish-drejtorit të “Raiffeisen Bank”, filiali në Bilisht, Korçë, shtetasin Blendi Topalli, i akuzuar për “vjedhje bankash me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Nga veprimet e tij të kundërligjshme, ka arritur të tërheqë dhe përdorë rreth 2.900.000 euro (dy milion e nëntëqind mijë euro) nga llogaritë bankare të mbi 50 personave, klientë të bankës. Gjithashtu, prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim kërkesën edhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij.