Ekskluzive/Edi Rama urdhëron rihapjen e Trikotazhit në Korçë

Postuar në 24 Shkurt, 2025 22:20
Shaptilografisti

 

Organizata e Guras Socialiste ka thirrur një seancë dëgjimore urgjente me shoqen Ajola Xoxa për të dhënë shpjegime mbi shpenzimet marramendëse për veshje, për të cilat akuzohet bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Sipas burimeve për “Të Kripura” seanca do të mbahet me dyer të mbyllura për gratë e thjeshta, por në të do të marrin pjesë vetëm shoqet që janë Zonja, që kanë haber nga çmimet e rrobave dhe modës.

Sipas të njëjtave burime, nga mbledhja është përjashtuar Etlida Gjonaj dhe Blerina Gjylameti; të dyja për shabllonizëm në veshje, çka i vendos në kushte të paragjykimit dhe moskuptimit për stilin dhe shpenzimet e Xoxa-s. Po kështu, në mbledhje mungon edhe Ogerta Manastirliu, që ka nxjerrë arsye shëndetësore. Zonja Xoxa ka zgjedhur për këshilltare në mbrojtjen e vet për këtë skandal, zonjën Majlinda Bregu, drejtuese e një këshilli në Bosnje, e cila performon bindshëm në Instagram për veshjet. Nga të dhënat e deritanishme, mbrojtja kryesore e Xoxas, sidomos për debatin e sikletshëm të brekëve 300 euro, bazohet tek e mirënjoura Rezoluta “Shukri” e miratuar në një mbledhje të mbyllur të Asamblesë së PS-së në vitin 2022.

Rezoluta ka natyrë udhëzuese dhe kodifikuese dhe merr shkas nga skandali i Shukri Xhelilit, ish-kryebashkiaku që doli në videopërgjim erotik, por që u bë i njohur për brekët me vrimë që kishte veshur. Ndonëse në mbledhjen e organizatës, Xhelili kishte sqaruar incidentin e vrimës në brekë me një rastësi fare banale – brekët ishin shqepur dhe nuk ishin të vjetra – organet drejtuese vendosën një kod të rreptë veshjeje të anëtarëve nisur nga parimi se “skandali më i madh është ridikulizimi i imazhit të socailistit”.

Që nga ai moment e më pas, cilësia e veshjes së socialistëve u përmirësua ndjeshëm, por jo thjesht si shprehje e abuzimit, por korrektimit estetik. Megjithatë brekët 300 euro janë një ekzagjerim që nuk ka paralele në partinë e spartaktidave morale; ndoshta vetëm Nesti Kerenxhi është akuzuar për luks dhe abuzime me pasuri materiale.

Burimet saktësojnë se raporti final i diskutimeve dhe qëndrimeve të Xoxas do t’i kalojë për miratim final kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila do të adresojë mandej masat që duhen marrë. Po kështu është përjashtuar kategorikisht ideja e hedhur nga dega e PS-së Kuçovë, për rihapjen e Trikotazhit të Korçës, edhe për të rivënë në punë industrinë tonë, ashtu edhe për të organizuar një modë të brendshme për zonjat tona për të mos shkarë më në lajthitje të tilla. Njësoj siç ministrat detyrohen të mos bëjnë pushime jashtë vendit, ashtu edhe ata duhet të kenë patjetër një blerje të brendshmesh te Trikotazhi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.