Bashkia shpall konkurs për logon e 400 vjetorit të Tiranës

Postuar në 16 Shkurt, 2014 04:33

Bashkia e Tiranës hapi konkursin për logon e 400 vjetorit. Arbën Skënderi nga Bashkia njoftoi se logoja e 400 vjetorit do të jetë një imazh me gjuhëbashkëkohore dhe të gjithë artistët e interesuar do të mund të përcaktohen dhe të rendisin punët e tyre, duke ballafaquar deri në tre punime, me karaktere të ndryshëm, duke lënë të hapur tematikën dhe mënyrën se si ato do të shprehen artistikisht. 

“Kemi artistë mjaft kreativë në qytetin tonë por jo vetëm, të cilëve u bëjmë thirrje të mund të prezantojnë punët e tyre në ditët në vijim. Duke nisur nga dita e nesërme, do të mund të shkarkojnë qoftë në faqen e Bashkisë, qoftë pranë drejtorisë së Artit dhe Kulturës gjithë kriteret teknike të këtij konkurrimi”, u shpreh Skënderi.

Afati është lënë dy javë, për të pritur të gjithë punimet që do të prezantohen dhe më pas një juri e specializuar do të marrë vendimin, artistikisht, për këtë projekt artistik dhe është menduar të lihet edhe një javë, shpërndarje e punëve më të mira në rrjetet sociale por edhe në faqen e Bashkisë, në mënyrë që të mund të marrin edhe vlerësimin e publikut të gjerë.

“Jemi të interesuar që këto punime të mund të prezantohen në mënyrë sa më dinjitoze, sepse 400 vjetori i qytetit është një ngjarje tepër e rëndësishme dhe do të donim që me këtë rast, të stimulonim edhe krijimin artistik. Pra, të gjithë punimet mund t’i depozitoni në Bashkinë e Tiranës dhe pranë drejtorisë së Kulturës, që nga dita e nesërme dhe në dy javët në vijim”, nënvizoi Skënderi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.