Më në fund vë trurin në punë. Konflikti me Dadon adresohet tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë

Postuar në 28 Shkurt, 2025 19:03

Erion Veliaj, i burgosur për tri akuza të rënda, ka hedhur më në fund një hap logjik në menaxhimin e çështjes së vet penale. Sot njoftohet se Veliaj ka kërkuar nga narkoleptiku Artur Metani – Inspektor i Lartë i Drejtësisë, që të nisë procedim disiplinor ndaj prokurorit Olsi Dado, për pretendimet të caktuara që ai si subjekt I hetimit në dosjen e Dados ka.

Thelbi i kërkesës të depozituar nga ana ime konsiston te qëndrimi që unë kam bërë publik për largimin nga çështja të prokurorit ndërtues zotit Ols Dado, i cili nuk mundet kurrësesi të jetë objektiv në përfaqësimin e akuzës të ngritur ndaj personit tim.

E them këtë, pasi Ols Dado ka përdorur telefonin e paguar nga taksat e taksapaguesve për të kërkuar leje ndërtimi për përfitimet e tij, dhe pasi kërkesa e tij për miratim të kateve shtesë iu refuzua, “u vërsul” me shprehje kërcënuese e shantazhuese.

Prokurori i çështjes, i cili ka ngritur akuzat ndaj meje, nuk duhej të pranonte hetimin e shkaqeve të ngritura në kallzimin penal të depozituar nga i ashtuquajturi “Nesti Angoni”, pasi Olsi Dado ka përfituar sipërfaqe ndërtimore miratuar me vendimin nr. U-14078/4, datë 09.09.2021 të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, dhe lejen e ndërtimit nr. U-14078/6, datë 21.09.2021.

Është e vërtetë që leja e ndërtimit i është akorduar subjektit zhvillues/ndërtues, shoqërisë “Alb Edil” sh.p.k, por referuar kontratës së sipërmarrjes nr. Rep 2040, nr. Kol 803, datë 06.05.2021 pala porositëse dhe përfituese njëkohësisht, është prokurori i çështjes kundër titullarit të institucionit që ka dhënë lejen e ndërtimit, pra personit në hetim Erion Veliaj.

Siç e parashtrova edhe më lart, fakti që përfitues nga procedura e dhënies së lejes së ndërtimit është prokurori Olsi Dado është i pandryshueshëm, pasi e vërteton dokumentacioni bashkëlidhur kërkesës time.

Telefonatat e prokurorit, i cili shpreh pakënaqësinë në lidhje me procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit, dëshmojnë qartë qëllimin keqdashës të zotit Ols Dado për të pasqyruar në dosjen hetimore fakte të pavërteta.

Edhe nëse zoti Ols Dado nuk do të ushtronte ndikimin e tij në lidhje me lejen e ndërtimit, mjafton vetëm fakti se është përfitues, për t’u vërtetuar konflikti i interesit.

Thjesht fakti që prokurori është subjekt përfitues nga leja e ndërtimit, do të thotë se ndodhet në konflikt të hapur interesi, e për pasojë nuk duhet të kishte përfaqësuar akuzën që në krye të herës.

Në një rast hipotetik, (interpretim i kundërt), si për shembull, sikur zoti Ols Dado të ishte favorizuar nga titullari i Bashkisë Tiranë, përsëri do të kishte konflikt interesi, pasi edhe nëse faktet e pretenduara në dosjen hetimore të ishin të vërteta, do të ishte lehtësuar pozita e të dyshuarit në hetim. Pra, në të dyja rastet prokurori Dado është në konflikt të hapur interesi.

Ligji Nr.96/2016, datë 30.8.2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 102, pika 1, germa a/b/iii përcakton shprehimisht se:

“Shkelje disiplinore gjatë ushtrimit të funksionit janë në veçanti, por pa u kufizuar në to, veprimet apo mosveprimet ose sjelljet e magjistratit si më poshtë:

a) Mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes kur kjo është e detyrueshme, sipas ligjit, nëse magjistrati ka dijeni ose duhet të kishte dijeni të rrethanave të tilla

b) Paraqitja e kërkesës për heqje dorë nga procedimi ose gjykimi i çështjes nëse ky veprim:

iii) Nuk kryhet menjëherë pasi merr dijeni për shkakun.

Sa më sipër, bazuar në nenin 127 të ligjit Nr.96/2016 do të kërkoja nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë pezullimin e prokurorit, zotit Ols Dado nga detyra e tij si prokuror, sipas parashikimeve në nenin 151, të këtij ligji, ose të kërkojë vetë pezullimin e magjistratit për arsyet e parashikuara në nenin 152 të këtij ligji.

Në këto kushte dhe përsa parashtroj më sipër, bazuar në nenin 184 e vijues të ligjit Nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor”,

- Fillimin e procedurave për procedimin disiplinor ndaj prokurorit, zotit Ols Dado, lidhur me shkeljet e kryera në shqyrtimin e çështjes penale në ngarkim të personit tim, Erion Veliaj.

- Marrjen e masës disiplinore ndaj tij dhe pezullimin nga detyra

Kjo është kërkesa dhe ajo përfaqëson një manovër të sugjeruar për të fituar kohë, por edhe diskredituar prokurorin si të lidhur me interesin personal të masës arrest me burg. E parë si e këtillë, kërkesa na njofton se Erion Veliaj, ka nisur të pranojë që truri i kokës është burimi të menduarit dhe procedura është në fuqi për të vepruar në mënyrë të dyanshme, dhe jo për të persekutuar një palë. Duke lënë mënjanë faktin se Veliaj si tribun i vetëshpallur i politikës së re, nuk ka asnjë interes për të vërtetën, në aspektin taktik dhe juridik, ky akt përbën lëvizjen e parë serioze.

Ku qëndron interesi publik këtu? Qëndron në faktin se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, i veshur me një pushtet të jashtëzakonshëm, por mbetur në hije deri më tani. Nëse ky institucion do të ishte më aktiv nuk do të mbërrihej kurrë deri në pikën e sotme, kur drejtësisë së re penale po i bëhet pretenca.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Menyra se si Lali Vemja i eshte qepur Olsi Dados tregon se ai po perpiqet me shantazhe, shpifje, presion mediatik e se fundi dhe me nje perpjekje ligjore ta largoje ate nga ceshtja e tij. Cuditerisht nuk po kapet me Dumanin i cili eshte aty bashkë me Dadon e madje duke e konsideruar lali Vemjen si patologjik. Ndoshta shpreson qe ceshtjen e tij ta marre ndonje prokuror nga ato qe ulej restoranteve per sallata. Nga ana tjeter me ane te Gaz Bardhit e të tjereve kane filluar sulmet mediatike ndaj Beles. Dikur u tall duke e quajtur Bela qenin e rene ne kanal qe u shpetua. Tani me sa duket e ka radhen Bela te defrehet ca me lalin. Mbase ne të ardhmen mund te jene dhe kolege qelie te tre, bashkë me kete 2 metroshin qe mbeti duke hungerire si i cakerdisur ne media.

Submitted by Anonymous (not verified) on

I ka bere kerkese bashkepunetorit ne aferen e inceneratoreve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.