Kujt i drejtohet z. Rama në këtë fushatë?

Prej javësh tashmë ne dëgjojmë të gjithë, kryeministrin e këtij vendi të flasë përdië për dy gjëra: më votoni mua dhe PS-në më 11 maj sepse hyjmë në BE. Dhe se Sali Berisha është një buf kënete.
Nëse do të kthejmë pas kohën dhe të sillnim për krahasim këtë person me veten e tij, në një fushatë elektorale ta zëmë në vitin 2013, kushdo do të vërente një ndryshim shumë të madh. Në atë kohë, z. Berisha, që ishte kryeministër prej tetë vjetësh, do të shprehej në fjalën e njohjes së humbjes se “Edi Rama bëri disa premtime të cilat unë nuk mund t’i bëja”.
Sigurisht që fjala është për premtimet me natyrë ekonomike të cilat pretendonin një rilindje dhe mireqenie të re, anëtarësim në Europë, e kështu me radhë. Ritmin z. Rama e mbajti deri diku edhe në zgjedhjet e vitit 2017, më pak më 2021, kur deviza e fundit që mbahet mend është: Punë, shtet, mirëqenie!
Në këtë fushatë kryeministri nuk premton praktikisht asgjë. Ai po flet për gjëra që nuk lidhen me qeverisjen e tij. Anëtarësimi në BE është një vendim që origjinon nga realitetet gjeopolitike ndërkombëtare dhe as ka të bëjë me qeverisjen, ndonëse grupkapitujt u hapën me ritëm të lartë.
Megjithatë këtu çështja është të kuptohet se kujt i apelon z. Rama me këtë thjeshtim ekstrem të gjuhës? Për kë po bën fushatë ai tani?
Ka një shartim mes konsideratës së shumica janë budallenj dhe nevojës për ta bërë fushatën një shërbim argëtues për votues të ndryshëm, duke e cilësuar në këtë rast kundërshtarin si të padenjë. Si një buf pa vlerë. Të vjetër dhe të kaluar. Ideja që synohet është e thjeshtë: mund të mos jesh me PS-në, por nuk është e zgjuar të votosh Berishën. Taktika këtu synon çorientim të një pjese të elektoratit përmes dy të kundërtave fare të paafrueshme: nga një anë, NE dhe BE-ja, nga ana tjetër bufi.
Por a është kjo një fushatë elektorale? A ka një zë qytetari shqiptar në këtë që po ndodh, a ka shanse ai që të akreditohet si njësi politike në programet e partive kryesore, duke prezantuar kërkesat e veta nëse të tilla ka? Qartazi jo. Fushata elektorale në Shqipëri është tashmë edhe në formë një show personal, ku askush nuk ka një zë dhe një të drejtë efektive në procesin e vendimmarrjes. Qytetarit i imponohet show dhe ai ftohet vetëm të votojë disa lista të caktuar nga të tjerë.
Por z. Rama nuk i drejtohet kësaj kategorie. Ai i drejtohet një tjetre, që është e zhveshur nga konsideratat qytetare për veten, që është një votë, një spektator rastësor i politikës, të cilin kjo e fundit synon vetëm ta shndërrojë në tifoz. Duke e mikluar, sajdisur, blerë, apo edhe argëtuar.
Ata që do të votojnë nesër me idenë se po votojnë hyrjen e Shqipërisë në BE, do të jenë sërish në këtë gjendje ku janë, edhe pas hyrjes në BE. Nuk e dinë këtë gjë, por me gjasë edhe po ta dinin nuk do t’u interesonte.
Kjo është një anë e përgjegjësisë. Ana tjetër është te politika dhe ata që drejtojnë, të cilët sa më shumë rrinë në pushtet, aq më shumë i drejtohen kategorive më të paangazhuara dhe të paarsimuara. Kanë përherë e më shumë nevojë për ta ashtu siç janë, jo të ndryshuar. Fatkeqësia me këtë politikë është se ajo relativizon vlerën e votës si ushtrim demokracie dhe ilustron më së miri se procesi i transformimit social në këtë shtet nuk ka mbaruar. Ne kemi dëshmuar se partizanët e shndërruar në nëpunës ishin baza e regjimit të Hoxhës që këmbeu privilegjet të klasës së re me shpronësimin total.
Vazhdoi kjo politikë me pas ’90-n dhe instrumentalizimin e migrimit të brendshëm, u thellua nga të dyja partitë me politikën e legalizimeve që ishin ligjërim i uzurpimit dhe arriti majën me inkuadrimin në Parlament të njerëzve të krimit.
Kjo gjuhë elementare në fushatë konfirmon pikërisht injorimin e atyre kategorive që kanë punuar dhe janë të shqetësuar për të ardhmen e një vendi që duhet të jetë normal. Ajo është një gjuhë që merret me kategori tjetër, me të cilin merr pushtetin dhe e ndan atë. Duke vulgarizuar politikën dhe gërryer kuptimin e institucioneve. Shkatërrimi dhe rënia nuk janë një ngjarje apokaliptike, ato janë të përditshme, të ngadalta, janë ngjarje evolucionare. Në proporcion me evolucionin degradues të gjuhës politike, ligjërimit publik dhe vetëdijes së dukshme të dy apo tri njerëzve që duan të ndihen dhe sillen si pronarë në këtë vend. Jo si të zgjedhur!
Comments
Shume korrekte dhe e mire
Shume korrekte dhe e mire pyetja qe ke ngritur!!
Po ashtu edhe analiza!!
Add new comment