Korrupsioni apo fjalët e dëmtojnë më shumë Shqipërinë?

Në një takim elektoral në Ersekë kryeministri Edi Rama, ndër të tjera tha se:
Tanimë u bë një kohë jo e shkurtër që jemi në këtë rrugëtim të përbashkët dhe besoj se është në sytë e të gjithë shqiptarëve që edhe punët dhe detyrat janë të ndara, por edhe kjo histori është e ndarë.
Ne kemi barrën që të ëndërrojmë, të projektojmë, të përpiqemi të ndërtojmë, pastaj të ndërtojmë dhe disa të tjerë janë aty vetëm për të na penguar, për të na sulmuar për të na hedhur baltë, në një përpjekje që nuk kursen as Shqipërinë. Edhe Shqipërinë kjo përpjekje e ulët nuk e kursen.
Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë rrugëtim të përbashkët. Në rrugëtimin e përbashkët të shqiptarëve drejt një destinacioni që këtu u përmend çfarë është thënë në Kolonjë nga ata që e bënë Kolonjën të thotë që pa ne s’ka Korçë. Një destinacion i përcaktuar edhe përpara tyre, që nga koha e Skënderbeut, i cili është quajtur me të drejtë profeti i historisë sonë kombëtare, sepse ai vendosi pikën e referimit të të gjithë kombit tonë kur u bë mburojë e perëndimit
Vetëm korrupsioni nuk figuron askund për z. Rama. Sipas tij kritikët, oponentët, kundërshtarët, të mllefosurit nëse duam, janë ku e ku më të dëmshëm sesa korrupsioni sistemik i qeverisjes aktuale. Është e vërtetë që në fushatë nuk përmenden gjëra të tilla, por nëse jemi në pikën ku jemi, kjo ëstë për shkak të korrupsionit. Sidomos të korrupsionit dhe kalimit të parave të krimit në ekonomi.
Pabarazia e sotme në Shqipëri, është atipike. Nuk ka të bëjë me reduktimin e brendshëm të tregut në pak duar, por me krijimin e një tregu të kontrolluar që mbahet në këmbë me instrumente të klientelizmit dhe legjitimmit me gjendjen e faktit të një pasurimi që nuk ka shpjegim.
Ka shumë pyetje ky sukses i Shqipërisë së sotme, siç marketohet ai, për të cilin pakkush do të përgjigjet dhe të dëgjojë. Dhe z. Rama është ndër ata që duhet të përgjigjen. E ka për detyrë.
Add new comment