Arkiv-Lajme të përditësuara
Kathimerini: Strategjia e Censusit, Shqipëria një vend mysliman
“Me një "kazan që vlon" ngjan komuniteti i krishterë ortodoks në Shqipëri, pas publikimit të rezultateve të regjistrimit të popullsisë, që njoftoi zyrtarisht qeveria e Tiranës”, kështu e nis shkrimin e tij analisti Stavros Ximas, në gazetën "Kathimerini".
“Për habinë e përgjithshme, ortodoksia tregon përqindjen më të vogël të regjistruar historikisht në Shqipëri, 6.75% të popullatës, kur supozimi i përgjithshëm në përputhje me vlerësimet modeste, e tejkalon shifrën 20%”, shprehet ai.
Regjim vizash për disa vende ballkanike?
Regjimi i vizave mund të rikthehet për disa prej vendeve të Ballkanit, lajmëroi raportuesja e BE-së, Tanja Fajon.
E pyetur se cili prej vendeve rrezikon më shumë, eurodeputetja sllovene nuk foli me emra të përveçëm, por sipas Agjensisë Turke “Anadolu”, Serbia është vendi më i rrezikuar.
“Sipas informacioneve që vijnë për azilkërkuesit e rremë, shumica e tyre janë shtetas serbë apo maqedonas, ndërsa së fundmi ka pasur një rritje të madhe edhe nga Bosnja. Problemi më i madh mbetet me minoritetet, si përshembull romët”, deklaroi Fajon.
Ambasadori: Nacionalizmi ekstrem, vetëm nga një parti
Komisioni i Politikës së Jashtme është përfshirë dje në debate lidhur me shtimin e deklaratave nacionaliste në Shqipëri. Komisioni i Jashtëm zhvilloi dje seancën dëgjimore me dy kandidatët për ambasador të propozuar nga Ministria e Jashtme, Mal Berishën për në Britaninë e Madhe dhe Edmond Çaçën në Mbretërinë e Arabisë Saudite.
Shitja e CEZ Albania
Përmes një deklarate të bërë një ditë më parë, grupi CEZ njofton se ka nxjerrë në shitje biznesin e tij në Shqipëri, CEZ Shpërndarje. Por kalimi i administrimit të shpërndarjes së energjisë nga kompania ceke tek një kompani tjetër, sipas ligjit, duhet më parë të shqyrtohet nga Enti Rregullator i Energjisë.
Lufta kundër korrupsionit
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla edhe njëherë ka prezantuar para vartësve prioritetet që do të ndjekë gjatë mandatit të tij, më i rëndësishmi i të cilëve do të jetë lufta ndaj korrupsionit.
Dhoma Amerikane i ankohet Berishës
Dhoma Amerikane e Tregtisë i kërkoi kryeministrit Sali Berisha të shqyrtojë disa kërkesa për përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Duke e vënë theksin tek mungesa e dialogut, presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë vuri në dukje se kryeministri Berisha ishte i vetmi që i ishte përgjigjur ftesës për komunikim, pas disa përpjekeve të dështuara për t'i diskutuar këto probleme me nivele të caktuara të adminstratës.
BB përgjysmon rritjen ekonomike
Banka Botërore përgjysmoi vlerësimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë të këtij viti nga 1.6 në shifrën minimale 0.8 për qind.
Erjon Luçi, ekonomist i bankës në Tiranë tha se veç krizës globale, ekonomia është goditur edhe nga një faktor i brendshëm.
“Në parashikimet tona të bëra treguesi është ulur për shkak të problemeve të brendshme në këtë sektor, por edhe për probleme të tjera. Një faktor tjetër është energjia, ndikimet që ka kriza”, deklaroi Luçi.
Platforma e Beogradit, veriu i Kosovës si R. Serbe?
Në kuadër të plaformës së re për bisedimet me Kosovës, që do ta paraqesë presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikollic, sipas, gazetës “Novosti” do të jetë edhe statusi për veriun e Kosovës.
Aty thuhet se do të kërkohet një lloj entiteti për këtë pjesë të territorit të Kosovës, të banuar me shumicë serbe dhe të kontrolluar nga strukturat paralele të financuara nga Beogradi.
Kisha Ortodokse: S’njohim censusin
Edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është rreshtuar në institucionet që kundërshtojnë rezultatin e censusit të realizuar në vitin 2011.
Sipas këtij censusi shtetasit shqiptarë të krishterë ortodokës janë 6.75 përqind, ndërkohë që Kisha Autoqefale Ortodokse e Shqipërisë pretendon se ky numër është joreal dhe i gënjeshtërt, fyes për ortodoksët, të krishterët dhe errëson pamjen e përgjithshme të komuniteteve fetare në Shqipëri.
PS: Përçartje të kryeministrit
Pas deklaratës së kryeministrit Berisha në konferencën për shtyp me gazetarët, reagoi Partia Socialiste, e cila i cilësoi si përçartje të shefit të qeverisë. “Kjo është një tjetër provë, pse duhet me patjetër rotacioni”, tha zonja Harito nga selia rozë.
“Keqardhje për përçartjet e sapopërfunduara të kryeministrit. Një tjetër provë, përse duhet rotacioni politik në Shqipëri.
Një tjetër shembull i degradimit të qeverisë në një klub thashethemesh dhe banalitetesh pa vizion, pa projekt, pa arritje. Kjo qeveri po e lë Shqipërinë, më keq se sa e gjeti.