Lufta kundër korrupsionit

Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla edhe njëherë ka prezantuar para vartësve prioritetet që do të ndjekë gjatë mandatit të tij, më i rëndësishmi i të cilëve do të jetë lufta ndaj korrupsionit.
“Prokuroria e Përgjithshme do të ndjekë me përparësi çdo rast të dyshuar të korrupsionit, duke nisur që nga veprimtaria e prokurorëve dhe çdo qytetari e çdo zyrtari. Kjo do të thotë që institucioni i Prokurorisë ka nevojë për një rifreskim të ndjeshëm, i cili do të sjellë një veprimtari më efikase në shërbim të publikut. Gjithashtu suksesi i pritshëm realizohet nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional, që e konstatoj që nuk është në lartësinë e duhur”, tha kryeprokurori i ri.
Llalla nënvizoi se ka gjetur një Prokurori, tek e cila ka mungese të theksuar besimi.
“Kjo, natyrisht, është për fajin e vetë institucionit. Ka prokurorë që mbajnë të njëjtat funksione ose janë në të njëjtën zonë për shumë vite, duke krijuar një gjendje apatie përsa i përket ndjekjes penale”, tha Llalla.
Por akoma me i drejtpërdrejtë me prokurorët ishte Presidenti i vendit Bujar Nishani, në fjalën e të cilit u ekspozuan problemet që nga njësia task-force, deri tek shfryrja nga provat e dosjeve hetimore kur ato përfundojnë në Gjykatë.
“Nuk jemi në atë nivel që kishim ditët apo muajt e parë të krijimit të task-forcës, ky është një realitet, por kemi edhe ne këtu në këtë histori kontribute të mira, ashtu siç kemi gjithashtu edhe raste kur nis një proces hetimi për nënpunës publikë të korruptuar, provat evidente dhe të qarta në dosjen e Prokurorit dhe shterrojnë rrugës dhe në momentin e përballjes në sallën e gjykatës, çuditërisht provat ose janë bërë të dobëta, ose një pjesë kanë humbur rrugës apo shpeshherë në mënyrë akoma më skandaloze dhe nuk paraqiten”, tha Nishani.
Presidenti propozoi qe te shikohet nje menyre e re e promovimit te prokuroreve, sipas rasteve te forta qe ata hetojne, por gjithashtu u tha prokuroreve te qendrojne larg valles së politikës dhe të krimit.
“Nëse dikush, një prokuror bie pre e dy armiqve më të mëdhenj të tij, të lojërave politike të palëve politike dhe të joshjes nga ana e grupeve kriminale, nga të dyja vallet po u futët nuk dilni dot më, prandaj do të inkurajoja një qëndrim dinjitoz tuajin”, tha Nishani.
TCH
Add new comment