Arkiv-Lajme të përditësuara
Tiranë, mashtronte se shëronte kancerin, arrestohet 55-vjeçari
Policia e Tiranës ka arrestuar një mjek popullor të vetëshpallur i cili pretendonte se kishte zbuluar ilaçin e shërimit të kancerit.
Sipas policisë Avniavdyl Lipe, 55 vjeç, mashtronte qytetarët duke u shitur për 100 mijë lekë të reja ilaçin dhe vizitat e tij.
I njëjti burim tha se shuma e paguar shkonte në disa raste edhe në 4 seanca me koston e 400 mijë lekëve.
Policia ka sekuestruar edhe një regjistër me emrat e personave të cilët i kishte mjekuar me të njëjtën mënyrë.
Ballsh, plagoset me armë zjarri një 19-vjeçar, Policia: Ishte vetëplagosje
Një 19-vjeçar nga Ballshi ka mbetur i plagosur ditën e sotme, ndërsa ishte duke luajtur në një bilardo. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Drizar, ndërsa sipas policisë, dyshohet se Golik Mema është vetëplagosur, pasi ka pasur një pistoletë me vete ndërsa ndodhej në bilardo.
19-vjeçari ka marrë një goditje në kraharor, ndërsa menjëherë u dërguar në spital, ku edhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Mësohet se Golik Mema ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Mat, kamioni i ngarkuar me krom del nga rruga, plagoset shoferi
Një kamion i ngarkuar me krom ka dalë nga rruga në zonën e Matit, duke u rrëzuar anës rrugës, ndërsa si pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit me targa AA 927 IY. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 të ditës së sotme në vendin e quajtur "Qafë Dushk”, rreth 8 kilometër larg “Qafës së Buallit”.
Nga hetimet paraprake, sipas policisë dyshohet se shkak për aksidentin është bërë mosfunksionimi në mënyrën e duhur të sistemit të frenimit për shkak të ngarkesës së madhe. Ndërsa probleme janë krijuar edhe për shkak të lagështirës së madhe në rrugë.
Ndryshon shefi i Antidrogës Selfollari shkon te Standardet
Ndryshon shefi i Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sokol Selfollari ka deklaruar në një lidhje telefonike se dy muaj më parë vetë ai kishte bërë kërkese për të kaluar në një detyrë tjetër. Zyrtarisht Policia e Shtetit ka pohuar se Selfollari është transferuar nga detyra që ai mbante në sektorin e Antidrogës për në Drejtorinë e Standarteve.
Tare e Kodheli, fushim në bregdet deri sa ta pastrojnë nga inertet
Agjensia Kombëtare e Bregdetit e mbështetur nga Forcat e Armatosura të drejtuara nga ministrja Mimi Kodheli janë angazhuar sot në pastrimin e bregdetit nga Shëngjini deri në Velipojë, në nisje të sezonit turistik në Shqipëri.
Këtë aksion e ka ndjekur me vëmendje edhe Kryeministri, që shkruan në FB: "Nisi programi i posaçëm i sezonit të parë turistik pa plehra në plazhe, pas kaq vitesh banjo dielli mes plehrave.Forcë speciale në çdo plazh."
Tiranë, makina përfshihet nga flakët para Spitalit të Traumës
Një automjet është përfshirë nga flakët pranë Spitalit të Traumës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e paradites, ndërsa në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe një automjet zjarrëfikës për të shuar flakët. Zjarri ka dëmtuar pjesërisht mjetin tip BMW me targa AA 250 FA.
Sipas policisë ngjarja është aksidentale si pasojë e një qarku të shkurtër në rrjetin elektrik në kroskotin e automjetit. Pronari i mjetit ka deponuar në polici se ka patur defekt dhe herë tjetër në rrjetin elektrik në kroskot.
Kashar - Rinas, plagosen dy vetë nga përmbysja e makinës në rrugë
Një aksident me dy të plagosur ka ndodhur mëngjesin e sotëm në kthesën e rrugës Kashar - Rinas.
Një makinë “Alfa Romeo” me targa AA 765 JB ka dalë nga rruga, dyshohet si pasojë e lagështirës në rrugë, dhe ka rënë në pjerrësitë me bar anash, pasi nuk kishte mbrojtëse.
Nga pamjet mendohet se makina mund edhe të jetë përmbysur.
Ekstradohet nga Greqia 37-vjeçari i dënuar për vjedhje me dhunë.
Një 37-vjeçari nga Fieri është ekstraduar nga Greqia ditën e sotme, pasi akuzohet për vjedhje me dhunë. Pëllumb Buzi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin Nr. 74, datë 28.01.2013, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“ ndaj kёtij shtetasi për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me dhunё e kryer në bashkëpunim“, parashikuar nga nenet 139 dhe 25 tё Kodit Penal.
Gjykata e Elbasanit rrëzon pezullimin për anëtarin e KLD-së Gjin Gjonit
Pas nisjes së procedimit penal për anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe gjyqtarin Gjin Gjoni, Gjykata e Elbasanit rrëzon kërkesën e prokurorisë dhe nuk e ka pezulluar atë.
Vendimi është dhënë sot nga gjykata e Elbasanit, ndërsa togat e zeza ende nuk kanë zbardhur asnjë argument për vendimin e tyre, por janë mjaftuar me dizpozitiv.
Seanca ndaj Mziut, dëshmi për abuzimet me taksat e Kamzës
Pyeten agjentja e kompanisë së sigurimeve të “Gjoka Konstruksion” dhe ish-përfaqësuesi i kompanisë “Albavia”, për skualifikimet e tyre edhe pasi kishin fituar tenderin për ndërtimin e rrugës “Zgjimi” në Laknas, në procesin ndaj kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, drejtorin juridik Atli Hoti dhe drejtorin e taksave Bujar Loshi.
Më herët Mziu kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të mungesës së avokatit të tij Genci Gjokutaj, por séance vazhdoi me një avokate kryesisht.