Tiranë, mashtronte se shëronte kancerin, arrestohet 55-vjeçari

Policia e Tiranës ka arrestuar një mjek popullor të vetëshpallur i cili pretendonte se kishte zbuluar ilaçin e shërimit të kancerit.
Sipas policisë Avniavdyl Lipe, 55 vjeç, mashtronte qytetarët duke u shitur për 100 mijë lekë të reja ilaçin dhe vizitat e tij.
I njëjti burim tha se shuma e paguar shkonte në disa raste edhe në 4 seanca me koston e 400 mijë lekëve.
Policia ka sekuestruar edhe një regjistër me emrat e personave të cilët i kishte mjekuar me të njëjtën mënyrë.
Burimet thanë se kallëzimi është bërë nga dy shtetase 2 ditë më parë, ndërsa dokumentimi i aktivitetit të Lipes është bërë me metodën e dorëzimit të kontrolluar.
Lipe përdorte si bazë një lokal pranë Spitalit të Traumës, ndërsa për t'u dorëzuar ilaçin u linte takime në vende të ndryshme. Edhe banesën e kishte në bllokun e pallateve parafabrikate, në rrugën “Koli Bano”, pranë spitalit.
Policia ka sekuestruar edhe ilaçin që përdorte Lipja në shishe 1.5 litërshe, të cilat janë dërguar për ekspertizë në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës.
LIPE, I PAREGJISTRUAR NË SHOQATAT E MJEKËSISË POPULLORE E ALTERNATIVE
Kryetari i shoqatës së Mjekësisë Popullore, Selim Vrapi, thotë se “Aviavdyl Lipe nuk është i regjistruar. Ne i regjistrojmë mjekët popullorë në bazë të traditës familjare”.
Të njëjtën gjë na thotë edhe drejtori i Mjekësisë Alternative, Hysni Dankshi.
“Nuk e njoh fare këtë person. Në shoqatë janë vetëm ata që kanë studiuar për mjekësi dhe merren me mjekësi alternative, e jo shkencore”, tha Dankshi.
Add new comment