Dhuna verbale e Edi Ramës

Mbrëmë dëgjova fjalimin e Edi Ramës, ku foli për ndryshimet në Tiranë dhe kontributin e madh të Erion Veliajt. Në kushte normale, do të kisha mbajtur mend shifrat dhe vlerësimin e atij kontributi, por ato u asgjësuan nga fjalori i ashpër dhe dhuna verbale. Nëse një lider dëshiron të informojë për arritjet, ai duhet të përdorë argumente dhe fakte, jo të idealizojë veten dhe të dehumanizojë kundërshtarët.
Në fjalimin e tij, Rama përdori një gjuhë që, në psikologjinë moderne, cilësohet si dhunë verbale, sepse shkakton dhimbje, si dhuna fizike. Opozitën dhe ata që nuk pajtohen me të, herë i quajti “plehra”, herë “kënetë”, herë “bufë”, herë “njerëz që u vjen era”, herë “llum”, “kazanë”, “mutëra”, “kënetë mediatike” dhe politike, si dhe një sërë epitetesh të tjera poshtëruese. Për diku 45 minuta, diku 30 ofendime.
Ky lloj komunikimi nuk është as rastësor dhe as i padëmshëm. Historia na ka treguar se dehumanizimi i kundërshtarëve politikë ka qenë gjithmonë një mjet për të përligjur përjashtimin dhe shtypjen e tyre. Retorika e tillë ishte tipike për regjimet totalitare, të cilat, para se të vepronin me dhunë fizike—para se të pushkatonin apo burgosnin—fillimisht e bënin kundërshtarin të dukej i padenjë për respekt dhe për jetë.
Rama e ka ruajtur këtë model komunikimi—një devijim që Berisha e ka zbatuar gjithmonë dhe që tani është bërë tipike edhe për të. Për fat të keq. E konsideroja të iluminuar, pedagog. Vetë kjo fjalë mjafton për të arsyetuar pritshmëritë. Synimi është i qartë: jo debat idesh, por degradim i kundërshtarit, me bindjen se kështu zmadhon vetveten dhe zvogëlon tjetrin. Kjo sjellje nuk është vetëm problem etik, por edhe politik. Në një demokraci funksionale, liderët duhet të kenë kulturë komunikimi dhe të respektojnë kundërshtarët, ashtu siç e kërkojnë kushtetuta dhe etika institucionale. Në autokraci dhe diktaturë ajo sjellje konsiderohet normale.
Edhe kundërshtari ka dinjitet! Kushtetutat europiane e detyrojnë njeriun të respektojë dinjitetin e tjetrit. Nëse këtë urdhëresë themelore nuk e respekton, si mund të besohet se respekton ligjet e tjera?! Kryeministri gjendet në majë të piramidës, jo në fund të pusit, ku ai fjalor mund të kuptohej, por kurrsesi të arsyetohej. Ai duhet të jetë shembëlltyrë e një njeriu me integritet.
Edi Rama foli për shkolla dhe kopshte të ndërtuara sipas standardeve europiane, por përdori një gjuhë që nuk ka asgjë të përbashkët me modelin politik dhe kulturor të Europës moderne. Përjashtim mund të bëjë vetëm e djathta ekstreme apo neofashiste. Nuk mund të ketë integrim real pa një ndryshim të thellë në mënyrën se si komunikojmë dhe respektojmë njëri-tjetrin. Teksa e dëgjoja atë fjalim, më lindte një pyetje e thjeshtë: çfarë mesazhi po i dërgohet shoqërisë, fëmijëve, nxënësve, studentëve? Pse nga ajo pozitë ndien nevojë të shfaqet i tillë?
Kryeministri duhet të lexojë librin e Daniel Goleman, “Inteligjenca Emocionale“, dhe të mësojë disa pasazhe përmendsh që do t’i ndihmojnë të kontrollojë shpërthimet e tij emocionale, të cilat shpesh ndodhin spontanisht. Menaxhimi i emocioneve dhe aftësia për t’i kontrolluar shpërthimet është një nevojë e rëndësishme për çdo lider demokrat. Shpërthimi i emocioneve të pakontrolluara vetëm sa tregon mungesën e intelegjencës emocionale, lëndueshmërinë e tij dhe gazepin e brendshëm në të cilin gjendet.
Një tjetër metodë e mirë për të përmirësuar kontrollin mbi emocionet është meditimi. Kjo praktikë ndihmon në uljen e niveleve të stresit dhe adrenalinës deri në 60%, duke sjellë më shumë qetësi dhe paqe në mendje. Me meditimin, Rama mund të bëhet më i qetë, mbi të gjitha, më i respektuar, duke qenë në gjendje të menaxhojë më mirë emocione dhe reagime spontane, veçanërisht në momentet e tensioneve. Europa nuk pranon vetëm popuj që respektojnë ligjet, por edhe vende ku elita politike zbaton ato që vetë ka miratuar.
Comments
Falenderim !
Mendoj se te gjithe ne qe lexojme kete shkrim duhet t’ju themi Faleminderit !
Vecanerisht , te gjithe politikanet uroj ta lexojne dhe te reflektojne !
Add new comment