Arkiv-Lajme të përditësuara
Mbeten pa ndihmë, invalidët: Ndryshimet, jo me VKM
Invalidët e punës nuk kanë marrë asnjë njoftim në lidhje me heqjen e ndihmës ekonomike. Ata nuk pajtohen me faktin që vetëm me anën e një vendimi qeverie e drejta për të marrë ndihmë ekonomike të pezullohet. Sipas kryetarit të shoqatës së invalidëve të punës, Abdulla Omuri, ky ndryshim nuk mund të bëhet më VKM, por me anë të ndryshimeve ligjore. Mes të tjerash ai thotë se nuk është normale, që shtresa që ai përfaqëson të mos pyetej fare, në një kohë që grupet e interesit duhet të dëgjohen për cdo ndryshim, që ndodh në kurriz të tyre.
Rusi, Putin, president për të tretën herë
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Rusi tregojnë se Vladimir Putin është zgjedhur për të tretën herë president i vendit, pas katër vjetësh në postin e kryeministrit.
Rezultatet paraprake tregojnë se Putin ka marrë 60 % të votave që do të thotë që ai do të shmangë një raund të dytë përballë rivalit më të afërt, komunistit Genady Zyganov.
Zyrtarë tregojnë se pjesëmarrja në votime ishte më e lartë së në zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2008.
Rikthehet euro, shkak rënia e remitancave
Monedha europiane, euro, rikthehet në vlerat e saj të larta, duke fituar pikë pikë kundrejt monedhës vendase, lekut. Java që u mbyll ndikoi në rritjen e vlerës së euros në tregun vendas.
Mbi 9000 aborte në vit
Shqiptarët mbeten ende shumë larg përdorimit të metodave kontraceptive për tu mbrojtur nga shtatzanitë e paplanifikuara.
Sipas statistikave të Institutit të Shëndetit Publik regjistrohen mbi 9000 ndërpreje të shtatzanive në një vit.
Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik shpjegojnë se çiftet kanë ende një lidhje të fortë me metodat tradicionale kontraceptive, të cilat janë më pak efektive se metodat moderne.
Ndër shkaqet e shumta që çojnë vajzat dhe gratë drejt abortit janë varfëria në zonat rurale përkundrejt karrierës në zonat urbane.
Filmi për Bin Laden, indianët protestojnë për xhirimet
Indianët protestojnë kundër xhirimit të një filmi për Osama bin Ladenin. Muslimanët në qytetin verior të Indisë Chandigarh marshuan në shenjë zemërimi kundër planeve të regjizores fituese të cmimit Oskar Kathryn Bigelow për kapjen e Osama bin Ladenit, duke thënë se kasti i hollivudit po portretizonte Pakistanin në tokën indiane.
Kukës, 25 mijë banorë pa ujë të pijshëm
Më shumë se 25 mijë banorë të qytetit të Kukësit po vuajnë mungesën e ujit edhe në dimër. Ndonëse reshjet e dëborës shiheshin si shpresa për shtimin e sasisë së prurjeve në tre ujësjellësit që furnizojnë me ujë qytetin dhe 14 komunat rreth tij, ende konsumatorët po furnizohen jo më shumë se 2 orë në 24 me ujë të pijshëm. Por ka edhe nga ata konsumatorë që nuk furnizohen fare. Në këtë situatë janë banorët e një lagjeje periferike të qytetit,e njohur si "Lagjia e Re" të cilët nuk furnizohen me ujë.
Greqi, sondazh: Rënie e re e PASOK, "Agimi i Artë" në Parlament
Parlament me 9 parti, përkeqësimi i mëtejshëm i mbështetjes për partitë e “mëdha”, rritje e disa partive të majta dhe mbështetje për ksenofobët e "Agimit të Artë".
Kështu parashikohet parlamenti i ardhshëm që do të formohet pas zgjedhjeve politikë në Greqi, sipas rezultateve të sondazhit të të realizuar nga Public Issue publikuar nga “Kathimerini e së dielës”.
AK: Ministri grek Dimas fyen drejtësinë, diplomacia shqiptare hesht
Aleanca Kuq e Zi reagoi pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Stavros Dimas, i cili e konsideroi dënimin me një vit burg të kreut të Omonia-s në Korçë, Naum Dishos, për dhunimin e varrezave në Boboshticë, si një akt të turpshëm të drejtësisë shqiptare.
Sipas Aleancës Kuq e Zi, ministri grek fyeu drejtësinë shqiptare, ndërsa Athina vijon të ndërhyjë në sovranitetin e vendit. Ndërkohë Aleanca Kuq e Zi e cilëson si turp mosreagimin e diplomacisë shqiptare në lidhje me deklaratat e ministrit grek.
SHBA, Romney fiton Uashingtonin
Kandidati republikan për president, Mitt Romney, mposhti tre rivalët e tjerë brenda partisë, duke fituar në zgjedhjet paraprake të Uashingtonit.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Romney ka arritur të grumbullojë 36% të totalit, i ndjekur nga rivalët Rick Santorum dhe Ron Paul, me nga 25% secili. I katërti në garë, ish-kryetari i Kongresit, Newt Gingrich, fitoi 14% të preferencave.
Sarkozy kundër votës së të huajve
Franca është përfshirë nga ethet e fushatës për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen në muajin prill. Një ndër temat ku presidenti aktual dhe kandidat i së djathtës për një tjetër mandat në këtë post, Nicolas Sarkozy dhe rivali i tij socialist, Francois Hollande kanë ndasi të mëdha, është vota e emigrantëve.