AK: Ministri grek Dimas fyen drejtësinë, diplomacia shqiptare hesht

Aleanca Kuq e Zi reagoi pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Stavros Dimas, i cili e konsideroi dënimin me një vit burg të kreut të Omonia-s në Korçë, Naum Dishos, për dhunimin e varrezave në Boboshticë, si një akt të turpshëm të drejtësisë shqiptare.
Sipas Aleancës Kuq e Zi, ministri grek fyeu drejtësinë shqiptare, ndërsa Athina vijon të ndërhyjë në sovranitetin e vendit. Ndërkohë Aleanca Kuq e Zi e cilëson si turp mosreagimin e diplomacisë shqiptare në lidhje me deklaratat e ministrit grek.
“Athina digjet diplomacia greke krihet. Ndërhyrja e Athinës është precedent unik. Turp heshtja e diplomacisë shqiptare. Tirana zyrtare heshti përpara kësaj përdhosje të radhës së identitetit dhe dinjitetit kombëtar.”- theksohet në deklaratën e Aleancës.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Greqisë, Stavros Dimas e cilësoi dënimin e Naum Dishos si një zhvillim të turpshëm për marrëdhëniet e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Sipas Dimas, këto zhvillime janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi sipas ministrit të Jashtëm, KE-ja shpeshherë ka kritikuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri.
Ministri grek nuk la pa përmendur as Progres Raportin e fundit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, ku thuhet se standardet evropiane në drejtësi janë ende në fazë të hershme. Dimas deklaroi se Ministria e Jashtme Greke do të vijojë të monitorojë nga afër të gjitha zhvillimet e më pas do të përcaktojë qëndrimin zyrtar.
Ballkanweb.com
Add new comment