Arkiv-Lajme të përditësuara
Kamioni me pllaka guri del nga rruga, vdes punëtori, 3 të plagosur.
Një aksident me pasoje vdekjen e një personi dhe plagosjen e tre të tjerëve është rregjistruar pasditën e sotme në aksin Bogovë-Nishove në rrethin e Skraparit.
Një kamion i ngarkuar me pllaka guri ka dalë nga rruga duke rënë nga një lartësi e konsiderueshme. Për pasojë ka gjetur vdekjen një punonjës, Gëzim Cuku, 57 vjeç, ndërsa ka mbetur i plagosur rëndë shoferi i kamionit dhe dy vëllezerit Mehmet dhe Dyli Laze 30 dhe 35 vjec nga Policani edhe këta punonjës në gurore.
"KESH" arreston shpërndarësin e drogës..kërkohej!
Një 43-vjeçar ka rënë në pranga të policisë së Tiranës.
Petrit Ramushi është arrestuar nga efektivët e komisariatit numër 1 pasi ishte shpallur në kërkim.
Ramushi ishte dënuar në mungesë për prodhim dhe shpërndarje lëndësh narkotike.
Operacioni ishte organizuar në mënyrë perfekte, ndërsa punonjësit e policisë ishin veshur si punonjës të KESH-it për të mos rënë në sy.
ILDKP kallëzim penal për 8 zyrtarë të lartë,mes tyre ish-kreu i Tatimeve.
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka njoftuar ditën e sotme se ka vendosur masa administrative dhe ka paraqitur pranë organit të akuzës kallëzim për ndjekje penale për 8 ish-zyrtarë të lartë në disa institucione të rëndësishme.
Mes emrave që ILDKPKI ka paditur për mos deklarim të pasurisë është edhe Gazmir Spahija, ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, por edhe dy nga këshilltarët e parë të ministrit të Brendshëm, Nikoll Rica dhe Bajram Yzeiraj.
Greqia pretendime territoriale në Shqipëri: Himara e Vorioepirit.
Greqia ngre pretendime territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut…dhe një rast i tillë shfaqet në faqen zyrtare të Presidencës greke.
“Himara e Vorioepirit”. Është identifikuar kështu vendlindja e një shqiptareje, Ermioni Bringut, të dekoruar nga presidenti Papulias.
Drejtonin mjetin në gjendje të dehur apo pa patentë,26 persona në pranga.
Në kuadër të aksionit për parandalimin e aksidenteve, grupi task-force ka arrestuar 26 persona për "Drejtim të automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi". Ndalimi i këtyre shtetasve është bërë nga forcat e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në Tiranë, në kuadër të nismës së zhvilluar për parandalimin e aksidenteve.
Këta shtetas u arrestuan për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi", parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal.
Gjitahstu policia rrugore bën të ditur se u ka pezulluar patentat edhe 20 drejtues mjetesh.
Veliaj: Në Beograd fituam një të drejtë morale, por duhet më shumë.
I pranishëm në ceremoninë e mbylljes së praktikave mësimore 6 mujore të studentëve të Fakultetit të Drejtësisë, pranë Avokaturës së Shtetit, Ministri Veliaj ka folur edhe për incidentin në Beograd ku ka theksuar se përveçse fituam një të drejtë morale, duhet dhe më shumë. Sipas tij ngjarja tregon se sa rëndësi ka që të kemi juristë të mirë brenda dhe jashtë vendin.
Kërkuan 500 mijë lekë për heqje gjobe, inspektorët në gjyq.
Dy ish-inspektorë të Inspektoriatit të Punës janë marrë të pandehur nga prokuroria dhe janë dërguar në gjykatë për akuzën e korrupsionit. Hajredin Gjoksi dhe Taulant Mançellari sipas njësisë hetimore Task-Forcë, janë vënë në pranga pas një kallëzimi të bërë nga një biznesmen, të cilit dy inspektorët i kanë kërkuar 500 mijë lekë të vjetra në këmbim të heqjes së një gjobe financiare. Ai është administrator i një kompanie në Tiranë. Në këtë subjekt sipas kallëzuesit janë 13 punonjës të ndryshëm të punësuar.
Lushnjë, ndalohen dy vëllezër për grabitje të ikonave të kultit.
Dy persona nga Lushnja janë ndaluar nga policia ditën e sotme pasi akuzohen për grabitje të ikonave të kultit. Në prangat e uniformave blu janë vënë dy vëllezërit nga fshati Golem i Madh, Landi Bici, 30 vjeç, dhe Fatjon Bici, 33 vjeç.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Ndërkaq, materialet i kaluan prokurorisë së rrethit për procedim të mëtejshëm penal.
Naço:Prej 4 muajsh s’fut në rend dite kërkesën time për inspektorin.
Në prag të nisjes së mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri Nasip Naço shprehet i revoltuar pasi sërish kërkesa e tij për të trajtuar rastin e një inspektori të KLD-së i cili ka deklaruar të ketë mbi 200.000 dollarë pasuri.
Naço thekson se shpreson që KLD të ketë sadopak integritet dhe të mos e votojë sot këtë inspektor i cili është kandidat për anëtar i Gjykatës së Apelit.
Serbët hakojnë faqen e RTSH-së “T’i vrasim, t’i therim shqiptarët”
Një nga post-pasojat e incidentit të ndeshjes Serbi-Shqipëri janë edhe sulmet kibernetike mes hakerave. Mbrëmjen e sotme hakerat serbë kanë sulmuar faqen online të televizonit publik shqiptar RTSH-së duke shkruar në të një mesazh në Anglisht ku thuhej Kosova është zemra e Serbisë. Ndërsa në serbisht shkruhej “T’i vrasim, t’i therim shqiptarët të mos ekzistojnë”
Ky është sulmi i dytë që u bëhet faqeve online shqiptare ditën e sotme nga Hakerat serbë. Gjatë paradites së sotme është sulmur faqja zyrtare e Univeristetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” unishk.edu.al.