Arkiv-Lajme të përditësuara
INUK, vazhdon kontrollet në vend 40 gjoba me vlerë 21.3 milionë lek.
Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) ka publikuar, ditën e sotme, të dhënat mbi inspektimet në rezervat ujore-minerare dhe për produktet e ndërtimit, për periudhën 1 Shtator - 20 Tetor të këtij viti. Deri më tani nga ky inspektoriat janë kontrolluar 122 subjekte private, me pasojë gjobitjen e 40 prej tyre, me një vlerë totale prej 21.3 milionë lekësh.
Himarë, pranga ish-drejtorit të Urbanistikës, dha 72 leje antiligjore.
Policia e Vlorës ka arrestuar ish-Drejtorin e Zyrës së Urbanistikës së Bashkisë së Himarës, Nikollaq Capi, 62 vjeç, i akuzuar për shpërdorim detyre, për dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë të jashtëligjshme për 72 kërkesa nga subjekte të ndryshme private.
Peqin, tritol automjetit të një emigranti, dyshohet nga një peqinas.
Një atentat me lëndë eksploziv tritol në makinë ndaj një emigranti shqiptar është shënuar sot në Peqin, por fatmirësisht pa të lënduar. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku tritoli ishte vendosur në automjetin tip Volksvagen Golf me targa AA 474 AD në pronësi të Gazmend Dublait.
Mësohet se makina ka qenë e parkuar para banesës së Dublait, por fatmirësisht nga shpërthimi, edhe pse ka qenë i fuqishëm, nuk ka pasur të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale.
Elbasan, automjeti del nga rruga 2 të vdekur, 2 të plagosur rëndë.
Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve është shënuar sot në Belsh të Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme në aksin Belsh-Kuçovë në vendin e quajtur Shkozë, ku automjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesit.
Për pasojë ka humbur jetën shoferi Jani Selimi 30 vjeç nga Kajani, si dhe Anxhela Buxhani e cila ka ndërruar jetë, gjatë transportimit të saj për në spitalin e Elbasanit. Trupat e tyre janë dërguar në morgun e spitalit.
Ndërron jetë një prej të pandehurve Shtyhet gjyqi ndaj Shpëtim Gjikës.
Gjykata e Tiranës ka shtyrë për në datën 6 nëntor seancën ndaj kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika dhe 4 të pandehurve të tjerë. Avokati i njërit prej të pandehurve ka kërkuar shtyrjen e seancës, pasi klienti i tij Gëzim Feta ndërroi jetë për shkaqe natyrale më datë 18 tetor.
Në seancën e sotme pritej që mbrojtja të jepte pretendimet e saj, si dhe do të jepej vendimi ndaj Gjikës.
Rikthehen pedonalet, çdo ditë pas orës 19 bllokohet "Nënë Tereza"
Kërkesa e bërë nga Shoqëria civile si dhe nga shumë qytetarë të kryeqytetit për të krijuar një zonë pedonale nuk ka rënë në vesh të shurdhët.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro pas mbledhjes së qeverisë ka njoftuar, se sheshi “Nënë Tereza”, çdo ditë nga ora 19:00 deri në orën 24:00 do të kthehet në pedonale, dhe do të ndalohet qarkullimi i mjeteve. Gjithashtu Kumbaro njoftoi se do të ndalohet parkimi i mjeteve nga Ura e Lanës deri te sheshi "Nene Tereza".
Ndahet kësti i radhës, gati 344 mln lekë për ish-të përndjekurit.
Shpërndarja e këstit të radhës për ish-të përndjekur, bëhet sipas ligjit të ri të qeverisë, duke dëmshpërblyer më së pari ata që janë gjallë. Për këstin e radhës në dispozicion të ish-të përndjekurve janë vënë në dispozicion 344 mln lekë. Ministri i Mirëqenies Erion Veliaj tha se me këtë këst përfitojnë 41 persona që janë gjallë, të cilët kanë përfituar edhe nga kësti i mëparshëm.
Nis seanca ndaj Frrokut, dëshmon me video-konferencë dëshmitari X.
Ka nisur në Gjykatën e Krimeve të Rënda seanca ndaj Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Në seancën e sotme dëshmon me video-konferencë dëshmitari i mbrojtur, i cili ndodhet në një tjetër sallë të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së njërit nga avokatët mbrojtës.
Gjyqtari, biletë për të parë ndeshjen e Bajernit në Gjermani.
Problemi i korrupsionit mbetet një nga më të mprehtit në vend. Vetë deputetët e Kuvendit apo edhe vetë kasta e lartë e gjyqtarëve ka theksuar gjithmonë se korrupsioni duhet luftuar por metoda e shpërndarjes së qarkullimit të parave të pista duket se është ndërlikuar. Kjo pasi zyrtarët e lartë shqiptar kanë filluar që të përfitojnë nga shtetit kosovar si për udhëtime ashtu edhe për ngritje biznesesh. Ndonëse ILDKPKI nuk ka nxjerrë emra konkretë për këto persona, sërish akuzat më të mëdha janë hedhur ndaj gjyqësorit.
Gjirokastër, kapen 76 klandestinë mes tyre 9 femra dhe 7 fëmijë.
76 klandestinë janë kapur sot nga policia kufitare e Gjirokastrës. 9 femra dhe 7 fëmijë ishin në mesin e tyre ndërsa sipas policisë të gjithe ishin nga Siria, një vend që është përfshirë në luftimet prej 2 vitesh.
Sipas policisë operacioni ka ndodhur në orët e para të mëngjesit , ndërsa oficerët e policisë kufitare po patrullonin kufurin e gjelvërt me shtetin grek.
Klandestinët janë kapur në vendin e quajtur “Mulliri”, poshtë pikës kufitare të Kakavijës.