Arkiv-Lajme të përditësuara
Prodhuesit e bukës: Bashkia të forcojë kontrollet
Prodhuesit e bukës në Tiranë, i kanë propozuar bashkisë së Tiranës që të shtrijë kontrollet në të gjitha pikat ku tregëtohet buka, për të luftuar informalitetin. Ata deklarojnë ndërkohë se duhet që të ketë një standardizim të peshës së bukës, ndërsa çmimi të vendoset nga vetë tregtarët, kjo duke u përshtatur me tregun ekzistues.
“Fitch” zhvlerëson me dy shkallë Italinë
Agjencia ndërkombëtare e kreditimit, “Fitch” ka zhvlerësuar mbrëmjen e së premtes me dy shkallë Italinë, duke e zbritur nga A+ në A-, duke ndjekur shembullin e “Standard & Poor’s”.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave lëvizja e “Fitch” nuk ka shqetësuar kryeministrin italian Mario Monti.
“”Fitch”? Unë për vete jam i qetë. Agjencia nuk zbulon gjëra të reja dhe nuk kritikon politikat aktuale të qeverisë”, ka deklaruar Monti, që ka në dorë fatin e Italisë.
Reuters: Kaos dhe dhunë në Greqi, pas falimentimit
Agjencia e lajmeve Reuters paralajmëron kaos dhe trazira sociale në Greqi pas një falimentimi të mundshëm.
Agjencia prestigjoze në shkrimin e saj kushtuar Greqisë, flet për një shpërthim të pakontrolluar të dhunës në rast të falimentimit të shtetit.
Autori i shkrimit e krahason situatën në Greqinë e falimentuar, me Argjentinën, ku pati konflikte të rënda, dyqane të plaçkitura, madje edhe jetë të humbuara.
Protestat në Rumani, AI kërkon hetimin e dhunës
Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, u ka bërë thirrje autoriteteve rumune të hetojnë akuzat për dhunën e policisë ndaj protestuesve anti-qeveritarë. Zyrtarë të organizatës thanë se pamjet e një videoje tregojnë policinë teksa rreh dy persona, të cilët nuk silleshin në mënyrë të dhunshme. Organizata në fjalë po ashtu tha se policia ka përdorur lëndë kimike ndaj një njeriu të shtrirë në tokë. Amnesty International u ka kërkuar autoriteteve të kryejnë një hetim "të shpejtë, të pavarur dhe efektiv".
Barroso: Duhet të mbështesim Greqinë
Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso ka deklaruar se anëtarët e zonës euro duhet ta mbështesin Greqinë, në mënyrë që vendi të shmangë falimentimin.
Sipas tij, nëse Greqia falimenton, atëherë kriza ekonomike ku ka hyrë ajo nuk do të jetë vetëm një problem për vendin helen, por për të gjithë Evropën.
“Miqtë tanë grekë po bëjnë pjesën e tyre të punës, ne duhet t’i mbështesim sepse do të ishte e vështirë, jo vetëm për Greqinë por për eurozonën, nëse do të kishte një problem më të rëndë, një falimentim të saj”, ka deklaruar Barroso.
Studimi: 20% e të rinjve me bindje anti-semite. Polemika në Gjermani
Dita e Përkujtimit të Holokaustit është ende e panjohur mes të rinjve në Gjermani. Gjetjet e studimit më të fundit të ndërmarrë nga parlamenti gjerman vlerësohen si shokuese ndërsa anketimet tregojnë se 20 për qind e djemve mes 18 dhe 25- vjeç kanë bindje të fshehta anti-semite.
Të dhënat kanë shkaktuar një valë të gjerë polemikash mes klasës politike e elitave gjermane ndërsa edhe një herë reflektohet se e kaluara shpesh është vështirë të harrohet.
Dhuna ndaj profesorit, protestë te Filologjiku
Profesorë dhe studentë në një protestë paqësore të zhvilluar para Fakultetit të Filologjisë kanë dënuar jo vetëm dhunën e ushtruar ndaj profesor Nonda Varfi, por kanë kërkuar dënimin ligjor të individit që ka ndërmarrë këtë veprim.
Pak dite me pare profesor Varfi u godit rende ne ambientet e Fakultetit te Gjuheve te Huaja nga nje ish-student dhe nje person tjeter, duke i shkaktuar demtime ne krahe.
Spanjë, mbi pesë milion të papunë
Papunësia në Spanjë ka kaluar pragun e pesë milion personave në tremujorin e fundit të vitit 2011, treguan statistikat e Madridit zyrtar.
Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, deri në fund të dhjetorit, në vendin me 46 milion banorë numri i të papunëve ishte në 5,3 milion, nga 4,9 që kishte qenë në semestrin e mëparshëm, korrik-shtator.
Një rritje e tillë drastike do të thotë se papunësia totale ka shkuar në 22,8% të forcës aktive, norma më e lartë kjo në pothuajse dy dekada.
Skandal korruptiv në Vatikan, Selia e Shenjtë sulmon tv "La7"
Vatikani sulmon gazetarët e stacionit televiziv "La7" për mënyrat investiguese ndërsa publikohet skandali korruptiv në Vatikan. "Detyra e Nuncit Apostolik në Shtetet e Bashkuara dhënë hirësisë së tij Viganò një nga më të rëndësishme të diplomacisë Vatikanit" është "prova e padiskutueshme e vlerësimit të Papës për të".
INSTAT: Vetëm 26.4% e ndërmarrjeve menaxhohen nga femrat
26.4% e ndërmarrjeve menaxhohen nga femrat. Shifra konfirmohet nga Instituti i Statistikave, i cili bëri publik sot prezantimin e të dhënave të regjistrimit për ndërmarrjet jo bujqësore.
Në konferencën për mediat, drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja duke iu referuar të dhënave të mbledhura, theksoi se 50% e ndërmarrjeve aktive të regjistruara janë krijuar në vitet 2005-2009 dhe gjysma e tyre janë të përqendruara në Tiranë- Durrës.