Arkiv-Lajme të përditësuara
Gjermani, presidenti jep dorëheqjen
Presidenti gjerman Christian Wulff ka dhënë dorëheqjen pasi prokurorët kërkuan heqjen e imunitetit të tij. Edhe pse pafajesia vlen deri ne momentin kur jepen provat e fajesise, Wulff i akuzuar per korrupsion nuk mund të qendronte më në postin më të lartë, duhet të shmangeshin dëmet e mëtejshme ndaj institucionit të presidentit federal.
Greqi, grabiten me armë 65 antika në muzeun e vjetër të Olimpias
Grabitje me armë ka ndodhur sot në mëngjes herët në muzeun e vjetër të Olimpias nga dy persona, të cilët morren prej andej rreth 65 objekte me vlere.
Grabitësit vunë në shënjestër sot në mëngjes një nga muzeumet më të mëdha dhe më të pasura në vend, Muzeun e Olimpias Antike.
Vjedhja u vu re nga rojet në orët e para të mëngjesit dhe pas kontrollit të parë u konstatuan më shumë se 60 antika të zhdukura.
Sipas raporteve, të dy grabitësit e maskuar kanë bllokuar rojen e natës dhe kanë marre antikat me vlerë, bizhuteri ari, monedha të vjetra e objekte të tjera.
Skema e re për spitalet, do të paguhet për ditë qëndrimi
Propozimi i ri, i bërë nga drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Elvana Hana, parashikon që pagesa nëpër spitale të bëhet për ditë qëndrimi apo për shërbim. Sipas Hanës çdo diagnozë duhet të ketë një çmim të caktuar.
Libi, një vit nga revolucioni
Libia feston të premten përvjetorin e parë të revolucionit, që solli fundin e regjimit 40-vjeçar të kolonelit Muammar Gaddafi.
Festimet pritet të mbahen në të gjithë qytetet kryesore të vendit, përfshi edhe vatrën e rezistencës, në Bengazi, ku turmat e entuziasmuara janë mbledhur prej disa ditësh.
Megjithatë, përvjetori vjen ndërsa frika për paqëndrueshmëri politike në vend është gjithmonë e në rritje.
Liqeni i Fierzës i ngrirë prej ditësh
Liqeni i hidrocentralit të Fierzës vijon të jetë i ngrirë. Kamera e "Albanian Screen" ka arritur që të marrë pamje të tij, përmes tokës dhe ajrit, të cilat tregojnë për një ngrirje totale të ujërave. Gjithë gjatësia e tij, prej afërsisht 70 kilometër dhe me një sipërfaqe maksimale prej 7 mijë hektarësh, tashmë është kthyer në akull.
Ngricat pasoja për bujqësinë, Ferizaj: Fermerët të përgatiten
Ngricat dhe temperaturat e ulta mund të dëmtojnë prodhimin bujqësore nëse do të vijojnë dhe gjatë javëve të ardhshme. Duke pasur parasysh eksperiencat e mëparshme dhe dëmet e shkaktuara në situata të ngjashme, ekspertë të bujqësisë thonë se muaji mars duhet të vijë me kohë të mirë. Për Albanian Screen, kreu i Këshillit të Agrobiznesit thotë që fermerët si në sera ashtu dhe ata që kanë dru frutorë duhet të marrin masa.
Dëbora bllokon edhe tregtinë
Moti i keq që ka bllokuar rrugët ka goditur edhe flukset e tregtisë duke penguar qarkullimin e mallrave. Tregtarët thonë se kanë vështirësi në furnizime, si nga importi ashtu dhe brenda vendit.
"Ka prodhim nuk mund ta marrin dot. Janë bllokuar rrugët për në Korçë", thotë një tregtar.
"Nuk vjen ai tonazh që vinte më parë. Ka ndikuar moti edhe në dogana, sidomos për Italinë e për Greqinë. Edhe në gjysmën e Italisë ka vështirësi", thotë nje tjetër tregtar.
Dhuna në familje, 2181 raste për 2011
Ndryshimet e fundit në Kodin Penal që pritet të miratohen nga Parlamenti, lidhur me dhunën në familje e trajtojnë këtë fenomen jo më si një çështje private, por si një vepër penale. Për sa i përket statistikave për vitin 2011 strukturat e Policisë së Shtetit kanë evidentuar dhe trajtuar 2181 raste të dhunës në familje. Gjithashtu, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës , Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta janë përgatitur rreth 1345 kërkesë padi "Për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes".
Gjirokastër, moti i keq, disa fshatra pa energji
Mbi 5000 banorë të komunës Cepo në Gjirokastër ankohen për kufizime të vazhdueshme të energjisë elektrike ndërsa për dy fshatra Zhulat dhe Fushë-Bardhë situata pa energji po vazhdon prej një jave.
Rrjeti shpërndarës është dëmtuar prej rreshjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në shumë komuna të qarkut, por sipas përfaqësuesit të kësaj komune banorët në këto zona po bashkëjetojnë me një sistem rrugësh dhe urash të shkatërruara.
Fushata në Francë, Sarkozi sulmohet nga të gjithë
Në Francë starton fushata presidenciale. Nicolas Sarkozy ka paraqitur sikundër pritej kandidaturën, nën kritikat e ashpra të kundërshtarëve të majtë, por dhe të kampit të tij të djathtë. Sarkozy, i cili krahasoi ofertën e tij për t'u rizgjedhur me një kapiten i cili nuk e braktis anijen e tij në telashe, u kritikua nga kundërshtarët qe thanë se anija e tij gjendej në vështirësi për shkak të arritjeve të pakta dhe premtimeve të pambajtura elektorale.