Liqeni i Fierzës i ngrirë prej ditësh

Liqeni i hidrocentralit të Fierzës vijon të jetë i ngrirë. Kamera e "Albanian Screen" ka arritur që të marrë pamje të tij, përmes tokës dhe ajrit, të cilat tregojnë për një ngrirje totale të ujërave. Gjithë gjatësia e tij, prej afërsisht 70 kilometër dhe me një sipërfaqe maksimale prej 7 mijë hektarësh, tashmë është kthyer në akull.
Ngrirja e këtij liqeni ka ndodhur për shkak të kushteve meterologjjike mjaft të rënduara në të gjithë rajonin ku temperaturat vijojnë të jenë nën zero. Ky liqen ka ngirë edhe dy herë të tjera gjatë historisë së tij të krijimit, ku rasti i fundit ka qënë në vitin 1985. Ky liqen është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978 në funksion të hidrocentralit të Fierzës. Ai është një liqen oligotrof ku 5 mijë hektarë merren në konsideratë për qëllimin e rritjes dhe kultivimit të peshkut. Ky liqen ka lartësi 167 metra, sipërfaqe të pasqyrës së ujërave prej 72,5 km², thellësinë më të madhe prej 128 metra dhe një vëllim prej 2,7 miliardë metër kub ujë.
Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujëmbledhës është 11.829 km². Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i Liqenit të Fierzës, arrin rreth 3,2 miliardë metër kub ujë, ndërkohë që kapaciteti minimal, i cili mund të shkaktojë edhe situatat më kritike të prodhimit të energjisë elektrike, është rreth 1,2 miliardë metër kub ujë. Liqeni shërben edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rrethit të Kukësit, Hasit,Tropojës e Pukës.
Albanian Screen
Add new comment