Arkiv-Lajme
Rikthehet revista MAPO, tani si e përmuajshme
Rikthehet revista MAPO, një e përjavëshme që tani vjen si e përmuajshme, e konceptuar sipas redaksisë së re si “revistë leximi”. Në numrin e parë kopertinën e zë Arian Çani i Zonës së lirë, i etiketuar me titullin e madh “Djalli që na ndjek të premten”. Ndër risitë e revistës mund të përmenden organizimi në columns në vend të komentariatit tradicional dhe kjo risi vjen e mbështetur në emra të njohur të medias si Mark Marku, Sokol Balla, Henri Çili, por edhe nga akademikë si Ardian Ndreca e Ardian Civici.
Socialistët fillojnë të sendërtojnë një nismë “të çuditshme”
Socialistët e kishin lajmëruar më parë përzgjedhjen e kandidatit për postin e Avokatit të Popullit nëpërmjet ca procedurave të tipit anglosakson, dhe duket se arrestimet e disa punonjësve të administratës publike e kanë valorizuar këtë gjest të paprecedent. Edi Rama nuk e lë t’i shpëtojë ky rast, dhe në shkrimin e tij të publikuar online kërkon të ballafaqojë administratën që është në dorë të bandave partiake me administratën që ai synon të ndërtojë në frymën e gjestit të paralajmëruar.
Rama bën prapakthehu: nuk ka bashkëpunim me Metën
Edi Rama tha gjatë intervistës në Top Story se “Ilir Meta e meriton një mundësi të dytë”. Të gjithë e kanë interpretuar këtë frazë si një gatishmëri për një bashkëpunim me të përpara zgjedhjeve të ardhshme. E të gjitha gjasat janë që ai të ketë menduar të njëjtën gjë. Por sot ka bërë një korrektim të atij mesazhi. Në takimin me të zgjedhurit e rinj të Asamblesë, me të cilët ka diskutuar për zgjedhjet e ardhshme, citohet të ketë thënë, se “e konsideron naive, për të mos thënë qesharake, që nga disa brenda PS të thuhet të bashkohemi edhe me Metën për të mundur Saliun!”
Qarku i Fierit nën mëshirën e logjikës parashtetërore
Ajo që po ndodh në Fier është e një logjike parashtetërore. Palët janë duke u kacafytur duke pretenduar të njëjtin post, atë të kryetarit të Këshillit të Qarkut. Socialistët kanë kryetarin e tyre, Vangjel Ndrekën, mirëpo pala tjetër është mbledhur dhe ka zgjedhur Artur Shehun si kryetar. I pari, Vangjel Ndreka, e ka parashikuar këtë fund të fabulës në një letër që pak kohë më parë ua ka dërguar ambasadorëve. Vini re deri ku ka arritur mosbesimi: letrën nuk ua ka dërguar autoriteteve të shtetit shqiptar, por ambasadorëve.
Administrata e pushtuar nga bandat partiake
Bisedat e zbardhura të tetë të arrestuarve “ta heqin trurin”. Duket qartë se në ç’nivele banditeske ka rënë administrata publike. Ja disa episode.
Hapja ndaj LSI-së trazon shumë shpirtra në PS e në opozitë
Në PS nuk janë të gjithë dakord me idenë e bashkëpunimit me LSI-në. Deri tani është shprehur vetëm Erjon Braçe, por gjasat janë që të jenë të shumtë ata që e mendojnë si ai, e në këtë kuptim nuk ka për të qenë e lehtë për ta sendërtuar një ide të tillë. Kuptohet, ka dhe të tjerë që e miratojnë këtë hapje të Ramës, por askush deri tani nuk ka bërë një matje forcash brenda PS-së përballë një argumenti të tillë.
Ilir Meta – një emër i shumëlakuar kohët e fundit
Që kur Edi Rama deklaroi pas largimit nga Bashkia e Tiranës se nuk donte të digjte Shqipërinë meqë Berisha vodhi votat dhe se ai duhet të hiqet nga pushteti me vota, ka patur shumë debate rreth mënyrës sesi mund të realizohet kjo e fundit. Një nga opsionet që është diskutuar nga opinionistë e politikanë ka qenë rikthimi i LSI-së në koalicionin e majtë.
Minimumi jetik 150 dollarë?
Në një lajm të Zërit të Amerikës lidhur me rritjen frontale e lineare të çmimeve të mallrave të shportës e të mallrave të tjera të konsumit (këto të dhëna mbi rritjen e çmimeve nuk dalin nga goja e ndonjë opozitari të eksituar, por nga zyrat e Institutit të Statistikave), thuhet mes të tjerash se “nga matje të pavarura vlerësohet jozyrtarisht se minimumi jetik në Shqipëri është rreth 100 euro, ose 150 dollarë amerikanë”. Hahet një shifër e tillë?
Rusia e gatshme të pranojë serbët e Kosovës
Kërkesa e një grupi shoqatash të serbëve të Kosovës drejtuar ambasadës ruse në Beograd ku kërkohet nënshtetësi dhe mbrojtje nga Moska pasi Beogradi nuk i mbron dot, ka zgjuar menjëherë reagime. Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiç është shprehur në një konferencë shtypi në kryeqytetin e Kazakistanit se “kërkesa është thirrje për mbrojtje; nuk është thirrje për emigrim, por për ndihmë”.
Berisha në TV, Rama në twitter
Kryeministri Berisha në Porto Romano tha: “U them anti-globalistëve se nuk keni të ardhme. Se aleanca juaj e fundit e plehut është e dëshpëruar dhe e pashpresë. Mos kërkoni vota në plehra, se nuk do t`i gjeni”.
Dhe po aty u hodh në një argument tjetër: “Qeveria do të bëjë gjithçka për mjedisin miqësor ndaj jush. Ata të cilët duan të vërsulen me taksa siç thonë, iu kujtoj që kjo është një kohë që shqiptarët nuk do ta pranojnë më”.