Arkiv-Lajme të përditësuara
Greqi, protestojnë policët. Zemërim kundër masave
Pas grevës së përgjithshme që mobilizoi 70 mijë persona në Athinë duke paralizuar krejt kryeqytetin, protestat janë mbajtur gjallë nga shoqatat e paraplegjikëve, nga trupat e policisë e oficerët. Zemërimi i qytetarëve vjen kryesisht nga shkurtimet 12 miliardë euro që pritet të zbatohen në dy vitet e ardhshme dhe që do të prekin rrogat, pensionet dhe përfitimet sociale.
Greqi, marrëveshje e liderëve politikë për paketën e masave
Partnerët në qeverinë greke arritën marrëveshjen për paketën e masave të vështira, prej 11,9 miliardë euro.
Pas një takimi 3 orësh mes kryeministrit Samaras, kreut të PASOK dhe atij të DIMAR, është arritur marrëveshja mbi çështjet kryesore të paketës së re të masave. Kjo u konfirmua nga deklaratat e ministrit të Financave Janis Stournaras, i cili theksoi se "marrëveshja e sotme është një bazë që ne të vazhdojmë negociatat me Trojkën dhe partnerët".
Siri, 700 mijë refugjatë deri në fund të 2012-s
Agjensia për Refugjatët brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR) paralajmëroi se deri 700 mijë sirianë mund të kenë braktisur vendin përpara fundit të vitit, një rritje drastike nga parashikimet e mëparshme.
Rreth 300 mijë shtetas janë larguar nga vendi i përfshirë në luftën civile, por eksodi i refugjatëve në vendet fqinje ka pësuar një rritje të madhe në javët e fundit.
Si rrjedhojë, UNHCR bëri një apel duke kërkuar 490 milionë dollarë shtesë për të përballuar krizën.
Komuna e Kumanovës heq gjuhën shqipe nga faqja zyrtare
Komuna e Kumanovës nuk përdor gjuhën shqipe në faqen zyrtare të internetit. Autoritetet e kësaj komune kanë hequr përdorimin e gjuhës shqipe nga faqja zyrtare, ku qytetarët shqiptarë kanë probleme lidhur me informacionet që duhet siguruar.
Portali zyrtar i komunës vijon të mbetet në gjuhën maqedonase, ndërsa nga komuna vazhdimisht kanë arsyetuar se problemi është teknik dhe pritet të bëhet versioni edhe në shqip.
Sot buxheti, qeveria në Spanjë 39 miliard euro kursim
Qeveria spanjolle miraton sot buxhetin për vitin 2013, ku përfshihen 39 miliardë euro shkurtime në shpenzime dhe ku parashikohen dhe rritje taksash. E ndërsa masa e reduktimeve buxhetore është shpallur që më herët, sot qeveria e Mariano Rahoit shpall hartën e këtyre shkurtimeve, detajet rreth reduktimeve në buxhet.
"Masakra" kulturore, shembet tjetër monument në Korçë
Është rrëzuar brenda dy javësh ndërtesa e katërt, që mban statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë,në pazarin e vjetër të Korçës. Rrëzimi i përsëritur i shtëpive që mbajnë statusin e vecantë ka ngjallur dyshime se këto shembje janë të qëllimshme, për të hapur sheshe të reja ndërtimi në zemër të qytetit, pavarësisht kostos dhe dëmit të parikuperueshëm historik. Po ashtu një tjetër shkak i shembjes mund të jetë edhe vjedhja për skrap e konstruksioneve metalike të shtëpive të vjetra.
Revista spanjolle, karikatura të Muhamedit
“A e di ndokush si është Muhamedi?” Dhe në foto vijnë në radhë disa karikatura të personave që pretendohet se mund të jenë Profeti i Islamit. Kjo është faqja e parë e të përjavshmes satirike spanjolle “El Jueves”.
Në të riprodhohet një figurë me disa modele të mundshme të themeluesit të Islamit, të publikuara për të shprehur solidaritetin me të përjavshmen franceze “Charlie Hebdo”.
Kjo e fundit publikoi një javë më parë në kopertinë një karikaturë satirike të Profetit, teksa ka shkaktuar reagime.
Reuters: BE-FMN, konflikt për zgjidhjen e krizës greke
Janë rritur mjaft tensionet ndërmjet BE-së dhe FMN-së lidhur me zgjidhjen e krizës në Greqi, shkruan Reuters që iu referohet deklaratave të zyrtarëve të qeverisë greke.
Sipas këtyre të fundit, zyrtarët e Fondit dëshirojnë prerje në bonot greke të sektorit zyrtar (OSI). Nga ana tjetër, zyrtarët evropianë preferojnë t’i japin Greqisë më shumë kohë për të arritur objektivat, sesa të hapin dritën jeshile për prerjen e bonove.
Fluks ankesash për duhanin në bare, kontrolle edhe natën
Task - forca që po merret me inspektimet e zbatimit të ligjit kundër produkteve të duhanit raporton të dhënat e fundit. Kreu i saj Roland Shuperka thotë se afro 72 përqind e bareve dhe restoranteve të kontrolluar dy ditët e fundit po respektojnë ligjin. Megjithatë nuk kanë munguar as gjobat, afro 80 janë vendosur nga inspektorët sanitarë dhe ata të task - forcës dhe 7 përqind e tyre janë paguar menjëherë. Shuperka thotë se shumë shpejt do të përshkallëzohen masat duke u rritur vlera e gjobës në rastet kur i njëjti subjekt pas gjobës së parë vazhdon dhe shkel ligjin.
Fullani: Rënia e konsumit, rrezik për ekonominë, duhen stimuj të rinj
Përkeqësohen parashikimet e Bankës së Shqipërisë për ekonominë. Rënia e konsumit dhe investimeve private që vijon tashmë prej një kohë të gjatë dhe që e ka burimin te pasiguria që ndjejnë qytetarët dhe bizneset, rrezikon të shkaktojë implikime të tjera në ekonomi, duke lënë pasoja në një periudhë afatgjatë.