Arkiv-Lajme të përditësuara
Shkup, përkujtohet 102 vjetori i lindjes së Nënë Terezës
Në Maqedoni sot janë organizuar aktivitete me rastin e shënimit të 102-vjetorit të lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza.
Në amfiteatrin e shtëpisë përkujtimore “Nëna Terezë” në mbrëmje do të shfaqet premiera e filmit “Duke jetuar me Nënë Terezën” nga regjisori japonez dhe presidenti i Akademisë Japoneze të Filmit, Shigeki Çiba. Filmi ishte xhiruar në vitin 2010 dhe ishte shfaqur nëpër qendrat botërore me rastin e 100 vjetorit të humanistes shqiptare, ndërsa sonte për herë të parë shfaqet si premierë në Shkup.
Thahet Ballkani, miliarda euro humbje në bujqësi
Thatësira ka përfshirë rajonin e Ballkanit e disa vende e gjejnë veten në telashe të mëdha financiare për shkak të shkatërrimit të prodhimit bujqësor. Me motin më të thatë të 60 viteve të fundit, Serbia llogarit 2 miliardë euro humbje, më të mëdhatë në Vojvodinë e ashtuquajtura Hambar i Serbisë. Autoritetet e Shoqatës së Agrikulturës në këtë vend, thonë se thatësira ka nisur prej qershorit, dhe ka dëmtuar shumë bujqësinë ku janë të angazhuar më shumë se 50 për qind e popullsisë së vendit.
Abuzimet me ilaçet, "mjekët rryshfete nga farmacistët"
Lidhja mes farmacive me mjekëve që detyrojnë pacientët të blejnë barna në farmacitë që u intresojnë atyre, vijon të mbetet problem. Ndërmjet këtyre marrëveshjeve të fshehta, mjekët përfitojnë rryshfet nga farmacistët duke dëmtuar në mënyrë të pandershme konkurrencën në tregun farmaceutik. Konstatimet vijnë nga Urdhëri i Farmacistit, që i ka dërguar një material të detajuar dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke i kërkuar marrjen e masave.
Siri, gushti muaji më i përgjakshëm
Ndërsa mbetet edhe një javë deri në fund të muajit, gushti është që tani muaji më i përgjakshëm në konfliktin 17-mujor në Siri.
Sipas të dhënave të publikuara prej forcave të opozitës, më shumë se 3 700 persona, shumica civilë, kanë mbetur viktima të konfliktit.
Ndërkohë, në vend luftimet po intensifikohen, me forcat e ushtrisë së rregullt që kanë lëshuar një sulm të gjerë frontal, të ndihmuar nga bombardimet e artilerisë dhe të avionëve ushtarakë.
Egjipt, përleshje në Kajro
Kundërshtarët e presidentit egjiptian Muhamed Morsi janë përleshur me përkrahësit e tij në Kajro, në atë që është thënë të jetë incidenti i parë i tillë, që kur presidenti islamik mori pushtetin dy muaj më parë.
Në sheshin Tahrir të Kajros, grupe rivale të rinjsh hodhën gurë dhe shishe boshe ndaj njëri-tjetrit, ndërkohë që demonstrata të vogla janë raportuar në zona të tjera të kryeqytetit.Kundërshtarët akuzojnë Morsin dhe Vëllazërinë e tij Myslimane se po kërkojnë të monopolizojnë pushtetin.
Samsung humbet gjyqin ndaj Apple
Samsung duhet t'i paguajë 1 miliardë dollarë dëmshpërblim Apple-it. Vendimi është marrë nga një gjykatë amerikane, e cila ka qenë e ngarkuar me procesin gjyqësor mes dy gjigandëve të teknologjisë botërore. Apple akuzonte Samsung se kishte kopjuar dizajnin e iPhone dhe iPad dhe kërkonte 2.5 miliardë dollarë dëmshpërblim. Samsung, nga ana e tij, akuzonte Apple për "kopje" dhe kërkonte 442 milionë dollarë dëmshpërblim. Samsung pritet të apelojë vendimin e marrë. Dy kompanitë janë prodhues të më shumë se gjysmës së tableta-ve dhe smartphone-ve në mbarë botën.
Drama e refugjatëve në Siri, kanë lënë vendin mbi 200 mijë vetë
Më shumë se 200 mijë persona kanë mbërritur në vendet fqinje gjatë konfliktit 17 mujor në Siri, njoftoi agjencia për Refugjatët e kombeve të Bashkuara. Kjo shifër tejkalon parashikimin prej 185 mijë refugjatëve që OKB kishte dhënë deri në fund të vitit si dhe reflekton intensifikimin e valës së largimeve gjatë javës së fundit. Mbi 30 mijë persona vetëm ditët e fundit kanë mbërritur në kampet e pritjes në Turqi, Liban, Irak dhe Jordani.
Dhuna raciste dhe policore, emigrantët protestë në Athinë
Mijëra emigrantë zhvilluan dje në Athinë një marshim proteste, me qëllim “për të denoncuar rastet e dhunës raciste dhe policore” ndaj të huajve në Greqi.
Rreth 3000 protestues, kryesisht pakistanezë, pas përfundimit të marshimit që nisi në sheshin Omonia, u tubuan para Parlamentit grek.
Më parë, ishin shënuar tensione të kufizuara, kur një pjesë e protestuesve sulmoi dhe goditi katër persona, pa u sqaruar nga policia shkaqet e sulmit dhe viktimat.
Trakte kundër kryeministrit në Prishtinë, “Urdhër arrest” për Thaçin
Dikush e kishte shfrytëzuar natën për të lëshuar fletë me “urdhër arresti” të rreme nëpër Prishtinë në adresë të kryeministrit Hashim Thaçi, zv/kryeministres Mimoza Kusari-Lila dhe ministrave Besim Beqaj dhe Bedri Hamza.
Prishtina u zgjua sot e mbushur me “urdhër arreste”, që të kujtojnë traktet në kohën e luftës antifashiste në Shqipëri.
Deri tani askush nuk e ka marr përsipër ketë aksion.
Pasuritë e Mitt Romney, ja ku shtrihen 250 mln $ e kandidatit
Kandidati republikan, Mitt Romney e ka të shtrirë pasurinë e tij në një seri kompanish aksionere në parajsa të tilla fiskale si ishujt Kajman apo Luksemburg. Investimet jashtë vendit të rivalit të Obamës për Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, janë bërë objekt i mbikqyrjes nga publiku dhe shtypi në Shtetet e Bashkuara, pasi u publikuan edhe auditet e brendshme dhe letrat private që lidhen me pasurinë e tij 250 milionë dollarëshe.