Arkiv-Lajme të përditësuara

Skandal në Greqi, përgjohen telefonat e 50 000 personave

Postuar në 28 Gusht, 2012 04:54

Policia dhe Shërbimi informativ Kombëtar e kanë kthyer Greqinë në një Big Brother të madh me anë të përgjimit telefonik. 

Provat tregojnë se rreth 50 000 telefona fiksë dhe të lëvizshëm kanë qenë nën përgjim, ndërkohë që 7 kompani të komunikimit telefonik kanë raportuar probleme sigurie në rrjetin e tyre. 

Të dhënat që vijnë nga Autoriteti i Privatësisë së Komunikimeve ADAE, dhe që publikohen nga gazeta “To Vima”, janë tronditëse. 

Parku arkeologjik i Finiqit, i harruar

Postuar në 28 Gusht, 2012 04:50

Parku Arkeologjik i Finiqit i vendosur rreth 8 kilometra larg Sarandës gjendet jashtë vëmëndjes së specialistëve dhe investimeve prej vitesh. 

Në park shfaqen shumë rrallë vetëm ekipet e gërmimit, ndërsa territori është i parrethuar, i pambrojtur dhe i mbuluar nga bimësia dhe shkurret. Foinike ose Finiqi i sotëm ishte kryeqëndra e Kaonisë së dikurshme, dhe në vitin 234 para krishtit u bë  kryeqendra e Epirit. 

Gjermani, shenja pesimiste për ekonominë

Postuar në 27 Gusht, 2012 09:10

Besimi i biznesit gjerman pësoi rënie për të katërtin muaj radhazi, duke prekur nivelin më të ulët në dy vite e gjysmë, raportoi të hënën sondazhi i një qendre të specializuar. 

Indeksi i besimit ra në 102.3 pikë në muajin gusht, një pikë më pak se sa në korrik.

Këto të dhëna tregojnë se shtatë mijë firmat dhe kompanitë më të mëdha gjermane janë nervoze për situatën aktuale financiare dhe kanë dyshime mbi aftësinë e Berlinit për të shmangur në vend rrjedhojat negative të paqendrueshmërisë brenda Eurozonës.

Obama apo Romney? AP: Shtatë shtetet vendimtare

Postuar në 27 Gusht, 2012 09:08

Në prag të konventave kombëtare të partive respektive, Barack Obama dhe Mitt Romney gjenden të mbërthyer në një garë të ngushtë, me vetëm 70 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Do të duhen 270 vota të kolegjeve elektorale  për të fituar Shtëpinë e Bardhë, e secili prej rivalëve, e sheh veten pikërisht aty ku e nisi në fillim të verës, të fokusuar në shtatë shtete që pritet të vendosin gjithçka.

Gjermani, dënohen deklaratat anti-greke

Postuar në 27 Gusht, 2012 09:07

Qeveria gjermane e qendrës së djathtë kritikoi një politikan konservator për deklaratat e tij anti-greke. 

Në një intervistë televizive, lideri i Unionit Kristian-Socialist në opozitë, Alexander Dobrindt, sugjeroi se Greqia duhet të lejohet të falimentojë dhe të përjashtohet si rrjedhojë nga Eurozona. Dobrint akuzoi gjithashtu guvernatorin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, si falsifikator.

Në një reagim, të hënën, ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle, theksoi se “denigrimi i Greqisë” duhet të pushojë.

Shtetësia greke për të huajt, pr.ligji në shtator në Parlament

Postuar në 27 Gusht, 2012 05:02

Në shtator parlamenti grek do të fillojë rishikimin e kuadrit ligjor të nënshtetësisë, duke ndryshuar procedurat për marrjen e nënshtetësisë greke, nga të huajt që jetojnë në vend. Ndryshimi  i ligjit të PASOK, është deklaruar si një prioritet për qeverinë greke të Samaras, që kur partia e tij erdhi në pushtet. 

Për emigrantët që jetojnë e punojnë në Greqi, ligji i ri shton vitet e banimit të ligjshëm në vend. Pra që një emigrant të ketë të drejtë të aplikojë për nënshtetësinë greke, duhet të ketë 10 vjet banim të ligjshëm në Greqi nga 7 vjet që është aktualisht. 

Romney: Obama po përçan Amerikën

Postuar në 27 Gusht, 2012 04:41

Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara Mitt Romney ka akuzuar rivalin e tij, presidentin Barack Obama se po zhvillon një fushatë zgjedhore mbi bazën e "zemërimit dhe përçarjes". Romney tha se fushata e demokratëve ka prekur një fund të ri duke u munduar ta lidhin atë me pikëpamje  të diskutueshme mbi përdhunimin, pikëpamje këto të mbajtura së fundi nga një tjetër republican. Kampi i Obamës ka akuzuar Mitt Romney për qëndrime ekstreme sa i përket çështjeve sociale. 

Stuhia ‘Isak’, 4 shtete në SHBA shpallin gjendjen e jashtëzakonshme

Postuar në 27 Gusht, 2012 04:39

Katër shtete të Gjirit të Meksikës në Shtetet e Bashkuara kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme serisa stuhia tropikale “Isak” po vjen drejt tokës. 

Guvernatorët e Luizianës, Misisipit dhe Alabamës kanë lëshuar deklaratat e tyre të dielën, derisa Florida, e cila shpalli gjendjen e jashtëzakonshme një ditë më parë, u përmbyt nga shirat dhe erërat e forta të shkaktuara nga stuhia. 

“Isak” i është afruar Florida Keys. Stuhia pritet të forcojë në kategorinë dhe të godasë tokën e Floridës dhe Luizianës të martën ose të mërkurën. 

"Thahet" Liqeni i Fierzës, rrezik shterimi i rezervave

Postuar në 27 Gusht, 2012 04:36

Thatësira e tejzgjatur dhe temperaturat e larta kanë ndikuar dukshëm në reduktimin e prurjeve në lumenjtë e vendit e sidomos në kaskadën e Drinit. 

Burime të hidrocentralit të Fierzës tregojnë se liqeni ndodhet në kuotën 278 m mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet shënojnë nivel tepër të ulët edhe për stinën, me më pak se 50 m3 ujë në sekondë. Këto të dhëna tregojnë se situata hidrike në kaskadën e Drinit nuk është shumë pozitive, duke pasur parasysh se prurjet mesatare të Drinit janë nga 250 deri në 300 m3 për sekondë. 

20-vjetori i Rostokut, marshim kundër racizmit

Postuar në 26 Gusht, 2012 06:25

 Gjermanët përkujtuan 20-vjetorin e demonstratave raciste, më të dhunshmet në vend të kohës së pas Luftës, në Rostok. Me qindra qytetarë janë mbledhur për të dënuar në mënyrë simbolike gjestin e asaj kohe, kur ekstremistët e krahut të djathtë u vunë flakën një strehe azilkërkuesish, të brohoritur nga turma simpatizantësh. 

Ndërtesa ku strehoheshin 150 azilantë, shumica vietnamezë u dogj, por banorët e saj arritën të largoheshin në momentin e fundit, në një incident që tërhoqi vëmendjen dhe kritikat e mbarë botës dhe shokoi kombin gjerman edhe pa të, të traumatizuar nga paslufta. 

Pages

Subscribe to RSS - Arkiv-Lajme të përditësuara