politike
Një parti me porosi
Lulzim Basha mblodhi sot Kuvendin Kombëtar të fraksionit që drejton. Takimi i mbajtur në stadiumin « Asllan Rusi » shënoi sipas Bashës nisjen e ndërtimit të Partisë Demokratike moderne.
« Nisim sot të ndërtojmë Partinë Demokratike moderne, partinë e qytetarëve dhe anëtarëve dhe jo partinë e kryetarit. Sepse kryetarët ikin e vijnë, por demokratët dhe Partia Demokratike do të jetë aty për të luftuar vetëm për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve! », shkroi Basha.
Schallenberg: BE-së i duhet një qasje e re për zgjerimin
Ministri i Jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, thotë se BE-së i duhet një qasje e re për zgjerimin. Në një intervistë për Politico.eu, ai thotë se se ka një nevojë gjeopolitike për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, Ukrainë dhe Moldavi.
Braverman: Britania duhet të shkëputet nga Gjykata e Strasburgut
Pas shkëputjes nga BE-ja, në Britani hidhet ideja për t’u shkëputur edhe nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut. Ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman, e përsëriti këtë ide, duke e cilësuar “të politizuar” gjykatën europiane.
Deklarata që shënon rikthimin në debatin politik pas pushimeve verore, pason një periudhë të trazuar për Home Office, që lidhet pikërisht me qasjen ndaj azilkërkuesve.
“Ambasadorin rus e kam mik, por nuk raportoj tek ai"
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i shpjegon me një marrëdhënie miqësore takimet me ambasadorin rus, Alexander Botsan-Kharchenko. Në një konferencë për shtyp, Vuçiç hodhi poshtë akuzat se takimet shërbejnë për t’i raportuar diplomatit rus.
Europa nuk ka urgjencë për zgjerimin
Për Komisionin Evropian (KE), zgjerimi si proces nuk ka ndonjë urgjencë. Zëdhënësja e KE, Dana Spinat, thotë se KE është më shumë i angazhuar në asistencën ndaj vendeve aspirantë, sesa në afatet konkrete të pranimit.
Deklarata e Spinat vjen pas propozimit të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, që viti 2030 të caktohet si afati kur vendet që janë aktualisht kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.
Korrupsioni, Rama: Nuk mund të parashikojmë kush i reziston tundimit e kush jo
Kreu i qeverisë e cilësoi sot koncesionin e sterilizimit një nga punët më të bukura të qeverisë së tij. Rama tha se përgjegjësia për shkeljen e kontratës është individuale dhe ata që kanë abuzuar do të paguajnë. Në lidhje me hetimin që ka vënë nën akuzë tetë persona deri tani, Rama tha se korrupsionin nuk mund ta parashikosh.
Mitrovica e Veriut anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës
Mitrovica e Veriut është anëtarësuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK). Vendimi është marrë sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të AKK-së.
Kërkesa për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës është bërë nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe është miratuar me shumicë votash.
Nga 38 komuna që ka në total Kosova, 34 prej tyre janë anëtare në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Asociacioni i Komunave të Kosovës është themeluar me 30 qershor 2001, pas zgjedhjeve të para lokale pas luftës.
Ish-kancelari austriak, nën akuzë për dëshmi të rreme
Ish-kancelari austriak, Sebastian Kurz, akuzohet për dëshmi të rreme. Fjala është për hetimin e nisur ndaj tij pak vite më parë, lidhur me të ashtuquajturin skandali i Ibizës.
Ngritjen e akuzës ndaj ish-kancekarit austriak e konfirmoi Zyra e Prokurorisë Ekonomike dhe Korrupsionit të Austrisë. Kallëzime penale janë bërë edhe ndaj ish-shefit të kabinetit të Kurz, Bernhard Bonelli, raportojnë mediat austriake.
Gjykimi ndaj Kurz nis më 8 tetor.
SHBA kërkon hetim të shpejtë për ndërhyrjen në sistemin TIMS
SHBA është e shqetësuar për ndërhyrjen në sistemin TIMS. Pak ditë pasi opozita akuzoi kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, si autorë të grabitjes së fondit të të dhënave të sistemit TIMS, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës në Tiranë, H. Martin McDowell, është takuar me ministrin Balla.
Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, gjatë diskutimeve për çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, “McDowell vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit”.
"Nuk lejojmë që BE të cenojë sovranitetin tonë kombëtar"
“Polonia nuk i shkel ligjet e BE-së, por e di mirë se ku janë kufijtë e saj". Gjashtë muaj pasi Komisioni Evropian e paditi Poloninë në gjykatën më të lartë të BE-së për shkelje të ligjit të BE-së nga Gjykata Kushtetuese polake dhe praktikës gjyqësore të saj, kryeministri euroskeptik Mateusz Morawiecki, thotë se nuk do të lejojë kurrë që institucionet e unionit të cenojnë sovranitetin e shtetit polak.