Arkiv-Lajme të përditësuara
Shkodër, i zunë pritë, plagoset me armë zjarri efektivi i policisë.
Një efektiv policie është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme, pasi dyshohet se persona ende të paidentifikuar i kanë zënë pritë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30 në fshatin Hot të Malësisë së Madhe, teksa dy persona e kanë telefonuar efektivin Kastriot Preçi, duke i thënë se ka një ngjarje në fshatin Hot.
Pasi ai ka zbritur nga makina, dy personat ende të paidentifikuar e kanë qëlluar me kallashnikov, duke I shkaktuar plagë në zonën e paraprakut. Polici Kastriot Preçi është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Vlorë, Rrëmbehet me dhunë një person, shkak një borxh i vjetër.
Rrëmbehet me dhunë një person në fshatin Peshkëpi të komunës Vllahinë. Katër persona, që mendohet të jenë nga Korça, e kanë rrahur dhe më pas e kanë marrë peng.
Mendohet se shkak i ngjarjes është një borxh i vjetër. Policia ka shoqëruar autorët për në komisariat dhe ka liruar personin e marrë peng.
Gjithashtu po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Gjirokastër, vodhi elektroshtëpiaket e qiradhënësit, pranga 25-vjeçarit.
U kap ditën e sotme nga forcat e policisë E. Hakiu, 25 vjeç nga Fieri, pasi ishte shpallur në kërkim. Shtetasi në fjalë, në bashkëpunim me një person tjetër me inicialet O.R, një muaj më parë kishte vjedhur pajisjet elektroshtëpiake në banesën ku banonin me qira në qytetin e Gjirokastrës.
Të dy shtetasit në momentin kur kanë vendosur të linin banesën, vodhën e më pas i shitën të gjitha pajisjet elektroshtëpiake.
Ndërkaq, materialet i kaluan Prokurorisë për procedim të mëtejshëm penal.
Grekët kërkojnë ekstradimin e Ilir Kupës, presion mbi Shqipërinë.
Grekët kërkojnë ekstradimin e Ilir Kupës, i arratisuri nga burgu i Trikalasë, e ndërsa tani është pas hekurave në Burgun 302. Dy deputetë të parlamentit grek i kanë dërguar një letër ministrit të Jashtëm Evanglos Venizelos dhe atij të Drejtësisë Charalampos Athanasiou ku kërkojnë llogari se ku janë procedurat për ekstradimin e Kupës në shtetin helen. Deputetët Dimaras dhe Avramidis i bëjnë pyetje dy ministrave sa kanë ecur proceduart për ekstradimin e Ilir Kupës në Greqi.
Vjedhja e thesarit të bankës, Fullani urdhëron ngritjen e dy komisioneve
Pas arrestimit të dy punonjësve të kasafortës së Qendrës së Emisionit të Monedhës në Linzë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka urdhëruar dhe ngritur dy komisione pune, për të evidentuar saktësisht shumën e parave të vjedhura.
Puna e këtyre dy komisioneve pritet të përfundojë brenda javës, ku edhe do të dorëzojnë në prokurori raportin përfundimtar të inventarizimit të parave që ndodhen në kasafortë dhe shumën e vjedhur.
Përmbyset kamioni, shpëtojnë mrekullisht çifti e mbesa 8 vjeçare
Vetëm fati ka shpëtuar drejtuesin e këtij kamioni, bashkëshorten dhe mbesën 8 vjeçe. Kamioni i ngarkuar me gurë nuk ka mundur të hyjë në kthesë dhe ka dalë nga rruga dhe duke bërë një rrotullim të plotë ka përfunduar në arë.
Ngjarja ka ndodhur në mesditë në periferi të Tiranës në rrugën që të çon në Baldushk. Kalimtarë të rastit dhe banorë kanë nxjerrë nga kamioni shoferin Sali Allmuça, bashkëshorten e tij dhe mbesën 8 vjeçe.
Bënte plazh nudo tek Gjiri i Lalzit policia arreston 33 vjeçarin shqiptar
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e sotme në bregdetin shqiptar, ku një 33 vjeçar është arrestuar nga policia, pasi u kap nudo në Gjirin e Lalzit.
Sipas policisë në pranga ka rënë shtetasi me inicialet E.T, 33 vjeç, banues në Tiranë. Mësohet se ai është kapur duke u larë i zhveshur në Gjirin e Lalzit.
Ai u denoncua nga pushuesit, ndërsa ndalimi i tij u bë për vepra të turpshme në publik, ndërsa vetë ai është shprehur se rrobat e tij ia kishin fshehur.
Tropojë, fluks turistësh në Valbonë
Këto ditë fund korriku, vazhdon fluksi i madh i turistëve të huaj, por edhe vendas në pikën turistike të Valbonës. Gjatë kësaj vere numri i tyre sa vjen e rritet çdo ditë.
"Gjatë ditëve të fundjavës, të shtunën dhe të dielën, numri i turistëve të huaj të pranishëm në Valbonë arrin në mbi 1500 veta. Ndërsa ditët e zakonshme numri i turistëve shkon deri 500-600 veta." thotë për “Shqiptarja.com” i entuziazmuar, kryetari i komunës së Margegajt, Rexhë Byberaj.
Zhbllokohet Kakavija, riparohet defekti kompjuterik, rinis lëvizja
Riparohet në orët e para të mëngjesit të sotëm defekti në sistemin kompjuterik në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës. Anomalia në sistem e cila kishte mbajtur të bllokuar këtë pikë kalimi në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë që prej mesditës së djeshme, dhe që kishte krjuar radhë të gjata, u riparua rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm.
Zhbllokimi i situatës në Kakavijë, ka bërë që të rinisë normalisht lëvizja e emigrantëve në doganë.
Mashtrimi me vizat në SHBA, nën akuzë ish-drejtori Bitro
Mashtrimi me vizat në SHBA, ka vënë nën akuzë Kleves Bitron ish-shefin e kabinetit të ish-ministrit të Punës Spiro Ksera. Çështja penale është rregjistruar në gjykatë në 17 korrik të këtij viti për akuzën e “Mashtrimit” dhe “Falcifikimit të dokumentave”.