Arkiv-Lajme të përditësuara
Protesta në Spanjë, nëpunësit kundër shkurtimeve
Qindra nëpunës civilë demonstruan para Ministrisë së Thesarit të Spanjës për të protestuar kundër shkurtimeve në sektorin publik, sipas planit të shpallur nga qeveria spanjolle muajin e kaluar si një pjesë e masave të nevojshme të kursimit për të reduktuar defiçitin dhe për të siguruar mbështetjen e Bashkimit Evropian.
Luksemburgu, fuqia më e madhe blerëse
Fuqinë më të madhe blerëse në Bashkimin Evropian e kanë qytetarët e Luksemburgut, 271 për qind në krahasim me mesatran e Unionit, ndërsa më të varfrit janë rumunët dhe bullgarët, me 46 e 44 përqind.
Gjermania me 118 për qind ndodhet në mesin e vendeve me fuqi të madhe blerëse në BE, kurse Italia e Spanja me 100 për qind zënë vendet në mesin e tabelës.
Ndarja në mes të të varfërve dhe të të pasurve nuk ka ndryshuar as gjatë krizës së fundit ekonomike. Ndihmë financiare, deri më tani, kanë kërkuar shtetet e jugut, si Greqia dhe Portugalia.
Sondazhi i Reuters: Grexit, shanse të vogla në vitin 2013
Agjencia Reuters ka kryer një sondazh për të ardhmen e Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë në zonën e euros.
Sondazhi u zhvillua me 64 analistë ekonomikë. Sipas përgjigjeve, të tre vendet do të dështojnë për të arritur qëllimet e tyre në vitin 2012.
45 analistë besojnë se Greqia do të jetë në gjendje për të qëndruar në zonën e euros edhe në vitin 2013. Në një anketë të njëjtë në qershor, në fakt, 35 e 64 analistëve kishte dhënë një përgjigje të ngjashme.
Sondazhi: Obama 7 pikë para Romney
Kur duhen më pak se tre muaj nga “election day”, presidenti Barack Obama ka një avantazh të fortë prej 7 për qind ndaj rivalit republikan Mitt Romney, ose 52 me 45 për qind, thotë një sondazh i kryer nga CNN/ORC International.
Anketa, e cila ka pyetur 1.010 të rritur, prej të cilëve 911 zgjedhës të regjistruar, ka zbuluar gjithashtu se treguesi i aprovimit për kandidatin republikan ka rënë me një pikë nga muaji i kaluar, në 47 për qind, ndërsa treguesi i mosaprovimit është ngjitur nga 42 në 48 për qind.
Amnesty International akuzon Greqinë për racizëm
Amnesty International ka vënë alarmin në lidhje me arrestimet masive të emigrantëve të paligjshëm në Greqi, ditët e fundit gjatë operacionit "Xenios Zeus". Raportet e AI kanë të bëjnë me mëse 7 500 shtetas të huaj që u kapën në Athinë gjatë javës së kaluar.
''Autoritetet policore greke duhet të ndalojnë shtypjen masive të emigrantëve të parregullt dhe t'iu lejojnë qasjen efektive në procedurat e azilit, atyre të cilët kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare'', vëren Amnesty, në një deklaratë.
Francë, autoritetet dëbojnë romët, i rikthejnë në Rumani
Autoritetet franceze vijuan politikat mjaft të debatueshme të nisura nga ish-presidenti Sarkozy, për dëbimin e romëve nga kampet e tyre, duke i kthyer ata në Rumani.
Dy kampe ku strehoheshin më shumë se 350 romë u evakuuan me forcë nga qytetit verior të Lilës, ashtu si në Paris dhe Lion pak kohë më parë.
Politikat për kthimin e romëve në Rumani dhe Bullgari dhe shkatërrimin e kampeve të paligjshme në Francë u iniciuan nga qeveria e presidentit Sarkozy, në vitin 2010.
Mjekët në protestë: Na dhunojnë familjarët e pacientëve
Personeli mjekësor në spitalin rajonal të Kukësit ka zhvilluar një protestë një orëshe kundër dhunës sistematike që ushtrohet ndaj mjekëve nga pacientët apo të afërmit e tyre. Rasti i fundit ka qenë dhunimi fizik i mjekut roje Mustaf Mustafa, i cili akuzon policinë se nuk ka ndërhyrë për parandalimin e përplasjes fizike dhe për ndalimin e agresorit.
Ekonomia franceze sërish në recesion
Ekonomia franceze do të bjerë në recesion në fund të këtij tre mujori, bëri të ditur në parashikimin e saj Banka Qendrore e këtij vendi.
Sipas këtij vlerësimi, Banka Franceze parashikon se ekonomia e këtij vendi do të tkurret me 0.1% nga muaji korrik deri në shtator ndërsa një rënie e tillë u shënua edhe nga muaji prill deri në qershor.
Kriza e çmimit të ushqimeve
Çmimet e ushqimeve pësuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit korrik për shkak të ndryshimeve drastike të kushteve të motit, informoi një Agjensi e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë.
Rritja ka rikthyer frikën e përsëritjes së krizës së ushqimeve të vitit 2007-08, që shkaktoi miliona viktima në vendet më të varfëra të botës.
Shirat e rrëmbyer në Brazil, thatësira ekstreme në SHBA dhe problemet në mbledhjen e prodhimit në Rusi kanë kontribuar për një përkeqësim të dukshëm të situatës, evidentohej në raport.
Greqi, tjetër rekord i papunësisë
Papunësia në Greqi ka prekur nivele rekord gjatë muajit maj, sugjerojnë të dhënat e publikuara nga instituti kombëtar i statistikave.
Sipas burimit, kuota e papunësisë është ngjitur në 23.1 për qind në muajin maj, nga 22.6 për qind që ishte në muajin e kaluar. Më shumë se gjysma e të rinjve, të moshave nga 15 në 24 vjeç, janë të papunë.
Shifra për këtë kategori është rritur në muajin maj në kuotën 54.9 për qind, nga 51.5 për qind që ka qenë në prill, dhe është më e larta në radhët e 27 vendeve anëtare të
BE-së.