Arkiv-Lajme të përditësuara
Tiranë, kërkohej për vrasje që më 2013, policia e arreston në QS
Një person i shpallur në kërkim për vrasje është arrestuar mbrëmjen e sotme nga policia e Tiranës, në zonën e Qytetit Studenti në kryeqytet. Në prangat e policisë ka rënë Albano Milori nga Korça. Sipas policisë, Milori ishte i shpallur në kërkim pasi akuzohet se më 2013 ka vrarë me armë zjarri në Drenovë 40 vjeçarin Vaskë Lito.
Fier, pranga biznesmenit për trafik të heroinës, shoferi kapet në Turqi
Një biznesmen nga qyteti i Fierit është arrestuar sot për trafikim të lëndës narkotike nga Turqia në Shqipëri, e më tej me destinacion Italinë. Biznesmeni Orvel Hebeja u vu në pranga për trafikim të 59 kilogramë heroine ndërsa bashkë me të u arrestua edhe shoferi i tij.
Operacioni antridrogë u zhvillua në bashkëpunim mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prokurorisë së Turqisë. Ishin pikërisht autoritetet turke të cilat vunë në pranga në Turqi, Leonard Tusnikun, shoferin e biznesmenit.
Orvel Hebeja ka në pronësi një kompani të vajrave lubrifikantë.
Dita IV e aksionit për energjinë.
TIRANE - Njëzet e gjashtë persona janë vënë në pranga gjatë ditës së sotme për lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike. Në ditën e katërt të aksionit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në bashkëpunim më Policinë e Shtetit, janë ndërprerë 372 lidhje të energjisë të vënë në mënyrë të paligjshme.
Nga të arrestuarit, 18 janë pronarë biznesesh të cilët vidhnin energjinë për aktivitetin e subjekteve të tyre.
KQZ rishpërndan fondin prej 142 milion lekë për 12 parti politike.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të premten të rishpërndajë fondin prej 142 milion e 500 mijë lekë 12 partive politike, në formën e ndihmës financiare për periudhën prill-dhjetor 2014.
Buxheti i shtetit i vitit 2014 parashikonte një fond prej 190 milionë lekë, që u shpërnda mes 8 partive politike: Partisë Socialiste, Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim, Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Partisë Republikane; Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partisë Kristian Demokrate dhe Frymës së Re Demokratike.
PD: INUK prishje selektive të objekteve, qytetarët t’i denoncojnë.
Partia Demokratike ka denoncuar sot sërish shembjet e INUK kë kuadër të aksionit kundër ndërtimeve pa leje. Në një deklaratë për mediat, koordinatori Ervian Salianji në një deklaratë për mediat tha se po kryhen prishje selektive, ndërsa ka sjellë edhe rastin e një objekti në rrugën e Elbasanit që nuk është prekur nga INUK.
Salianji tha se INUK nuk po bën shembje të objekteve pa leje, por selektive.
Ngrihet Task- Forca në kuadër të fushatës kombëtare të pyllëzimit.
Me urdhër të Kryeministrit, duke marre parasysh propozimin e Ministrisë së Mjedisit për nisjen e një fushate kombëtare të pyllëzimit, u vendos krijimi i Task- Forcës për marrjen e masave për veprimtaritë në kuadër të Ditës Kombëtare të Pyllëzimit dhe organizimin e fushatës kombëtare të pyllëzimit.
Siguronin diploma false për 1800 €. Gjykata vendos burg për 5 persona
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 5 persona të cilët akuzohen se shpërndanin diploma false të shkollës së mesme kundrejt shumës 1800 euro.
Pas një hetimit të Prokurorisë së Tiranës, njësia Task-Force, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, gjykata ka dënuar: Afete Koka, Gramoz Shehu, Arbër Pelo, Andrea Haxha, drejtor i një gjimnazi publik në Fier dhe Aleksia Troka, sekretare në gjimnazin publik në Fier.
Ndahet nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori Fadil Kujovska
Është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare aktori i njohur Fadil Kujovska, i njohur më së shumti për rolin e Cukut në filmin “Dy herë mat”. Aktori prej 2 vitesh vuante nga një sëmundje e pashërueshme, ndërsa ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në banesën e tij në kryeqytet.
Fadil Kujovska do të përcillet në banesën e fundit ditën e sotme në orën 14:30, por pa një ceremoni shtetërore, pasi ky ka qenë edhe amaneti i tij.
Jeta dhe rolet e aktorit Fadil Kujovska
Vjedhja e energjisë, vijon aksioni në ditën IV, dy persona të arrestuar
Aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike vijon në ditën e katërt të tij. Punonjësit e OSHEE dhe të Policisë së Shtetit ndodhen në terren për të ndërprerë lidhjen e paligjshme të energjisë. Gjatë ditës së sotme është arrestuar një 56-vjeçar nga Berati, V.Çako për lidhje të paligjshme të energjisë. Ndërkaq, në pranga është vënë edhe një elektricist i bashkisë së Fushë-Arrëzit, pasi rilidhi energjinë në këtë institucion, pasi ia kishte prerë OSHEE.
Në kërkim nga drejtësia shqiptare ekstradohet nga Italia 41-vjeçari
Një 41- vjeçar është ekstraduar nga Interpol Tirana ndërsa ishte dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasje. Besnik Sejdo është ekstraduar nga Roma, ndërsa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 5 vjet burgim, për kryerjen e veprës penale të “Plagosjes së rëndë me dashje“ dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake“.