Arkiv-Lajme të përditësuara
“Doshi”, Frroku: I qëndroj pikë për pikë deklaratës. Asnjë shantazh nga qeveria
Deputeti Mark Frroku, duke dalë nga Parlamenti, u është përgjigjur akuzave ndaj tij nga ish-kryeministri Berisha, si fytyra e një qeverie të inkriminuar.
“Vazhdoj punën si parlamentar. Mandatin ma ka dhënë populli dhe jo Berisha e për rrjedhojë askush nuk mund të më nxjerrë nga Parlamenti”, ka thënë Frroku për mediat.
I pyetur konkretisht për çështjen “Doshi”, deputeti ka nënvizuar se nuk ka asgjë për t’i shtuar apo për t’i hequr qëndrimit të tij.
Ligji për lojërat e fatit, kazinotë vetëm në zona turistike
Shkalla e lartë e informalitetit, evazionit fiskal dhe pasojat sociale negative për qytetarët, sipas qeverisë bëjnë të nevojshëm reformimin e kuadrit ligjor të lojërave të fatit me qëllim rregullimin e këtij sektori.
Pikë e rëndësishme e projektligjit të prezantuar para deputetëve është kufizimi në shtrirje territoriale i kazinove vetëm në zonat e përcaktuara për zhvillimin e turizmit.
“Kazinotë dalin jashtë qyteteve dhe vetëm në pikat turistike, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me hotele me pesë yje”, tha Ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
Rama: Hapja e dosjeve, detyrim ndaj atyre që vuajtën regjimin e shkuar
Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit nuk bëhet “për shkak të një angazhimi elektoral, por sepse është një detyrim ndaj të gjithë atyre që vuajtën përndjekjet e regjimit të shkuar”.
Tiranë, alarme false për bombë në dy shkolla. Ndërhyjnë Xhenierët
Njoftimi i parë u bë për një pako të dyshimtë në afërsi të një shkolle 9-vjeçare “Musine Kokalari” në Kombinat, dhe tjetra për një çantë të dyshimtë në afërsi të shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”.
Sipas policisë kanë qenë kalimtarë të rastit, ata që kanë njoftuar uniformat blu në të dyja rastet për çantat e dyshimta. Forcat antieksploziv kanë kryer shpërthime të kontrolluara.
Pakoja e dyshimtë në Kombinat kishte një celular mbi të, çka imitonte një bombë të komanduar. Ditët e fundit janë shënuar 6 raste në kryeqytet.
Pretenca e Prokurorisë: Burg përjetë për Arben Frrokun
Përgjatë dy orëve, 3 prokurorët e çështjes, e cila ka një vit që ndodhet nën gjykim, lexuan pretencën, duke iu referuar dinamikës së krimit, tabulateve telefonike, si edhe dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka dhe të disa personave të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë policie.
Prokurorët thanë se Dritan Lamaj u vra për shkak të detyrës si ish-shef i Komisariatit numër 6 në Tiranë. Për organin e akuzës, konflikti mes Frrokut dhe kryekomisarit ka nisur gjatë 2012-s dhe ka kulmuar më pas me shoqërimin e Arben Frrokut në polici.
Rrëfehet nëna që mbyti të birin: E vrava se më dhunonte rëndë
Një ditë pas ngjarjes në lagjen ku banonte Hatixhe dhe Pëllumb Ahmetaj ka rënë një hije e rëndë zie dhe dhimbjeje. Banorë të pallatit dhe të afërm janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit djalit që dje u vra nga nëna e tij.
Të tronditur nga ngjarja, shumë prej tyre nuk pranojnë të flasin për këtë krim. Ata që pranojnë shprehin habinë se si 70-vjeçarja arriti deri në këtë pikë. Sipas tyre, të dy personat nuk njiheshin jashtë shtëpisë si persona me probleme. Kemi pasur marrëdhënie normale, thonë komshinjtë.
Ristani: Rama-Meta, shantazh dëshmitarit dhe Frrokut
“Po bëhen 24 orë që kur janë publikuar dokumentat që tregojnë se Edi Rama dhe Ilir Meta kanë marrë peng dëshmitarin kryesor në hetimin e akuzës për porositjen e vrasjes së dy deputetëve nga kryetari i Parlamentit. Gjithashtu, prej 24 orësh Edi Rama dhe Ilir Meta heshtin, edhe pse u bë botërisht e njohur se ata e kanë zënë deputetin Mark Frroku në flagrancë duke marrë në mbrojtje një person të kërkuar për trafik droge”, ka deklaruar Ristani.
Samiti i energjisë, Rama: Proces transparent për privatizimin e Albpetrol
“Ky do të jetë viti i përfundimit të procesit të stërzgjatur të shoqërisë shtetërore Albpetrol, për të cilën po përgatitet vlerësimi financiar dhe dokumentat e privatizimit me asistencën e institucioneve ndërkombëtare”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se për qeverinë, Albpetrol është një hibrid që nuk i reziston dot kohës, siç u shpreh ai, por mbetet një aset i vlefshëm dhe siguroi se procesi i privatizimit do të jetë një garë e ndershme për të gjithë aktorët e interesuar.
Durrës, sekuestrohen 30 kg tritol, në pranga 5 persona
Në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Kronometër”, policia e Durrësit ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme lënde eksplozive në zonën e Fushë Krujës dhe ka arrestuar për trafikim të lëndëve plasëse 5 persona, 3 prej të cilëve me preçedentë të mëparshëm penalë.
Operacioni është konkretizuar pas një hetimi dymujor nga sektori për trafiqet dhe narkotikët në Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Pakti për zgjedhjet, nis takimi Rama-Meta
Kryeministri Edi Rama shoqërohet në takim nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, dhe deputeti Taulant Balla. Ndërsa zoti Meta shoqërohet nga kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili.
Burime të Top Channel bëjnë me dije se ndryshe nga më parë nuk do të ndahen bashkitë, por të drejtat e propozimit, pra, cila parti ka të drejtë të propozojë kandidatin për njësinë përkatëse, ndërkohë që partia tjetër jep ose jo pëlqimin.
Kjo formulë synon fuqizimin e cilësisë së kandidatëve, të cilët pas pëlqimit do të jenë kandidatë të përbashkët të aleancës PS-LSI.