Durrës, sekuestrohen 30 kg tritol, në pranga 5 persona
Në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Kronometër”, policia e Durrësit ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme lënde eksplozive në zonën e Fushë Krujës dhe ka arrestuar për trafikim të lëndëve plasëse 5 persona, 3 prej të cilëve me preçedentë të mëparshëm penalë.
Operacioni është konkretizuar pas një hetimi dymujor nga sektori për trafiqet dhe narkotikët në Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Të arrestuarit janë persona të dyshuar si autorë të disa shpërthimeve të ndodhura në zonën e Krujës dhe Fushë-Krujës. Zyrtarisht, Drejtoria e Policisë së Durrësit njoftoi arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Astrit Zguri, 38 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Larushk të Krujës, dënuar më parë për veprën penale të vrasjes;
Ylli Zalla 38 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Zallë të Krujës, i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale;
Bedri Murati, 40 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Noje të Krujës, dënuar për trafikim të lëndëve narkotike;
Fatjon Caca, 31 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Nikel; dhe A.Z. 17 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Larushk.
Gjatë operacionit është sekuestruar një sasi prej 30 kg lëndë eksplozive e llojit tritol, e ndarë në kallëpe me peshë të ndryshme, si dhe 2 kg lëndë eksplozive e llojit C4, e ndarë në 2 kallëpe. / Top Channel
Add new comment