Arkiv-Lajme të përditësuara
Vritet një shqiptar në Itali
Një shqiptar është vrarë me armë zjarri në Torino të Italisë. Bëhet fjalë për 54-vjeçarin Fadil Mema, i cili është ekzekutuar në orët e para të ditës së sotme.
Policia italiane ka bërë të ditur se vrasësit kanë qenë të paktën dy persona, të cilët janë shpallur në kërkim. Viktima ishte shpërndarës gazetash dhe policia mendon se atij i është ngritur pritë rreth orës 02:00 në rrugën Pavese, në jug të qytetit.
Përfundon ballafaqimi Doshi-Bami në Prokurorinë e Krimeve të Rënda
Prokurorët ballafaquan dhe pyetën njëkohësisht Durim Bamin dhe deputetin Tom Doshi paraditen e së premtes. Bami u rrëfye para prokurorëve duke thënë se ishte paguar për të sajuar historinë e vrasjes, ndërsa Doshi ngulmon se Bamit i është bërë presion për të ndryshuar dëshminë.
Ndërkohë që një ballafaqim do të jetë edhe mes Fatjon Skënderit dhe Mark Frrokut, deputetit që ngulmon se nuk ka patur djeni për ngjarjen, ndërkohë që Tom Doshi e përmend se ai është njeriu që ka zbuluar planin e vrasjes së mikut të tij.
/ Top Channel
Paloka dhe Vasili dëshmojnë në prokurori
Krerët e dy grupeve parlamentare, Petrit Vasili për LSI-në dhe Edi Paloka për Partinë Demokratike dëshmuan thuajse në të njëjtin orar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Në përfundim të dëshmisë, Petrit Vasili nuk dha asnjë deklaratë për mediat, ndryshe nga kolegu i tij demokrat, Edi Paloka që këmbënguli në akuzat e hedhura prej demokratëve edhe në protestën e organizuar më herët. Sipas Palokës, kreu i Kuvendit dhe Kryeministri po ushtrojnë presion të hapur ndaj hetimit.
Kuvendi seancë "flash", mbyllet pak minuta para protestës
Në fillim të punimeve, Partia Demokratike përmes deputetit Arben Ristani ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. "E vetmja temë e rendit të ditës sot është kërkesa për dorëheqjen e kreut të Kuvendit, Ilir Meta", ka deklaruar Ristani.
PD jep mesazhin: Rama dhe Meta largohuni! Pas fjalimeve nis shpërndarja e protestuesve
Kryetari i forcës më të madhe politike në opozitë, Lulzim Basha ka përforcuar kërkesën e shqiptarëve, të cilët të bashkuar, siç e cilësoi Basha, kërkojnë largimin e Metës, madje e shkarkuan atë nga detyra.
Kuvendi mbyllet pas seancës 15-minutëshe, Berisha: Akt i pashembullt
Në fillim të punimeve, Partia Demokratike përmes deputetit Arben Ristani ka përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.
Por ky i fundit është përgjigjur duke e cilësuar kërkesën në fjalë si një temë jashtë rendit të ditës dhe duke i prerë fjalën Ristanit.
Meta ka vijuar me rendin e ditës, pavarësisht se deputetët e opozitës e kanë kontestuar atë duke u mbledhur përreth foltores, përballë gardistëve të vendosur atje për shmangien e ndonjë incidenti.
Arrestohen 4 administratorë shoqërish dhe një ish-inspektor i Tatimeve
Katër administratorë shoqërish dhe një ish-inspektor tatimor janë vënë në pranga nga policia, gjatë mbrëmjes së të mërkurës.
Policia ka bërë të ditur se të arrestuarit akuzohen për fshehje të ardhurash dhe pastrim produktesh të veprave penale.
Arrestimet janë kryer nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Lezhës.
Doshi: Faktet e LSI-së? Ngjarja nuk është sajesë, do ta zbardh bashkë me ju!
Duke hedhur poshtë faktet e publikuara së fundi nga drejtues të lartë të LSI-së, përfshi edhe kreun e Komisionit për Sigurinë Spartak Brahon, apo edhe ato që priten të nxirren në vijim, siç ka premtuar kreu i grupit parlamentar Petrit Vasili, Doshi shprehet se “zbardhjen e kësaj çështjeje do ta bëj unë, së bashku me ndihmën tuaj”. Ai thekson se “do t’i shkojë deri në fund kësaj historie”.
Rama-Meta, kokë më kokë në kryesinë e Kuvendit
Për të pestën javë radhazi, kryeministri Edi Rama ka ngjitur shkallët e pasme të Kryesisë së Kuvendit për t’u takuar me kreun e këtij institucioni, Ilir Meta.
Takimi mes dy aleatëve ka zgjatur rreth 60 minuta. Kryeministria dhe Kuvendi nuk dhanë detaje për takimin, por besohet se Rama dhe Meta, krahas zhvillimeve që lidhen me çështjen “Doshi” dhe protestën e së enjtes të opozitës, në fokus të bisedës kanë patur edhe vijimin e negociatave për konfigurimin e bashkive ku do të garojnë kandidatët e PS dhe LSI.
Fatjon Skënderi në Prokurori, dëshmon për akuzat e Doshit
Fatjon Skënderi është përmendur në videon e Durim Bamit si "Toni".
Fatjon Skënderi, për të cilin deputeti i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, pretendon se është ndërmjetësuesi që ka paguar Durim Bamin për ekzekutimin e tij, ka ardhur nga Gjermania për të dëshmuar.
Pritet që sot të dëshmojë edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka.
/ Top Channel