Pretenca e Prokurorisë: Burg përjetë për Arben Frrokun

Postuar në 18 Mars, 2015 08:16

Përgjatë dy orëve, 3 prokurorët e çështjes, e cila ka një vit që ndodhet nën gjykim, lexuan pretencën, duke iu referuar dinamikës së krimit, tabulateve telefonike, si edhe dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka dhe të disa personave të tjerë, mes tyre edhe zyrtarë policie.

Prokurorët thanë se Dritan Lamaj u vra për shkak të detyrës si ish-shef i Komisariatit numër 6 në Tiranë. Për organin e akuzës, konflikti mes Frrokut dhe kryekomisarit ka nisur gjatë 2012-s dhe ka kulmuar më pas me shoqërimin e Arben Frrokut në polici.

Por, boshti ku mbështet akuzën Prokuroria e Krimeve të Rënda është dëshmia e të mbrojturit Arben Ndoka, i cili është njeriu që ka parë të dyshuarin Frroku të largohej nga vendngjarja.

“Unë e njoh Arben Frrokun, - mësohet të ketë thënë Ndoka, - pasi në 2009-n kam marrë pjesë në fushatën e PKD-së, si dhe kam mbështetur Mark Frrokun. Për këtë Arbenin e njihja si fytyrë. Kisha dalë me bashkëshorten - shton më tej dëshmitari - dhe pashë makinën përballë, e cila u përplas fillimisht te një bordurë. Kur më kaloi pranë pashë Arben Frrokun, me maskën që e kishte ngritur në ballë dhe dy persona të tjerë. Mora targat e makinës dhe më pas njoftova policinë”.

Për të provuar dëshminë e tij, prokurorët thanë se tabulatet telefonike të Ndokës tregojnë se ai ka komunikuar me policinë, se makina që ai njoftoi autoritetet është e njëjta me atë që u gjet më pas e djegur.

Por, prokurorët sollën edhe 3 dëshmi të tjera mbështetëse të dëshmitarëve, që pohojnë të njëjtin mekanizëm të ndjekur për vrasjen e Dritan Lamajt, si edhe dëshmitë e dy ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, që tregojnë se çfarë u rrëfeu ai dhe si i ofruan mbrojtje dëshmitarit kyç në proces.

Megjithatë, në fund të seancës avokatët mbrojtës u shprehën të pakënaqur me dëshmitarin. “Ky është një dëshmitar i paguar për këtë punë. Gjykata ka bërë një shkelje shumë të rëndë proceduriale, që vazhdon me identitetin e rremë, ndërkohë që identiteti i tij i vërtetë u bë publik”, tha Genc Gjokutaj, avokat i Arben Frrokut. Ndërkohë, mësohet se personi i cilësuar si “dëshmitar kyç i procesit” është transferuar prej disa javësh në një vend të Bashkimit Europian, për arsye sigurie. / Top Channel 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.