Arkiv-Lajme të përditësuara

Referendum kundër mbeturinave

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 13:07

 

Vendimi KQZ-së për lejimin  e mbledhjes së 50 mijë firmave të nevojshme për mbajtjen e një referendumi kërkuar nga “Aleanca kundër importit të plehrave”, është cilësuar nga përfaqësuesit e kësaj aleance si një fitore e parë.

KQZ pranoi kërkesën e përfaqësuesit të PD-së, i cili kërkoi se të gjithë personat që firmosin formularin e mbajtjes së referendumit, duhët të dorëzojnë një fotokopje të pasaportës ose kartës së identitetit.

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Kozara Kati shpjegon se si do të kryhet mbledhja e firmave.

Pentagoni pranon një pjesë të përgjegjësive lidhur me incidentin në kufirin pakistanez

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 13:03

 

 

Zyrtarët amerikan të mbrojtjes fajësojnë kordinimin e pamjaftueshëm nga forcat pakistaneze dhe ato amerikane për sulmin e muajit të kaluar nga forcat e koalicionit që la të vrarë 24 ushtarë pakistanez përbri kufirit me Afganistanin.

Zëdhënësi i Pentagonit George Little njoftoi gjetjet e ushtrisë amerikane lidhur me incidentin.

“Hetimet gjetën se forcat amerikane, në bazë të informacionit që kishi në atë kohë, vepruan në vetmbrojtje dhe me forcën e duhur pasi ndaj tyre u hap zjarr.”

Shkurtimi i taksave, Obama mund Kongresin

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 11:55

Kongresi amerikan ka aprovuar një ripërtëritje afatshkurtër të shkurtimit të listës së taksave mbi pagat, një ditë pasi Dhoma e Republikanëve ushtroi një presion të fortë mbi cështjen. 

Projekti zgjat shkurtimet e taksave ashtu si dhe sigurimet e papunësisë për dy muaj. Ligjvënësit votuan me zë mbi marrëveshjen, që kërkonte praninë e vetëm pak prej tyre. 

Një komitet i përbashkët do të punojë për një marrëveshje njëvjecare pas pushimeve për festat e fundvitit. Projekti tani do t’i kalojë presidentit Barack Obama për t’u kthyer në ligj. 

Korrupsioni mbyt biznesin

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 09:04

Një studim i realizuar nga "Business Albania", në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Punës në 500 kompani shqiptare, ka dalë në përfundimin se biznesi shqiptar ndrydhet nga korrupsioni dhe kërcënohet nga krimi i organizuar. 

"Mbi 489 nga 500 të pyetur thonë që është problem korrupsioni", thotë Bardhi Sejdarasi, nga "Business Albania".

Enver Ferizaj që drejton këshillin e agro-biznesit u shpreh se "korrupsioni është në një masë të konsiderueshme, duke nisur që nga pushteti lokal e deri te pushteti qendror".

Bora, bllokohen rrugët, mijëra banorë të izoluar në vend

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 08:48

 Vazhdojnë problemet nga ngricat e reshjet e borës në disa zona të veriut e jugut. Komuna të izoluara nga bora e akse rrugore të bllokuara ka në të gjithë vendin. Policia rrugore këshillon përdorimin e zinxhirëve përgjatë akseve Qafë-Thanë, Grabovicë, Qafë-Plloçë, Korçë-Kapshticë, por edhe në Llogara.

Policia këshillon evitimin e kalimit në Qafë-Qarr, pasi ka prani të shumta akulli. Në Korcë vazhdojnë të jenë të bllokuara komuna si Dardha, Vithkuqi, Lekasi dhe Mokra.

Lindshmëria, problem i së ardhmes

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 06:08

Lindshmëria në Shqipëri ka rënë në mënyrë drastike gjatë dy dekadave të fundit dhe është aktualisht poshtë nivelit të zëvendësimit, por rënia e popullatës e shënuar në dekadën e fundit i dedikohet tërësisht emigrimit dhe aspak lindshmërisë së ulët, vlerëson gazeta “Shqip” në numrin e së premtes. 

Vlerësohet se lindshmëria në Shqipëri, një tregues që mat numrin e fëmijëve për grua në moshë riprodhuese, ka rënë në 1.4, nga 2, që ishte në vitin 2000 dhe tre e vitit 1990. 

Barnat e rimbursueshme, ulja e çmimit ka zgjeruar listën

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 06:06

Ulja e çmimeve të barnave të rimbursueshme ka rritur ndjeshëm numrin e barnave të përfshira në këtë listë, çka ka shtuar përfitimet për pacientët. Përgjatë vitit 2011, janë ulur shpenzimet totale të rimbursimit me 7 për qind dhe me këto fonde sipas ISKSH-së janë mjekuar një numër më i madh pacientësh, krahasuar me një vit më parë. Kjo ulje çmimesh ka qenë në veçanti për barnat e shtrenjta që përdoren kryesisht tek pacientët me leucemi apo sëmundje të tjera tumorale. 

Akuzon Erdogan: Francezët kryen "gjenocid" në Algjeri

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 05:13

Një ditë pasi Franca vendosi të njohë me ligj gjenocidin armen, kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan ka ashpërsuar tonet duke akuzuar Parisin zyrtar se ka kryer "gjenocid" në Algjeri. "Mendohet se 15 përqind e popullit algjerian është masakruar nga francezët që nga viti 1945. Bëhet fjalë për gjenocid",-ka deklaruar Erdogan. Një ditë më parë, Turqia reagoi ashpër ndaj ligjit të miratuar një ditë më parë nga parlamenti francez. Fillimisht tërhoqi ambasadorin nga Franca e më pas, Erdogan anulloi gjithë vizitat e politike si dhe projektet e përbashkëta ushtarake. 

 

Kinë, burgoset shkrimtari që “rebeloi popullin”

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 05:11

Autoritetet kineze burgosën një prej aktivistëve më të njohur pro lëvizjeve demokratike, shkrimtarin Chen Wei. 

Ai do të qëndrojë pas hekurave për nëntë vitet e ardhshme, pasi nëpërmjet veprave të tij ka “frymëzuar rebelimin ndaj shtetit”. 

Chen publikoi disa ese në një faqe interneti duke kërkuar më shumë liri shtypi dhe reforma demokratike në shtetin që udhëhiqet nga një sistem një-partiak.

Më parë gjatë vitit, ai u shndërrua në një prej disa qindra disidentëve të ndaluar pas protestave të ndodhura në Kinë, të frymëzuara nga Pranvera Arabe.

Çmimi i ujit për Tiranën, zyrtarizohet rritja me 36 %

Postuar në 23 Dhjetor, 2011 05:08

Enti Rregullator i ujit mori dje vendimin përfundimtar mbi aplikimin e bërë nga Ujësjellësi i Tiranës për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm. Nga 1 janari i vitit që po vjen banorët e kryeqytetit do të paguajnë më shumë për konsumin e ujit të pijshëm. Sipas vendimit të Entit Rregullator, konsumatorët familjarë nga 33 lekë për metër kub që paguajnë aktualisht, në vitin 2012 do të paguajnë 45 lekë për metër kub.

Pages

Subscribe to RSS - Arkiv-Lajme të përditësuara