Barnat e rimbursueshme, ulja e çmimit ka zgjeruar listën
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/29/4393_4_100.jpg?itok=QfqZskF7)
Ulja e çmimeve të barnave të rimbursueshme ka rritur ndjeshëm numrin e barnave të përfshira në këtë listë, çka ka shtuar përfitimet për pacientët. Përgjatë vitit 2011, janë ulur shpenzimet totale të rimbursimit me 7 për qind dhe me këto fonde sipas ISKSH-së janë mjekuar një numër më i madh pacientësh, krahasuar me një vit më parë. Kjo ulje çmimesh ka qenë në veçanti për barnat e shtrenjta që përdoren kryesisht tek pacientët me leucemi apo sëmundje të tjera tumorale.
"Në muajin korrik 2011 me Imatinib 100 mg janë trajtuar 73 pacientë me leucemi me një vlerë rreth 29 milionë lekë. Ndërsa në muajin tetor me këtë vlerë lekësh janë trajtuar 78 pacientë, pra pesë pacientë më shumë. Po kështu për gjithë grupin e barnave të shtrenjta",- ka sqaruar Elvana Hana, drejtoreshë e ISKSH-së.
Por edhe një numër më i lartë pacientësh që kurohen nga sëmundjet kardiovaskulare, i është shtuar listës së barnave të rimbursueshme. "Ka një rritje të numrit të pacientëve të trajtuar. Këtu mund të përmendim barin Lecarnil, me të cilin gjatë muajit gusht janë trajtuar 8700 pacientë për një vlerë rreth 27 milionë lekë, në një kohë që në tetor me po këtë vlerë lekësh kanë përfituar 9100 pacientë, rreth 400 pacientë më shumë",- tha Hana. Aktualisht në listën e barnave të rimbursueshme janë rreth 420 barna, me një vlerë prej 6.9 miliardë lekësh.
Ballkanweb.com
Add new comment