grushti i shtetit
SHBA paralajmëron Turqinë rreth insinuatave për përfshirjen e Washingtonit në grushtin e shtetit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas insinuatave të ministrit turk të Punës, se pas grushtit të dështuar të shtetit, qëndron Washingtoni. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cilësoi këto insinuata si false dhe të dëmshme për marrëdhëniet mes dy vendeve. Por ndoshta një krizë diplomatike mes dy vendeve është duke u aktualizuar, pas deklaratave të zyrtarëve turq, se kush mbështet Fetyllah Gulenin, është në luftë me Turqinë. Ky i fundit është rezident në ShBA prej 15 vitesh dhe së fundmi kërkohet nga Ankaraja zyrtare si përgjegjës për grushtin e shtetit.
Ministri turk i Punës: Grushti i shtetit i organizuar nga Washingtoni
Ankaraja zyrtare ka nisur menaxhimin e situatës post-grushtit të shtetit, mbi të cilin janë ngritur dyshime të shumta. Presidenti turk, Reçep Tayyip Erdogan, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës arrestimin e Fetullah Gulen, që akuzohet se qëndron pas përpjekjes për grusht shteti. Ndërkohë ministri turk i Punës, Süleyman Soylu, ka deklaruar në Haberturk Tv, se “pas grushtit të shtetit qëndron Washingtoni”. Skenar që hap të tjera interpretime, sidomos pas pajtimit të Erdogan me Putin.
Erdogan mbetet në fuqi
Situata në Turqi ka kthyer në favor të ruajtjes së institucioneve dhe qeverisë së Yildirim. Me pak fjalë, aktualisht duket se Erdogan ka triumfuar dhe qëndron në pushtet. Por mediat ndërkombëtare raportojnë se situata mbetet konfuze. Vetë presidenti turk ka cilësuar përpjekjen si një akt tradhëtie duke shtuar se “ushtria duhet spastruar”. Janë arrestuar 1563 ushtarë, pati 1000 të plagosur dhe 90 të vrarë. Bilanci i një nate të vetme. Dorëzimi i ushtarëve duke dalë nga tanket në urën e Bosforit u filmuan live.
Fetullah Gylen mohon akuzat
I akuzuari numër një nga Presidenti Erdogan për organizimin e grushtit të shtetit, Fetullah Gylen ka mohuar të ketë lidhje me zhvillimet dramatike në Turqi. Në një reagim nga Shtetet e Bashkuara imami në ekzil ka hedhur poshtë akuzat dhe e ka quajtur provokim implikimin e emrit të tij në tentativën për grusht shteti. " Dënoj me termat më të ashpër grushtin e shtetit nga ushtria në Turqi. Adhja në pushtet e një qeverie duhet të bëhet vetëm përmes një procesi të lirë dhe të drejtë zgjedhor"-thekson Gylen në reagimin e tij.
Erdogan flet nga Stambolli, goditet parlamenti(video)
Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan ka folur nga Stambolli, në aeroportin e të cilit është pritur nga një turmë njerëzish. Ai ka folur për tradhëti të një pakice ushtarakësh, ka premtuar se do të fitojë mbi ata që kanë organizuar grushtin e shtetit dhe ka bërë thirrje që njerëzit të dalin dhe të kundërshtojnë këtë strukturë ilegale. Nga sa është raportuar deri më tani, Erdogan ka akuzuar edhe Gulenin për mbështetjen e grushtit, ndonëse ky i fundit e ka dënuar atë që po ndodh. Në terren ngjarjet paraqiten kaotike: parlamenti është goditur nga ajri dhe 12 persona janë plagosur.
Grusht shteti nga nivelet më të larta të ushtrisë. Reagime të kujdesshme nga drejtuesit ndërkombëtarë. Tirana deklarohet pro Erdoganit
Në Turqi po ndodh një grusht shteti dhe ky është ndoshta i vetmi lajm i sigurtë. Se kush qëndron pas tij, dinamika dhe kush po fiton, mbetet ende e paqartë. Kjo ka kushtëzuar edhe qëndrimet zyrtare nga qendrat e ndryshme politike. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, që ndodhet në Moskë, ka deklaruar se “nuk kam detaje të situatës që po ndodh në Turqi, ndaj edhe do të ishte e papërshtatshme që të komentoja”. Më tej Kerry ka shtuar se shpreson që një aleat si Turqia të mbetet në paqe.
Turqi, ushtria deklaron marrjen e pushtetit dhe krijimin e Këshillit të Paqes. Premtohet kushtetutë e re
Ushtria turke ka deklaruar marrjen e pushtetit dhe vënien në zbatim të gjendjes së jashtëzakonshme. Përmes një deklarate dërguar me e-mail në televizonet turke, përfaqësuesit e atij që tashmë mund të quhen organizatorë të grushtit të shtetit, janë shprehur se “Turqia do të mabjë të gjitha marrëdhëniet me jashtë dhe zbatimi i ligjit do të mbetet prioritet”. Po kështu thuhet se është premtuar një kushtetutë e re dhe se shekullarizmi është cenuar.