"Vuçiç e pranoi marrëveshjen me Kosovën, por u tërhoq sapo u kthye në Beograd"
Kryenegociatori i Prishtinës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, thotë se rreth një vit më parë, parimisht palët ranë dakord në Bruksel, por presidenti serb u tërhoq.
“Ne arritëm të kishim një marrëveshje në Bruksel më 27 shkurt dhe pastaj u pajtuam që të nënshkruajmë dokumentin (planin evropian) në Ohër më 18 mars, pasi të binim dakord edhe për planin e zbatimit. Megjithatë, në Ohër, presidenti serb (Aleksandar) Vuçiç dërgoi një letër, duke shpjeguar se ai nuk mund ta nënshkruante dokumentin për shkak të çështjeve kushtetuese në Serbi. Mirëpo, shumë shpejt e pamë se ideja nuk ishte komplikime kushtetuese por se ai donte të deklaronte publikisht se nuk e ka pranuar marrëveshjen, të cilën e ka pranuar”, është shprehur ai në një intervistë për radion « Gorazdevac ».
Sipas Bislimit, mungesa e nënshkrimeve për marrëveshjen evropiane u bë shkak për komplikime të tjera, që sollën më pas edhe sulmet në Banjskë.
“Me ngjarjen në Banjskë u kthyem nga marrëveshja në rrugën drejt konfliktit. Kjo është për të ardhur keq sepse marrëveshja si e tillë kishte potencialin të na afronte shumë”, tha Bislimi.
Bislimi thotë se viti 2023 ishte “shumë i përshtatshëm” për zbatimin e plotë të planit të dikurshëm franko-gjerman, tani zyrtarisht Marrëveshja evropiane, sepse ishte vit pa zgjedhje, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.
Add new comment