Arkiv-Lajme të përditësuara
Bashkia e Durrësit, Duma vijon takimet me banorët
Kandidatja e PD për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma ka vijuar takimet me banorë të shumtë në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar, për të bashkëbiseduar për problemet ekonomike dhe sociale të tyre.
Në fjalën e tyre në këto takime, banorët u shprehën se vuajnë mungesën e perspektivës dhe shanseve për t'u punësuar.
“Ky popull thotë gjithë ditën që do e çojë votën djathtas, por kush shkon të votojë i prishet mendja për një thes miell”, tha një qytetar.
Rama shpërndan leje legalizimi në Kukës, prezanton kandidatin e PS për bashkinë
Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë leje legalizimi falas në qarkun e Kukësit. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se legalizimi i shtëpisë është një mundësi e re për ekonominë familjare.
Duke legalizuar shtëpitë, vijoi ai, qytetarët kanë mundësi të sigurojnë kredi, e për pasojë ndikojnë direkt dhe në ekonominë kombëtare.
Protestë e banorëve të Marinzës. Derdhin qumështin në rrugë: E ndoti kompania e naftës
Në shenjë proteste për operacionet e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës në zonën e tyre, banorët e fshatit Marinzë kanë derdhur në rrugë qumështin e prodhuar.
Protesta është zhvilluar para zyrave të kompanisë “Bankers Petroleum”, e cila sipas banorëve, është shkaktare e ndotjes së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale të tyre.
Banorët thonë se nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Protesta është në vazhdën e protestave që banorët e Marinzës kanë zhvilluar që prej shpërthimit të fontanës së gazit, një muaj më parë.
“Spring” në Lazarat, pranga 5 personave për sulmin ndaj policisë në qershor 2014
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të mbështetura nga policia e Gjirokastrës, kanë prangosur të premten 5 persona në Lazarat, për ngjarjet e ndodhura në qershor 2014, kur policia ndërmori një operacion të gjerë antidrogë në këtë zonë.
PD: Papunësia në nivele alarmante
Partia Demokratike ka deklaruar se qeveria ka rritur numrin e papunësisë dhe shqiptarët si shpresë të vetme shohin emigrimin. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në një dalje për mediat në ditën e punëtorëve, tha se shqiptarëve u duhet të marrin borxh për të mbijetuar.
Rama, në Panairin e Punës: Veliaj do të rikthejë punësimin në Tiranë
Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar praninë e tij në Panairin e Punës për të promovuar kandidatin e aleancës së majtë në zgjedhjet lokale, Erjon Veliaj.
“Kandidati ynë për kryebashkiak është punëtori më i mirë i qytetit. Me Veliajn kryetar bashkie, Tirana do të bëhet lokomotiva e punësimit real”, ka deklaruar Rama.
Sipas tij, nën drejtimin e Veliajt, qasja e qeverisë ndaj punësimit dhe mirëqënies sociale ndryshoi në mënyrë radikale.
SHBA, gjendje e jashtëzakonshme në Baltimore, 15 policë të plagosur në protestat e dhunshme
Të paktën 15 policë mbetët të plagosur gjatë ditës së hënë në Baltimore të Shteteve të Bashkuara, në protestat e dhunshme, të cilat shpërthyen pas ceremonisë së varrimit të 25 vjeçarit me ngjyrë, Freddie Gray, i cili ndërroi jetë nga plagët në kurriz që i kishte pësuar në rrethana të paqarta gjatë kohës që ishte në paraburgim gjatë këtij muaji.
Me qindra të rinj dolën në rrugë të hënën duke u përleshur me forcat e policisë. Ata hodhën gurë, tulla dhe shishe mbi policinë e cila u përgjigj me gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë protestuesit.
Nepal, dëmet e tërmetit kanë prekur 8 milionë banorë
Rreth 8 milionë persona janë prekur nga tërmeti masiv që shkundi Nepalin javën e kaluar, më shumë se çereku i popullsisë.
Lajmin e kanë bërë të ditur Kombet e Bashkuara, sipas të cilave ndihmat ndërkombëtare kanë filluar të mbërrijnë, por nevojat janë të mëdha, me 1.4 milionë banorë që kërkojnë ushqim.
Tërmeti me magnitudë 7.8 ballë që ra ditën e shtunë shkatërroi ndërtesat në Katmandu dhe dëmtoi rëndë zonat rurale në mbarë vendin.
Ministri Tahiri në Gjermani, takon homologun De Maiziere: Frenim fluksit të azilkërkuesve
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri zhvilloi një takim në Berlin me homologun gjerman, Thomas De Maiziere. Dy ministrat diskutuan për fushat e bashkëpunimit dhe përpjekjen e përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ministrat ranë dakord që Gjermania të asistojë me ekspertizë palën shqiptare në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe asistencë teknike për forcat speciale RENEA. Çështje e diskutimit ishte edhe fluksi i muajve të fundit i shqiptarëve që kërkojnë azil në Gjermani.
Gjykata e Lartë: Detyrim paraqitjeje për Tom Doshin
Gjykata e Lartë ka vendosur masën e sigurisë "“detyrim paraqitjeje” për deputetin Tom Doshi
Në bazë të vendimit të marrë në seancën e kësaj të marte, ku u shqyrtua kërkesa e të pandehurit për heqjen e arrestit shtëpiak, Doshit do t’i duhet të paraqitet çdo të hënë në orën 10.00, në strukturat përkatëse të drejtësisë.