Myrteza Mara, ky lab i çartur që erdhi në Athinë...

Postuar në 14 Prill, 2016 12:12
Ilir Mborja

Në mbrëmjen e 11 prillit, në Athinë, nën kujdesin e klubit të shkrimtarëve “Drita” që drejtohet nga poeti dhe shkrimtari i mirënjohur Nase Jani, u përurua novela “Lisiana” e shkrimtarit Myrteza Mara. Pas disa ribotimeve të suksesshme nga shtëpia botuese “Toena” që prej 2007-s, këtë herë ishte radha e shtëpisë botuese greke “Ostria” e Janis Malas-it, që nëpërmjet përkthyeses së talentuar Anna Ballabani – Balanu, t'ia serviri lexuesit grek këtë arritje suksesive të autorit tonë shqiptar. Në një mjedis të bukur, mes librave të librarisë me të njëjtin emër “Ostria”, mes miqve miqve të shumtë krijues si Nase Jani, Murat Aliaj, Petraq Pali dhe Arqile Gjata, fola edhe unë. Meqenëse kolegët e autorit i evidentuan hollësisht vlerat e librit të tij, unë mendova të prekja diçka tjetër që më kishte bërë përshtypje kur e kisha lexuar për së pari "Lisiana"-n para 8 -9 vjetësh dhe në atë takim thashë këto fjalë:

***

Të shkruash një roman me 100% temën e dashurisë mendoj se është kurdoherë e rrezikshme. E them qysh në fillim këtë, se, mua për vete, kur më bie në dorë një roman me këtë temë, më vinë menjëherë para syve tre katër romanet e përbotshëm që unë kam lexuar: “Ana Karenina” e Tolstoit, “Zonja Bovari” e Floberit, “Lulet e mollës” e Gollsuorthit, apo “Dashuri në kohë të kolerës” e Markezit. E them këtë, sepse, të trajtosh një roman të tërë me temën e dashurisë, është aq delikate dhe aq e brishtë, sa mendoj se një fije floku të ndan nga rreziku për të mos rënë në banalitet. Kadareja ynë psh nuk i është qasur kësaj teme. Këmbëngul këtu vetëm për gjininë e romanit dhe për çdo shkrimtar në botë... Ndërsa për një shkrimtar shqiptar, që është rritur dhe i vendos ngjarjet në një mjedis me mentalitet shqiptar të sotëm, kam bindjen se rreziku për të dështuar është dyfish më i madh. Pra, edhe për Myrteza Marën dhe “Lisiana”-n e tij, sipas meje, ishte 200% e vështirë të gjente mirëbesimin dhe mirëkuptimin e një lexuesi sqimëtar. Sigurisht, bota e pafund letrare, patjetër që ka romane të arrira me këtë temë dhe, meqë unë nuk i kam parë, nuk jam aq naiv sa të mendoj se ato nuk egzistojnë. Por, mua vetë, kaq më vinë ndërmend tani për tani... Gjithmonë e kam fjalën vetëm për prozën, se për lirikat në vargje si "Eugjen Onjegin" i Pushkinit fjala vjen, jo vetëm poetët e kultivuar si ai, por edhe folklori ynë është i mbushur me perla të vërteta. Sidomos ai i Labërisë prej nga është Myrteza Mara. Aq guximshëm i këndon dashurisë labi anonim me iso – polifoninë e tij brilante, sa me të drejtë thuhet se “femra shqiptare ka fat vetëm nëpër vargje”. Por sot, labi anonim ama. Gjithnjë i fshehur pas “gunës” së një çobani të panjohur…

***

M’u kujtua tani edhe një varg që nis një sonet dashurie i Marksit që ia kushtonte Zhenit të tij dhe që Llazar Siliqi e ka përkthyer kështu: “O ju fjalë që vidhni idealet!”. Pra, këtë mendim, se fjalët duhet të jenë vetëm për idealin, po ashtu të vetëm, të dashurisë dhe se shenjtëria e tyre (fjalëve) humbet kur përdoret për të shprehur të tjera gjëra, e ka thënë vetë autori i “Kapitali”-t. Sipas tij nuk egziston ideal tjetër në botë veç dashurisë. Kështu thotë pra Karl Marksi, mendimtari më materialist që ka njohur njerëzimi dhe na ka lënë me mijëra fjalë në atë “Rrëfim të madh politiko shkencor” që përmbysën botën dhe vazhdojnë ta mbajnë pezull atë. Sipas tij janë “fjalë që i janë vjedhur idealit të vetëm, dashurisë”...

***

Mendoj se është e domosdoshme për t’u kuptuar të thuhen dy fjalë rreth fabulës së novelës “Lisiana”. Ajo nis kështu: “Hape derën, të lutem! Po trokasin! -i fola gruas, nga tavolina e kompiuterit. -Erdha! - u gjegj ajo dhe nxitoi të dilte nga banja duke fshirë duart me përparëse. Kisha ditë, e orë të vona të natës, që merresha me një personazh të romanit që kishja në duar dhe përsëri s’po e gjeja si duhej “çelsin” e mbylljes. Më mundonte aq shumë. Ishte sajesa ime dhe më dukej sikur lypte mëshirë të përunjur, pikërisht ai që kishte bërë krim të shemtuar. E kisha “dënuar me vdekje”, sepse duhet të vdiste për të paguar mëkatin, por më duhej të gjeja një mënyrë të veçantë e të pranueshme, sepse dhe krimi i tij ishte i veçantë. Mbyllesha me orë të tëra në dhomë dhe ime shoqe hynte e dilte si hije, duke më sjell herë një pije të ftohtë, herë fruta të qëruara e patjetër dhe tre-katër kafe në ditë.

Personi që trokiti ishte i sigurt që do më gjente në atë orë dhe nuk pyeti në isha brenda, por bëri një hap para... Në dorë mbante një si libër, apo bllok shënimesh, mbështjellë me gazetë. Dëgjova zërin e gruas që e ftoi të ulej dhe u gjenda sakaq në sallon…Një burrë simpatik, që nuk tregonte më shumë se pesëdhjetë vjet, i mbajtur dhe trupngjeshur… -Më falni, - tha buzagaz- erdha se e di që jeni shkrimtar. Kam shkruar një tregim nga jeta ime... Është një peng që nuk e mbaj dot brenda kafazit të kraharorit dhe dua të fluturoj në qiellin e shpirtrave të lirë. Pastaj,.. Tokëm gotat e rakisë dhe rrufisnim kafenë, që na solli ime shoqe e cila u mbyll në dhomën e gjumit, duke lënë derën pak hapët… Pasi mbarova së lexuari s’kisha mëdyshjen se mund të shtoja ose të hiqja qoftë dhe një presje, prandaj e cilësoj që në fillim: Ky shkrim nuk është i imi. Lexojeni!”

…Dhe në mbi 70 faqet që pasojnë gjithë librin, janë përjetimet psikologjike, brejtjet e ndërgjegjes, lufta mes tij një 50 vjeçari kinse vejan dhe një opinioni asgjësues që e rrethon për një zile dashurie që ika trokitur rastësisht nga një studente…

***

Por kjo fabul e Myrteza Marës më solli ndërmend novelën “Dashuria zgjat tre vjet”, e ngjashme edhe për nga përmasat me “Lisiana”-n e tij. Por, ky rrëfim interesant i Frederik Beigbeder-it, i botuar më 2003 nga shtëpia botuese “Onufri”, përveç formatit dhe numrit të faqeve, më duket se përputhet në mënyra krejt rastësore me një mesazh pothuajse të njëjtë tek të dy novelat. Ashtu si tek novela e Frederik Beigbeder-it, edhe tek ajo e Myrteza Marës, megjithëse në mënyra krejt të ndryshme dhe autentike, del mesazhi fatal se "Dashuria zgjat tre vjet”. Kaq dhe jo më shumë. Myrteza Mara, në rrëfimin për “Lisiana”-n e tij, nuk e ka pasur fare atë qëllim. Parësor jo se jo. Por, as tërthorazi… Por mua më duket se, duke rrëfyer andrrallën e tij, e ka rrëmbyer guximi i çartur i një labi dhe është “gremisur” në këtë përfundim të guximshëm për një ballkanas, aq më tepër për një shqiptar... Ndonëse, jo fort e paimagjinueshme për ata që e njohin shpirtin e një labi, mentalitetin e tij. Ai është derivat i kanunit të anzhuinëve nomadë, që me Papa Zhulio-n, duket se ka zënë fill atëherë kur u vendosën në Zhulatin e sotëm që në shekujt VII - VIII. Sjelljet e tyre duket se janë reflektuar deri në fillim të shekullit që shkoi. Pse jo, deri më sot. (A nuk është një divorc shpirtëror i një lidhjeje fiks pas tre vjetësh e gjithë ajo që thotë Myrteza Mara tek "Lisiana" e tij?) Në shekujt e shkuar, fenomeni i divorcit, megjithëse i njëanshëm (vetëm nga burri) nuk njihej gjëkundi në Ballkan. Në ato mote në Ballkan as që mund të imagjinohej divorci. Ndërsa labi kishte të drejtën t'i shpallte divorcin e pa revokueshëm gruas së tij me shprehjen më kalorsiake dhe cinike njëherazi: "Të kam bërë motër." ... Një nga katër arsyet për ta divorcuar gruan një lab, sipas Kanunit shekullor të Zhulatit dhe që njihej e mund të zbatohej në të gjithë Labërinë, ishte: " Çdo burrë ka të drejtë ta ndajë gruan, kur asaj i mban erë goja." Pra, për të arritur në përfundimin biopsikologjik se "Dashuria zgjat tre vjet" shkrimtari lab Myrteza Mara është 13 shekujt përpara vogëlushit Frederik Beigbeder nga Parisi. Fiks 13 shekuj është shkrimtari ynë lab Myrteza Mara përpara se parisienët të bënin "Revolucionin e tyre seksual" në vitet 60. Vonë, shumë vonë ata dhe Frederik Beigbeder-i i tyre për të thënë se "Dashuria zgjat tre vjet"...

***
Fabula e Beigbeder-it flet për një gazetar që punon në një agjenci marketingu dhe në një moment iu kërkua një reklamë nga një kompani parfumesh. Nëpër faqet e librit autori, duke shkruar në stilin që lë të kuptohet se po përdor elementë autobiografikë, flet për mënyrën se si ai e sheh dashurinë në përgjithësi. Përvoja e heroit të novelës është e një parisieni trendi, që ashiqare merret vesh se është përvoja vetiake e Frederik Beigbeder-it. Ai duke kërkuar një reklamë për të treguar jetëgjatësinë e aromës së parfumit (këtu fillon trilli fiction) gjatë meditimeve të tij zbuloi dhe përdori fjalinë: “Dashuria zgjat tre vjet”. Për autorin parisien, në novelën e tij, kjo është gati një aksiomë. Ndërsa, për veshët e një shqiptari, sot ka ardhur një ditë, që ky konkluzion i tij prej një egoisti romantik, tingëllon mjaft i guximshëm, madje i frikshëm… Ora shqiptare e Labërisë që shënonte divorcin si një fenomen mëse të rëndomtë, duket se u lodh me mbarimin e mijëvjeçarit që lamë pas. Prandaj dhe tek novela e Myrteza Marës nuk i vihet shumë rëndësi kohëzgjatjes së një dashurie...

Ndërsa në një intervistë të tij, autori i “Dashuria zgjat tre vjet” duke përshkruar psikologjinë franceze të kohës thotë:

“Ne, brezi i viteve ‘60 me prindërit tanë që përjetuan revolucionin seksual, duket se kemi humbur çdo iluzion. Në marrëdhëniet e dashurisë jemi nihilistë, egoistë, madje edhe shumë depresivë. Personazhi im kërkon që të vetëvritet në fillim të historisë… Lacan thoshte se, në fakt, dashuria është gjithmonë një formë vetëvrasje… I dashuruari ndihet i pamposhtur dhe mundet dhe në këtë Lacan ka të drejtë, që të vërë në rrezik qenien e tij, atë fizike dhe mendore për arsye dhe rrethana të ndryshme. Louis Arragon ka shkruar: “Nuk ekziston dashuri e lumtur. Frika nga vuajtja shpesh na bën të paaftë për të dashuruar”.

“Në vitin e parë është pasioni, në të dytin futet në lojë dhembshuria dhe në të tretin nis bezdisja”…”

***

Por romani i Myrtezait, gjithashtu, ka edhe ca gjëra që të kujtojnë ngjarjen Biblike të krijimit të kësaj bote njerëzore nga Eva dhe Adami.

Gruaja e personazhit kryesor të romanit, quhet Eva. Ndërsa vetë ai, personazhi kryesor, që si rezultat i “mëkatit” me të, Evën, bëri dy fëmijë, quhet Agim. Agim Adili. Po të provojmë të thellohemi pakëz, nga kombinimi i gërmave të emrit (Agim) me mbiemrin e tij (Adili) nuk është edhe aq e vështirë sa të formojmë emrin e mëkatarit të parë të kësaj bote, emrin ADAM.

Dua ta sqaroj paraprakisht shumë shkurt një temë që më duket se autorit tonë, vlonjatit Myrteza Mara, i ka shpëtuar spontanisht, dhe e prek pa dashje. (E them pa thonjëza këtë.) E kam fjalën për atë që parisieni i guximshën e shkruan troç se “Dashuria zgjat tre vjet”. Mbase e kam edhe gabim, por druaj se, meqë dashuria është një ndjenjë universale, nuk më duket se janë të rastësishme disa konçidenca mes të dy personazheve kryesorë të novelavenë fjalë. Përjetimet psikologjike të të dy personazheve kryesorë, të rrëfyera prej të dy autorëve burra që s’kanë asnjë lidhje me njëri tjetrin, veç asaj që janë të dy meshkuj, përkojnë dhe në ca gjëra të tjera. Vini re ngjashmëritë krejt spontane:

“... Me kalimin e viteve zëri i Evës pësoi ndryshime, sidomos pas lindjes së dytë, duke humbur melodinë e dikurshme.” - tregon Agimi tek novella “Lisiana”. - Diferenca e moshës së fëmijve të Agim Adilit (Vajza e martuar me dy fëmijë dhe djali në moshë për të drejtuar një firmë, a nuk ju duket se që nga dita e “mëkatit” të parë martesor dhe deri pas lindjes së dytë, janë as më shumë dhe as më pak, por plot tre vjet? Ç’do të thotë kjo? - do të thoni ju. Kjo, sipas meje, do të thotë, atë që e thotë vetë personazhi me gojën e tij, që zëri i të dashurës së tij Lisiana, ngjante me atë të Evës, deri në tre vjeçarin e parë të martesës. Pastaj ai ndryshoi. Unë për vete nuk e besoj se, pas tre vjetësh një gruaje në atë moshë, mund t’i ndryshojë zëri. Unë nën ndikimin e romanit aksiomë që thotë se “Dashuria zgjat tre vjet”, jam i prirur të besoj se pas tre vjetësh kanë ndryshuar “veshët” e mëkatarit Agim Adili.

Ja çfarë na zbulon nënvetëdija (subkoshienca) e personazhit Agim Adili: “...Pas humbjes së Evës as vetë nuk e di pse më ishte krijuar një ide fikse se nuk mund të rroja më tepër se tre vjet. Këtë nuk ia kisha thënë kujt, veç vetes.” Pastaj ai përmend prap tri vite: “Tri vitet kaluan shpejt dhe unë jetoja…” Po aty më poshtë Adami (më falni! Agimi.) i frikësuar nga mëkati i tradhtisë, në dialogun mes Agimit “të ndershëm” dhe Adamit mëkatar, përlyen edhe Zotin dhe kërkon t’ia faturojë atij këtë ngasje aventurore që i ka trokitur nëpërmjet celularit: “...Gruan e kam adhuruar si perëndi, por Zoti ma mori para kohe...” Dhe përsëri na del tre vjetshi i famshëm: Tre vjet zi mjaftojnë për të respektuar kujtimin e një dashurije që nuk zgjati më shumë se tre vjet. A nuk i ndryshoi zëri të gjorës grua pas tre vjetësh? Më falni! Po as kaq gjë nuk mund të kuptoni? Shkrimtari Myrteza Mara dhe personazhi i tij nuk jetojnë në Paris, por në një qytet bregdetar të Shqipërisë. “ ...Dhe ashtu bëra. I telefonova Bardhit i cili u tregua i gatshëm të drekonim në një lokal buzë detit, diku jasht qytetit...” Po të flas një moment si lexuesi i rëndomtë, (pa humor i them Myrtezait se është treguar shumë i guximshëm përballë këtij lloj lexuesi) që, pa modesti mund të them, se i tillë bëhem edhe unë kur e njoh personalisht autorin e romanit... Unë për vete do të thosha se qyteti bregdetar është Vlora dhe njeriu më i përshtatshëm për t’iu rrëfyer atje, ka qenë miku i autorit, fabulisti Bardhyl Mezini. Për ta vazhduar humorin mund të them seriozisht se: Kushdo që e ka njohur nga afër atë e kupton se është njeriu më i përshtatshëm për t’iu rrëfyer. Bardhul Mezini, siç e thoshte edhe kritiku Razi Brahimi, si fabulist dhe njeri i moralshëm që është, është i vetmi njeri që mund të na bëj moral. Prandaj edhe për mua, është një njeri, që për ndershmërinë dhe besnikërinë e të cilit, ve dorën në zjarr. Por ai është edhe zooveteriner. Kush më mirë se ai e kupton pjesën tonë të instikteve biologjike. Kush më mirë se ai e ndan psikozën shpirtërore nga nevojat e tjera kafshërore? Kujt më parë se atij mund t'i rrëfehej Adami i Myrteza Marës?.. Por mos ma merr për keq Myrteza vëllai, se nuk është fjala për ty, por për personazhin tënd Agimin, tek i cili jo rrallë gjejmë edhe veten, edhe fajet tona të vockla, qoftë edhe të çuara vetëm nëpër mend. Mu ashtu si te kënga greke “Milise mou”. Vargjet e saj thonë: "Folmë! Folmë!.. Nuk të putha kurrë. Vetëm në ëndërrime të putha..." Por kemi edhe Biblën që thotë: "E mendove, e the, apo e bëre mëkatin, je njësoj fajtor". Dhe e do të vërtetën shqip? Bash për këtë mua më pëlqen shumë romani “Lisiana”. Besoj se do t’u pëlqejë edhe lexuesve të mençur grekë, por kam frikë se në një gjë nuk do t’u besojnë: Atë që personazhi kryesor është Agimi dhe jo ai shkrimtari profesionist që kur gruaja i la të bisedonin vetëm për vetëm, hyri në dhomën tjetër dhe e “harroi” derën pak hapur. Kam frikë se grekët s’do ta hanë kollaj këtë. Kam frikë se do ta kuptojnë lojën që duke u futur nën lëkurën e Agim Adilit, ke dashur të futesh si ata dikur në barkun e Kalit të Trojës... Megjithatë them se edhe për këtë do t’u pëlqejë.

I dashur Myrteza! Dua ta mbyll duke të uruar shumë seriozisht për këtë botim tuajin në atdheun e Homerit dhe të Eskilit dhe sinqerisht të them, se për mua, e ke kapërcyer suksesshëm rrezikun e temës së dashurisë. Atë që ndan hollë sa një fije floku... Urime!

Comments

Submitted by Ndoc DUDASI (not verified) on

Ju pergezoj zoti Mborja.
Keni shkruajtur nje reportazh-lirik, mbreselenes. Sidomos ne Greqi, per letersine shqipe. Kjo, eshte nje vlere e shtuar per ju.
Si gjithmone, ju ndjek me shume vemendje e simpati per shkrimet t'uaja. Gje e rralle per mua, ne ditet e sotme.
Nje sugjerim, lutem, do te doja t'ma pranoni. Konkretisht, per temen e dashurise, ne lirikat popullore, keni thene qe : SIDOMOS NGA AI I LABERISE NGA ESHTE MYRTEZA MARA. . . . etj.
Ju lutem, ju sugjeroj te lexoni librin 250 KENGE QYTETARE SHKODRANE, te botuar nga Tonin Zadeja dhe Tonin Daija, ku tema e dashurise dhe erosit, arrin maja danteske, sa edhe poete madhore boterore, do te mahniteshin nga finesa, gjuha ezopiane e perdorur ne vargjet mbreselenese te kengeve popullore te ketije qyteti hambar per dijen, kulture, artin, etj, etj, ne Shqiperi, dhe pastaj, mendoj, mund te perdorni fjalen SIDOMOS.
Gjithsesi, shkrimi juaj shume i arrire.
Pershendetje.

Submitted by Fiori (not verified) on

Si lexuese e rregullt e shkrimeve kritike te Ilir Mborjes,gjithmone mbetem e mrekulluar nga thellesia e njohjes dhe e mendimit artistik te tij.Kritika letrare ka nevoje per zera te tille ,qe fatkeqsisht jane te rralle.Mezi pres te lexoj shkrimin e rradhes.Suksese Ilir!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.