Kërpudha si simbol propagande

Postuar në 21 Shkurt, 2019 14:33
Rubens Shima

Që nga shkatërrimi i skulpturës së diktatorit Enver Hoxha, si rrallëherë më parë gjatë historikut të protestave në vend, qytetarë të pakënaqur, veç godinës së Kryeministrisë, sulmuan dhe dëmtuan edhe veprat e artit të ekspozuara në mjediset jashtë saj. Kështu ndodhi me skulpturën e ndriçuar të artistit Philippe Parreno, titulluar “Marquee” (“Tenda”) dhe skulpturën “Triple Giant Mushroom”, (“Kërpudha gjigante trepjesëshe”) e Carsten Höller. Bashkë me “Rilindjen”, dy skulpturat shënjuan periudhën e Edi Ramës si Kryeministër i vendit.

Historia njerëzore është e tejmbushur me statuja të thyera, simbole të shkatërruara, portrete udhëheqësish të shqyer apo djegur, monumente të rrëzuara. Arti i ndotur me politikë, arti që glorifikoi mbretër, udhëheqës, militaristë dhe kryeministra, shpeshherë u kthye në pre gjahu nga qytetarët e revoltuar gjatë historisë së pasur të revolucioneve dhe protestave. Ka ndodhur më 1871-in kur turmat e qytetarëve të varfër francezë sulmuan dhe bënë rrafsh me tokën kolonën gjigante të Vendome-s, simbol i madhështisë napoleoniane për pushtetin e kohës – simbol i brutalitetit dhe lavdisë së rreme për qytetarin e varfër.

Xhaxha Stalinit i mbetën vetëm çizmet e bronzit kur protestuesit sulmuan dhe shkatërruan skulpturën e tij më 1956-n gjatë Revolucionit Hungarez. Monumenti i diktatorit Enver Hoxha u rrëzua dhe u morr zvarrë prej protestuesve në Tiranë, më 1991- in. Të shumta janë rastet, por nuk ia vlen t’i përmendim, pasi lista do të dalë shumë e gjatë. Këto monumente, skulptura, ishin emblema të kohës së tyre, imazhe ndotëse propagandistike, ndaj fati i tyre ishte lidhur pazgjidhshmërisht me jetëgjatësinë e pushtetit, të cilit i shërbyen.

Ngjashëm, edhe protestuesit në Tiranë, të varfëruar dhe zemëruar prej keqqeverisjes, sulmuan dhe dëmtuan veç hyrjes së godinës së Kryeministrisë, edhe dy skulpturat, mjerisht, të shndërruara në imazh falsiteti dhe luksi të një Kryeministri paturpësisht krenar për gjendjen në të cilën ndodhet sot vendi. Por cila është historia e njohur (pasi të panjohurat nuk i dimë) e këtyre dy veprave?

Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, pjesë e politikës së tij ishte dhe kthimi i institucioneve publike të vendit, pjesërisht edhe në qendra arti dhe kërkimi. Ministria e Kulturës sajoi në një korridor të godinës së saj një galeri arti, Ministria e Arsimit hapi në një gjysmë zyre qendrën kërkimore për arsimin. Por ajo që do të spikaste, veç të tjerave, ishte krijimi i Qendrës për Hapje dhe Dialog, në katin e parë të Kryeministrisë, njohur si KOD (COD), që përbëhej nga një dhomë biblioteke dhe një korridor për ekspozita. Veprat e Philippe Parreno dhe Carsten Höller përuruan zyrtarisht edhe hapjen e KOD-it. Ato ishin dhuratë e artistëve për popullin shqiptar.

Skulptura e varur, e ndriçuar “Marquee” (“Tenda”), instaluar në hyrjen historike të Kryeministrisë, do të shërbente si një pikë takimi midis artit dhe politikës, diturisë dhe mendimit kritik, argëtimit dhe seriozitetit publik. Ndërsa skulptura më e vandalizuar nga protestuesit, “Triple Giant Mushroom”, (“Kërpudha gjigante trepjesëshe”) ishte krijuar posaçërisht për qendrën KOD nga Carsten Höller. Ajo ishte modeluar me tre lloje të ndryshme kërpudhash të egra, helmuese dhe të ngrënshme, të tretshme dhe të patretshme, një miksturë botanike që mund të shihej si një metaforë për politikën shqiptare. Ndërsa ngjyrat e kërpudhës janë një dhënie aprovimi për trashëgiminë pamore të Kryeministrit Edi Rama në ngjyrosjen e ndërtesave të kryeqytetit me ngjyra farfuritëse gjatë qëndrimit të tij si kryebashkiak.

Por, me kalimin e kohës, të ekspozuara në institucionin e gabuar, veprat morën një ngarkesë simbolike të veçantë, duke komunikuar me një tjetër regjistër gjuhësor me publikun kalimtar. U lexuan si elemente propagande, etiketa farfuritëse, tredimensionale që qëndronin aty si një kurth për të kapur dhe mbërthyer me pahir vëmendjen e shqiptarëve. Ato u transformuan në imazh të Kryeministrit, lëndë e gjallë për makinën e propagandës së tij. Nën to bëheshin foto, pritje ceremoniale, priteshin dhe përcilleshin njerëzit e politikës, kryeministra, ministra, parlamentarë… Arti bashkëkohor ishte ekstravaganca më e madhe e Kryeministrit. Veprat ishin keqpërdorur dhe politizuar. Tenda llamburitëse e Philippe Parreno u kthye në tendë cirku për spektaklin politik të Edi Ramës, ndërsa kërpudha e Carsten Höller, në kërpudhën haluçinogjene propagandistike e Kryeministrit delirant.

Protestuesit nuk sulmuan veprat e artit, si rëndom komentohet, ato asnjëherë nuk u panë dhe kuptuan si të tilla dhe kjo, jo për faj të tyre. Skulpturat u shndërruan në simbol propagande për pushtetin e “Rilindjes” dhe shembull i pastër manipulimi dhe keqpërdorimi të artit prej politikës, me vetëdije ose jo të autorëve kjo ka pak rëndësi.

Paraqitja e protestuesve si vandalizues arti është një lexim sipërfaqësor, moskuptimi i domethënies së protestës. Është një gabim trashanik me pasoja, i cili do të përsëritet me këto ose vepra të tjera, në rast se mesazhi i protestës nuk kuptohet dhe arti do vazhdojë të keqpërdoret politikisht prej Kryeministrit.

Ndaj, nuk ka vend për ndjesë në këtë histori. Nuk është hera e parë që “popullit shqiptar” i dhurohen vepra arti në skulpturë, pikturë për përhapjen dhe promovimin e ideologjive të ndryshme: fashiste, komuniste, idetë revolucionare, miqësinë mes popujve… Skulptura e Xhaxha Stalinit, me autor Nikolay Tomsky, dhuratë e popullit të Bashkimit Sovjetik për popullin shqiptar; bustet e udhëheqësit Mao Ce Dun, dhuratë nga populli kinez, popullit shqiptar. Por edhe dhurata politikisht neutrale, bërë nga dashamirësia dhe vullneti i mirë, si rasti i koleksionit mbresëlënës me vepra artistësh të rëndësishëm të artit bashkëkohor, dhuruar nga artisti Jan Dibets, Galerisë Kombëtare të Arteve. Sot, të gjitha këto koleksione, skulptura dhe shtatore ruhen dhe konservohen në Galerinë Kombëtare, si pjesë e historisë së këtij vendi. Asnjëherë nuk janë vandalizuar, as ato më tipiket e propagandës komuniste. Në rast se skulpturat e Philippe Parreno dhe Carsten Höller i janë bërë dhuratë popullit shqiptar, nuk kanë pse qëndrojnë në godinën e Kryeministrisë. Edi Rama nuk është populli shqiptar. Ato/veprat duhet të strehohen në Galerinë Kombëtare, si pjesë e koleksionit të saj me skulptura, shoqëruar me etiketën “Dhuratë popullit shqiptar”, pasi edhe në këtë gjendje fizike, në të cilën ndodhen, kanë shumë për të na treguar, sot dhe në të ardhmen.

Panorama 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shume e vertete, por tani qe ato u prishen, krijuesit dhe te gjithe ata qe dinin per 'to, do te thone se, ja, populli primitiv shqiptar e prish gjithnje te bukuren!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.