Stabiliteti i Ballkanit midis nacionalizmit dhe zgjidhjes së problemeve: dinamika e fillim-vitit 2018
Duket se viti 2018 filloi me ngjarje të nxehta dhe zhvillime, të cilat pasqyrojnë natyrën e rajonit të Ballkanit – duke përfshirë edhe Shqipërinë – dhe si rezultat ndikojnë mbi to.
Mbase jo aq e rëndësishme në dukje, ngjarja e parë është ikja nga jeta e artistit grek Dhimitrios Panusis, i njohur gjerësisht në publik si Xhimi Panusi. Filozofia e shprehur prej tij nëpërmjet këngës, shfaqjeve, mikrofonit të radios dhe pikturës kapte një gamë të gjerë të mendimit politik dhe shoqëror, që nga anarkizmi deri në post-modernizëm. Satirizimi i çdo lloj pushteti si dhe kritika që ushtrohej ndaj strukturave dhe racionalizmit politik bënë që Panusi dhe arti i tij të pranohen vetëm nga një pjesë e vogël e të rinjve, kryesisht atyre të ekstremit të majtë dhe ndjekësve të muzikës “rock”, por jo nga politika greke, kisha ortodokse apo qytetarët me mentalitet konservator ose nacionalist. Mitizimi fanatik i atdheut dhe traditës nëpërmjet nacionalizmit, kishës, sportit dhe ushtrisë, si dhe burokracia e Bashkimit Evropian, shpesh herë janë kritikuar përmes satirës tek tekstet e këngëve të njohura të Panusit. Ndarja e tij nga jeta simbolizon humbjen e anti-konformizmit dhe gjuhës që kërkon zgjerimin e lirisë individuale përballë kolektivitetit në një rajon si Ballkani ku mbizotëron prej kohësh fanatizmi dhe mungesa e emancipimit politik dhe shoqëror të individit.
Ngjarja e dytë ishte ekzekutimi i liderit të Serbëve të Kosovës Oliver Ivanoviç, zhvillim ky që mund të trazojë stabilitetin e brishtë në Kosovë, kryesisht në pjesën veriore të saj. Ndërkohë që urrejtja midis Serbëve dhe Shqiptarëve vazhdon të karakterizojë marrëdhëniet ndëretnike, përpjekjet e qeverive në Beograd dhe Prishtinë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme – nën iniciativën dhe ombrellën e Perëndimit – po minohen nga dikush që nuk e dëshiron këtë zgjidhje. Qofshin këto të fundit qarqe shtetërore, gjysmë shtetërore apo private në Kosovë ose Serbi, duket se vazhdimi i komunikimit problematik ndërmjet dy shteteve dhe popujve respektivë i shkon për shtat nacionalizmit fanatik dhe të kaluarës konfliktuale të Ballkanit. Destabilizimi i mundshëm i Kosovës do të kishte një reaksion zinxhir në Bosnjë-Hercegovinë dhe në IRJ të Maqedonisë. Nga ana tjetër, zgjerimi i kanaleve politike dhe ndëretnike të komunikimit përbën një garanci madhore për stabilitetin e dy vendeve, si dhe për forcimin e paqes në rajon.
Së treti, presidenti i Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë nuk pranoi të firmosë ligjin e miratuar nga parlamenti i këtij vendi për legjitimimin e shqipes si gjuhë zyrtare. Zgjerimi i të drejtave të Shqiptarëve të Maqedonisë përbën për elitat politike rrugën e vetme që duhet ndjekur herët a vonë. Kjo për arsyen racionale të rritjes së popullsisë së Shqiptarëve në të ardhmen – fenomen i cili mund të çojë në konflikte më të gjera – por edhe me qëllim mos përjashtimin e pjesëtarëve të shoqërisë nga gjuha si e drejtë themelore e individit. Pavarësia dhe sovraniteti i shtetit në fjalë nuk mund të mbrohen kurrsesi me anën e censurës së minoriteteve, të cilat po kthehen gradualisht në pjesë përbërëse shtetërore për shkak të rritjes demografike të tyre.
Së katërti, pasiguria e vazhdueshme në IRJ të Maqedonisë i shtyn elitat kryesore politike të jenë më fleksible në dialogun e tyre me qeverinë greke, me qëllim gjetjen dhe pranimin e një emri të ndryshëm shtetëror. Edhe qeveria e Aleksis Cipras në Greqi beson se ka mbërritur tashmë momenti më i mirë për zgjidhjen e këtij problemi shumëvjeçar, duke favorizuar propozimet “Maqedonia e Re” apo “Maqedonia e Epërme”. Nga ana tjetër, partitë nacionaliste greke, së bashku me kishën ortodokse, kundërshtojnë hapur zgjidhjen e problemit dhe akuzojnë Shkupin për irredentizëm, ndërkohë që vetë ato kërkojnë ekskluzivitetin e emrit “Maqedoni” për rajonin verior të Greqisë. E “plagosur” politikisht nga rënia e popullaritetit, qeveria e majtë e Cipras ndjehet e kërcënuar prej fanatizmit nacionalist të masës, ku kjo e fundit, përveç të tjerash, ka trashëguar nga e kaluara urrejtjen ndëretnike dhe është shoqërizuar prej saj. Do të jetë më i lehtë etiketimi i qeverisë greke si “tradhtare” prej pjesës më të madhe të popullit – kjo edhe për shkak të masave të rrepta financiare e sociale të zbatuara vitet e fundit – se sa celebrimi i një zgjidhje të qëndrueshme në aspektin afatmesëm, ose në atë afatgjatë. Megjithatë, zgjidhja e çështjes së emrit do të hapte rrugën e integrimit euroatlantik të IRJ të Maqedonisë dhe do të ndikonte pozitivisht në forcimin e stabilitetit të brendshëm të këtij shteti. Kështu do të neutralizohej një nga zonat më të brishta të rajonit të Ballkanit.
Zhvillimi i pestë dhe i fundit lidhet me vazhdimin e bisedimeve të nivelit të lartë shqiptaro-greke, të cilat po mbahen në qytetin e Korçës dhe që u paraprinë nga bisedimet e Kretës dy muaj më parë. Diskutimi i çështjeve dhe problemeve që kanë ndarë për dekada me radhë Shqipërinë dhe Greqinë, si dhe kanë brumosur klimën e mungesës së mirëkuptimit ndërshtetëror dhe ndëretnik, përbën një hap pozitiv për zgjerimin e kanaleve diplomatike midis dy shteteve. Nëse përfundimi i këtyre takimeve do të çojë në zgjidhjen e një pjese të problemeve dypalëshe, atëherë do të korrigjohej për më mirë struktura problematike e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe si rezultat do të forcohej stabiliteti i Ballkanit. Por në rast se politika e dy vendeve bëhet peng i kostos së brendshme politike, nacionalizmit dhe konflikteve të së shkuarës, atëherë problemeve të vjetra do tu shtohen ato të reja dhe në këtë mënyrë do të zgjerohen më tej hendeqet e komunikimit dypalësh.
Kjo nuk do të thotë se duhet nxituar në marrjen e vendimeve që janë kundërshti me interesin kombëtar dhe rajonal, por se vendimet duhet të studiohen dhe merren nga ekspertë dhe jo të ndikohen nga pasionet e masës apo nga llogaritë e brendshme politike. Edhe pse në marrëdhëniet ndërshtetërore nuk mund të zhduken plotësisht fërkimet apo problemet dypalëshe, ato mund dhe duhet të zgjidhen duke iu nënshtruar gjykimeve të ftohta dhe në të mirë të interesit të përgjithshëm. Natyrisht që ky i fundit përmban brenda tij interesin kombëtar dhe nuk është në kundërshti me të. Mjafton që kjo të shihet me kujdes dhe në këtë mënyrë të kuptohet dinamika e procesit të formimit të interesit kombëtar dhe të konsolidimit të mëtejshëm i tij në përputhje me sfidat aktuale dhe ato potenciale të së ardhmes.
Comments
I dashur Jordan, e lexova
I dashur Jordan, e lexova fillimisht i nisur nga emri tend, por mbeta i suprizuar nga analiza racionale, e ftohte dhe shume realiste.
Urime dhe mbaresi ne rrugen tende!
Add new comment