Ekstremistët pas Mitsotakis, apo përsëritja djathtas e manovrave të Tsipras
Humbi Tsipras dhe fitoi Mitsotakis. Lajmi kryesor për Europën politike mbetet ende rotacioni në Greqi, ku disa mendojnë se vendi u rikthye te sistemi që mori goditje me fitoren e Syrizas.
Edhe Internacionalja e Katërt përfundonte se dështimi i Tsiprasit është prova më e mirë se goditja ndaj një sistemi të kalbur si ai kapitalist nuk mund t’i besohet partive populiste si Syriza, por kërkon tjetër strategji. Me të njëjtën akuzë si The Guardian, Internacionalja konkludonte se në fakt Tsipras bëri një zhvendosje të hatashme politikash djathtas për të shpëtuar pushtetin e një partie që vinte nga rruga. Aq sa arriti në politika antimigratore të forta. Këto nuk e shpëtuan Tsiprasin për një arsye të thjeshtë: nuk mundet të shpëtosh nëse tradhëton politikat bazike që ke shpallur si pjesë të identitetit.
Mitsotakis, i nënvlerësuar si një djalë mamaje, njeri me fat që ka jetuar më mirë se shumica e grekëve, në fakt u dëshmua pragmatist mjaftueshëm. Ai arriti të zgjidhë disa probleme që për Greqinë nuk ishin të vogla. Me ardhjen e Demokracisë së Re në pushtet, nga skena doli Agimi i Artë, një parti ekstremiste që ishte njollë për Parlamentin dhe vendin. Kjo u realizua pasi Mitsotakis me zgjuarësi mbështeti disa kauza të tyre si rendi publik, politika strikte për emigracionin, sistem të kujdesit social për grekët e vërtetë dhe për ta tonifikuar më mirë këtë lloj qasjeje ai doli kundër politikave të Syrizas në këtë drejtim, përfshirë politikat për komunitetin LGBTQ, pakicat, si dhe marrëveshjen e Prespës. Si një njeri i edukuar në Perëndim dhe përballë një Syrize që ishte siklet për një Europë të mësuar me parti konvencionale, Mitsotakis e di shumë mirë që është më mirë të përfaqësosh një elektorat ekstremist sesa të lejosh krijimin e partive ekstremiste.
Problemi politik në këtë rast nuk është më me imazhin, por me përmbajtjen e një lufte politike që ka mbërthyer ndërgjegjen greke që pas Luftës së Dytë Botërore.
Në një shkrim të publikuar nga gazeta liberale izraelite “Haaretz”, me autor Acchilles Peklaris, vihen në dukje rrënjët e Demokracisë së Re dhe se riprodhimi i elektoratit të saj të djathtë jehon ciklin e luftës civile greke të vitit 1949. Sipas Peklaris, pas kësaj lufte, shumë bashkëpunëtorë të nazizmit gjetën strehë tek Unioni Radikal Kombëtar themeluar nga Konstantinos Karamanlis.
Pas vitit 1974, pra pas sundimit të juntës ushtarake ky Union evoluoi drejt Demokracisë së Re nën të njëjtin lidership duke u bërë strehë e një kategorie të re: “jetimët” e juntës. Ky komunitet politik gjente në Greqi një mirëkuptim me Kishën Orthodhokse duke ushqyer një favoritizëm thuajse të sëmurë.
Karakteristikat e tyre ishin të njëjtat si përherë: promonarkistë, simpatizantë të juntës, kundër të majtës, antisemitikë. Megjithatë, derisa këto ide ishin jashtë mode deri në fillim të mijëvjeçarit të ri, ata ishin një grup i vogël, një rrymë e heshtur brenda Demokracisë së Re – larg lidershipit të kohës që ishte orientuar strategjikisht drejt qendrës së djathtë
shkruan autori.
Sipas tij, personaliteti i parë që adresoi çështje të ekstremit të djathtë publikisht, ishte Kryepeshkopi Kristodulos që vdiq në vitin 2008. Roli i tij ishte rigjallërimi i ideve ekstremiste në skenën kryesore politike me pasojë direkte krijimin në vitin 2000 të partisë populiste, Bashkimi Popullor Orthodhoks(LAOS) me kryetar, ish-deputetin e Demokracisë së Re, Georgios Karatzaferis, që drejtonte një grup të përbërë nga Makis Voridis, Adonis Georgiadis dhe Thanos Plevris, me të shkuar antisemitike dhe me ide pronaziste. Kjo parti u shkri në vitin 2012 nën Agimin e Artë, por treshja në fjalë, Voridis, Plevris dhe Georgiadis nuk e bënë këtë gabim. Ata u drejtuan te Demokracia e Re nën mbrojtjen e Andonis Samaras, asokohe figurë e ringjallur e të djathtës greke.
Kriza e Agimit të Artë, burgosja e disa deputetëve të tij si dhe suksesi i treshes në fjalë, krijoi kushtet që shumë votues të shihnin te Demokracia e Re, të ardhmen e tyre politike, shtëpinë e natyrshme. Mitsotakis natyrisht që nuk ishte naiv të ndalonte këtë fluks votuesish me gjasë me shpresën se në pushtet të gjithë moderohen dhe kontrollohen.
Aktualisht Demokracia e Re është streha politike për njerëz si Angelos Syrigos, një propagandues antimigracion, Konstantinos Bogdanos, ish – prezantues televiziv, Konstantinos Kyranakis që flet për subvencione apo ndihmë vetëm për fëmijët e grekëve, apo Vassilis Kikilias që e barazon Syrizan me terrorizmin.
Një skenë inkandeshente dhe e fragmentarizuar njerëzish që mendojnë krejt ndryshe dhe kanë pikëpamje të dyshimta, por që janë treguar oportunistë dhe pragmatistë aq sa duhet për të kuptuar se ku qëndron pushteti. Peklaris vë në dukje se në skenë ka dalë edhe një forcë tjetër e së djathtës ekstreme, Zgjidhja Greke që ka hyrë në Parlament kësaj radhe dhe që drejtohet nga Kyriakos Velopoulos, ish-anëtar i Bashkimit Orthodhoks Kombëtar dhe mik me treshen e famshme të sipërcituar. Velopoulos ka propozuar ndërtimin e një muri 200 km në kufi me Turqinë për të mbajtur emigrantët larg.
Peklaris ka një optikë tepër pesimiste për amalgamën që sot fsheh Demokracia e Re, por nëse përvoja me Syrizan na mëson një gjë është se ekstremizmi në vende si Greqia është performativ jo institucional.
Tsipras mori një votë referendare për të refuzuar planin e BE-së për kursimet dhe masat shtrënguese dhe shkoi e firmosi të kundërtën. Tsipras mori një besim unik në historinë e re greke që iu dha për të bërë histori. Tsipras u dëshmua një manovrator dhe ekuilibrist në vend se një lider historik. Ai u pajtua me kërkesat e Europës, duke u bërë asgjë më shumë sesa lëndë e parë në rendin e krisur europian, ku Greqia nuk kontribuon dot më si katër vjet më parë, kur mundej që me një firmë dhe një JO të vendosur, do të përcaktonte historinë. Nuk ka shpëtuar pa u vënë re se fitorja prej ish-ministrit të tij të Financave, Varoufakis, të nëntë vendeve në Parlament, janë një hakmarrje e vërtetë për atë që ndodhi katër vjet më parë, kur Varoufakis shkarkohej pa asnjë lloj brerje ndërgjegjeje për shkak se e kërkonte Trojka.
Kjo dobësi e së majtës greke është recidiviste, sepse ajo ngjan kaq shumë me vendimin e marrë me Marrëveshjen e Varkizës që çoi në persekutimin disa vjeçar të mbështetësve të saj. Nga kjo pikëpamje, Mitsotakis mundet të bëjë ca ndryshime, por është e vështirë që ai të imponojë radikalizim të politikave, për arsyen e thjeshtë se tashmë Greqia është në rrjedhën e një vendi që ka stabilitet, pas të cilit do kapet me thonj një shumicë qytetarësh. Pa folur pastaj për shembullin e Tsipras që erdhi si parti ekstremi dhe përfundoi në menaxhim pragmatist pushteti.
Add new comment