Lavrovi i Rusisë

Postuar në 21 Mars, 2025 15:40

Agjencia “Tass” i kushton sot një shënim ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov që ka 75 vjetorin e lindjes. 21 vjet në detyrë, Lavrov është tashmë një ndër dekanët e politikës së jashtme ndërkombëtare me njohje të mjedisve diplomatike dhe rrethanave si pakkush tjetër.

Në shënimin e vet “Tass” vinte në dukje disa elementë që kanë një farë rëndësie: mbaroi MGIMO-në në vitin 1972 në Departamentin e Lindjes në Fakultetin e e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. U caktua si fillim në ambasadën sovjetike në Sri Lanka për shkak se gjatë shkollës ai mësoi edhe gjuhën sinhaleze përveç anglishtes dhe frëngjishtes.

Ai e nisi karrierën nën një ministër të një lloji unik si karakter si Andrey Gromyko, i njohur si Mr. Nyet për përdorimin e vetos në OKB. Dhe në këtë frymë, pra në stilin sovjetik të diplomacisë që e pa veten në vendimmarrjen kryesore të botës në një rang me SHBA, Lavrov erdhi mesa duket e mori ato cilësi që i mainfeston sot në pozicionin e tij: afirmim i interesit të Rusisë, prononcim për të gjitha çështjet me rëndësi, por edhe vetëpërmbajtje në komunikim.

Ajrosjen e parë profesionale, Lavrov e mori në vitin 1994 kur u caktua si përfaqësues i përhershëm i Federatës Ruse në OKB, një kohë kur Rusia ishte në pikën më të ulët të fuqisë dhe autoritetit të vet ndërkombëtar.

Lavrov punoi në këtë post për 10 vjet, dhe karizma e tij, sensi i shkëlqyer i humorit dhe “aftësia” për të pirë duhan në vendin e punës, mbahen ende mend në selinë në New York

shkruan agjencia.

Sipas të dhënave të mbledhura ai ka udhëtuar 240 000 km në një vit me avion dhe ka udhëtuar në 150 shtete. 

Profili i mësipërm flet ndoshta për një relike nga një kohë që nuk ekziston më. Në një kuptim, Lavrov është një ministër ndër të vetmit nga dy kohë dhe dy sisteme, çka përcakton shumëçka në formimin dhe kuptimin e tij për marrëdhëniet ndërkombëtare. Është e vështirë të gjesh një figurë të ngjashme me Lavrov në arenën ndërkombëtare, që brenda suazës së një shteti me strukturë të ndërlikuar pushteti, të afirmohet në detyrën e vet dhe të jetë referim publik ndërkombëtar për diplomacinë e fuqive të mëdha.

E vështirë jo në kuptimin strikt të CV-së, pasi në mjediset e politikës ndërkombëtare ka patjetër njerëz me formim të spikatur, por për nga përvoja në detyrë në krye të një vendi dhe profili njerëzor i një ministri, “duhanxhi i papërmbajtshëm”, që ka ditur të sintetizojë ambiciet sovjetike me objektivat e Rusisë, të paktën në formulimin e prioriteteve të sigurisë, Lavrov qëndron i vetëm. Ose i ndryshëm. Qoftë nga James Baker, Colin Powell, Olbright apo Rice, por edhe nga një njeri me formim solid teorik si Blinken.

Jetëgjatësia e tij në detyrë konkuron me të gjithë ministrat e Putin, edhe me koniunkturalin e mirënjohur Shoigu dhe reflekton një praktikë sovjetike që nuk para i prekte ministrat e Jashtëm. Është shumë e vështirë, në mos e pamundur që një njeri si Lavrov ta shohësh larg dikasterit të punëve të jashtme, një gjë e rrallë dhe e veçantë në një kohë kur figura e diplomatit sa vjen e i ngjan atij të korrierit, kurse ajo e ministrit të Jashtëm, atij të zëdhënësit.

Mund të duket ironike, por Lavrov në një mënyrë edhe formale është sot Nëpunësi Civil më i spikatur në botë(Public Servant). Që nuk mund të thuhet se i shërben një klani, grupi apo vepron në mënyrë sektare. Ai I shërben Rusisë. Është një kredo mesa duket e disa njerëzve që besojnë ende tek Autoriteti Publik, si pjesë e domosdoshme e një rendi, njësoj si dikur në SHBA, i mirënjohuri dhe modesti William Colby.

s.zaimi

Comments

Submitted by Korrigjim (not verified) on

Kontrolloni shifren 240,000 km. Eshte nje distance qe behet me avion brenda nje viti nga njerez te ketij kalibri

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.