Si duhet parë studenti i sotshëm serb që proteston

Aleksandër Vucic ka nisur të tregojë fytyrën e vërtetë të pushtetit në Serbi. Të hënën në mbrëmje mediat raportuan se policia sulmoi studentë që bllokuan këshillin bashkiak të Novi Sadit. Të njëjtat media raportuan se gjatë incidentit studentët këndonin ndër të tjera edhe:
Shkoni në Kosovë!
Një mesazh ky i parë vazhdimisht në protestat e studentëve gjatë këtyre katër muajve duke hedhur një dritë mbi idetë që qarkullojnë mes opozitarëve serbë. Nga njëra anë kërkesë për demokraci, reforma dhe të drejta, nga ana tjetër akuza për shitjen e Kosovës dhe thirrjet nacionaliste për rimarrjen e saj me forcë.
Çfarë kategorie politike është pra studenti i sotshëm serb? Ai që proteston dhe del në rrugë kundër një regjimi si ai Vucic?
Kjo është e vështirë të thuhet edhe në krahasim me studentë në Europë. P.sh gjatë fushatës së fundit të Izralit në Gaza, pati një sërë protestash në Perëndim, edhe nga studentë, por kryesisht pro palestinezëve. E parë në një aspekt ky është edhe një solidarizim me viktimat, kundër represionit shtetëror si instrument që çon para disa synime, por edhe një qasje për sigurinë ndryshe nga sa formulon establishmenti, apo të paktën ndryshe nga sa është artikuluar aleanca perëndimore deri më sot.
Po kështu nuk ka patur ndonjë reagim për t’u shënuar kundër Rusisë përgjatë këtyre tre viteve apo edhe në mbështetje të Ukrainës. Çka na bën të kuptojmë se ka një topitje të përgjithshme të kulturës tradicionale politike të protestës. Se protesta nuk asociohet më me grupe shoqërore që tipikisht e përfaqësonin atë. Jo vetëm protesta, por as edhe idetë e reja, prirjet dhe programet nuk kristalizohen më në të njëjtat mjedise. Provokimi i ka zënë vendin Novacionit të vërtetë, forma ka marrë rëndësinë kryesore përkundër përmbajtjes dhe dialogu apo debati publik është zhbërë në dy kultura periferike: zënkat live dhe heshtjen e atyre që dinë.
Duhet të pranojmë se studentët sinjalizojnë apo parathonë atë që vjen nesër. Kjo është fiziologjike. Dhe në raport me sa më sipër, protesta e studentëve serbë nuk kishte asgjë arbitrare dhe spektakolare në raport me tendencën homogjenizuese të marketimit përpara aktivizimit. Ajo ishte e duruar, e organizuar, paqësore dhe rezonoi me shoqërinë. Në fund të fundit ajo solli ndryshimin e qeverisë në Beograd dhe eventualisht zgjedhjet e reja.
Por nisur nga mesazhet për Kosovën që janë parë shpesh duhet të pranojmë se mes rinisë serbe nuk ka asnjë shenjë të qartë emancipimi në trajtimin e një çështjeje si Kosova. Duke pranuar rëndësinë e Kosovës në historinë serbe, apo edhe të Bosnjes për sigurinë e Serbisë dhe interesat e saj, është disi e papritur që Vucic sot të akuzohet nga brenda për dobësi në politikën rajonale nga ata që ngrihen për demokracinë. Jo se demokracia nuk pajtohet me interesin kombëtar, por këtu kemi të bëjmë me një lloj uniteti ideologjik dhe vazhdimësie që nuk shpjegon dot të ardhmen e kërkuar nga studentët. Që ajo të jetë ndryshe nga sot. Megjithatë kjo është çështje e një kulture, e një antropologjie politike që Meriton vëmendje sepse ka pasoja më të gjera sesa brenda vendit.
Aktualisht shoqëria serbe, tej e ndanë spektrit po shfaqet përherë e më shumë si revizionistë të status quosë rajonale dhe madje historisë së vonë, duke sugjeruar se paqja mes vendeve tona do të vijë vetëm nga muret. Që janë si fillim mure të moskuptimit. Megjithatë për aktivizmin politik si të tillë, rasti serb meriton përshëndetje dhe patjetër që do përfaqësojë një nga shembujt më të mirë të mosbindjes civile, ndërkohë që duket se pushteti ka nisur ta kooptojë protestën apo bërthamën e saj me mekanizma nga më të ndryshmit. Kjo edhe sepse në thelb nuk ishte e Drejta që e motivoi atë, as Ndryshimi real, por reagimi ndaj një ngjarjeje që vinte në kontekstin e një limontie të përgjithshme ku fjalët janë vetëm zhurmë.
Comments
Nuke di sa flet serbisht dhe
Nuke di sa flet serbisht dhe sa nga afer po i ndjek keto protesta. Lere pastaj qe do ishte me mire te kishe ndonje te njohur serb i cili ta sqaronte me mire per ty kete thirje GO TO KOSOVO.
qe ka nje ndjenje te forte nacionaliste ne serbi per kosoven kjo nuk ka dyshim. po bela e vetes jane ai brez i ri qe mendon akoma se u kthye bota permbys tashti qe kosova eshte e lire dhe jo serbe. Skane faj propaganda e qeverise serbe ehste non-stop.
por ne rastin e protestave per zararin e stacionit ne Novi Sad, kjo shprehje eshte me shume kunder qeverise dhe interpretohet si: o te korruptuar e plehra te qeverise: qe fshiheni pas ceshtjes te kosoves : nqs jeni kaq te preokupuar shkoni vete ne kosove dhe bejeni serbe mqs flisni gjithe kohes per te nderkohe qe ketu vlon korrupsioni e dhuna.
Pra eshte me shume nje thirrje sarkazem per qeverine dhe nje kritike me shume per Vucic. mungesa e simboleve nacionaliste per kosoven mes studentave e ne beograd gjate protestave e vertetojne kete. qofsha i gabuar! me beso studentat do ishin te lumtur ta flaknin vucic ne kosove se e dine qe do e shqyejne aty.
Une shpresoj dhe besoj qe rinia serbe nuk eshte aq idiote qe te kete kete pyken e nacionalizmit thelle ne tru (te mgulur nga keta qe jane e kane qene ne qeveri).
pra thjesht ... mos na shisni kosoven si shkakun dhe strumbullarin pse duhet te rini ne pushtet. nqs kaq e rendesishme shkoni mereni aty eshte kosova. Kete e mbeshte dhe tiktok serb, po mos me thuaj qe u mbyll aty dhe nuk keni me akses.
Add new comment