Blloku Bota
Kërkesa e parë për liçencën e mishit të kultivuar
Një kompani izraelite pret dritën jeshile të Zyrës Federale të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (USAV) në Zvicër për të prodhuar mishin e parë sintetik, që e ka origjinën në tokën europiane.
Aleph Farms ka dorëzuar dosjen në Zvicër, në pritje të lançimit të produkteve të saj edhe në Singapor dhe Izrael.
Putin: Afrika, qendër e re e pushtetit ndërkombëtar
“Afrika po bëhet një qendër e re pushteti dhe të gjithë duhet ta marrin këtë në konsideratë”. Presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se roli politik dhe ekonomik i Afrikës "ka ardhur duke u rritur në mënyrë eksponenciale".
Në Samitin Rusi-Afrikë, Putin vuri në dukje nismën e paqes afrikane për Ukrainën si një tregues të rolit në rritje të kontinentit.
Uji, shkak konflikti në Francë
Problemi i ujit në Francë, por edhe në Spanjë apo Itali ka mbërritur tashmë në një pikë që kërkon menaxhim policor. Mediat raportojnë për konflikte serioze mes fermerëve dhe ambientalistëve që kundërshtojnë mbjelljen e kulturave që kërkojnë shumë ujë si misri.
Macron i druhet "imperializmit të ri"
Presidenti francez, Emmanuel Macron, flet për një "imperializëm të ri" në Indo-Paqësor. “Në Indo-Paqësor, dhe veçanërisht në Oqeani, po shfaqet një imperializëm i ri dhe një logjikë fuqie që po kërcënon sovranitetin e disa shteteve, më të voglat, shpesh më të brishta,” tha Macron në një fjalim në Vanuatu.
“Patëm fat që na kolonizoi Britania”
Ish-kryeministri i Australisë, John Howard, ndezi polemika me deklaratën e tij, pak para një referendumi, i cili synon t’i japë popullatës indigjene më shumë zë.
Howard, i cili shërbeu si kryeministër i Australisë nga viti 1996 deri në 2007, tha se kolonizimi britanik ishte "gjëja më me fat që i ndodhi" vendit.
“Marrëdhënie strategjike siç e kërkon shekulli i ri”
Ministri rus i Mbrojtjes është zyrtari i parë i huaj që ftohet në Korenë e Veriut që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Sergei Shoigu u prit në Phenian, në një kohë kur atje po festohet përvjetori i Luftës Koreane.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Penian, KCNA, takimi "është një mundësi e rëndësishme për të zhvilluar marrëdhëniet strategjike dhe tradicionale midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, siç e kërkon shekulli i ri".
Kur zbulon padashje atë që po përpiqesh të fshehësh
Kina po ndjek me vëmendje se çfarë drejtimi do të marrë Italia në lidhje me projektin Belt&Road. Projekti infrastrukturor kinez, në të cilin synohet përfshirja e zonës që mbulonte dikur Rruga e Mëndafshit, është pranuar nga Italia me memorandumin e mirëkuptimit, në vitin 2019. Por Kina ia ka frikën ndërhyrjes së SHBA-së, para se Italia të marrë vendimin përfundimtar nëse do ta rinovojë apo anulojë marrëveshjen paraprake.
Kremlini: Jo, marrëveshjes së drithrave pa hapjen e tregjeve për prodhimet ruse
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka përjashtuar mundësinë e marrëveshjes për drithin në këtë moment. Duke iu referuar një letre të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Peskov, ka mohuar mundësinë e përmbushjes së kërkesës për zgjatje në kohë të Nismës së Detit të Zi, për shkak se siç tha ai, kërkesat ruse të njohura me marrëveshjen e deritanishme nuk janë respektuar.
Megjithatë Presidenti Putin bëri të qartë se Rusia është e gatshme të përfudnojë menjëherë marrëveshjen, sapo kushtet të përmbushen
Kina shkarkon ministrin e Jashtëm
Pekini zyrtar shkarkoi ministrin e Jashtëm, Qin Gang, i zhdukur prej më shumë se tre javësh nga daljet publike. Sipas medias shtetërore, CCTV, detyra do t’i besohet paraardhësit të Qin, Wang Yi.
Raportimet në mediat kineze nuk përfshjnë arsyet e shkarkimit të shefit të diplomacisë, i cili e mori detyrën në dhjetor të vitit të kaluar.
Qin, 57 vjeç, ish-ambasador në SHBA, u promovua me shpejtësi kur Xi po formonte një ekip të ri vitin e kaluar.
Riprodhimi i asistuar/ Gjykata hedh poshtë refuzimin e burrit për t’u bërë baba
Burri nuk mund të refuzojë të bëhet baba pasi fëmija të jetë ngjizur. Përparimi i mjekësisë, sidomos në fushën e riprodhimit, ka hapur debate të reja dhe raste konkrete të kësaj natyre po përfundojnë në gjykatë.