“Marrëdhënie strategjike siç e kërkon shekulli i ri”
Ministri rus i Mbrojtjes është zyrtari i parë i huaj që ftohet në Korenë e Veriut që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Sergei Shoigu u prit në Phenian, në një kohë kur atje po festohet përvjetori i Luftës Koreane.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve në Penian, KCNA, takimi "është një mundësi e rëndësishme për të zhvilluar marrëdhëniet strategjike dhe tradicionale midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, siç e kërkon shekulli i ri".
Sipas KCNA, të cilës i referohet Al Jazeera, Kim pati "një bisedë miqësore" me Shoigu, i cili i dha atij një letër të firmosur në fund nga presidenti rus Vladimir Putin.
Rusia, aleat historik i Koresë së Veriut, është një nga vendet e pakta me të cilat Peniani mban marrëdhënie miqësore. Gjatë takimit janë diskutuar "çështje që shqetësojnë të dy vendet dhe që lidhen me fushat e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare", tha agjencia e lajmeve koreano-veriore.
Gjatë vizitës, ministri rus ka bërë një ndalesë në një ekspozitë të pajisjeve ushtarake, ku sipas medias vendase iu treguan "armë dhe pajisje të një lloji të ri".
Peniani ka mbështetur Rusinë për luftën në Ukrainë, duke thënë se shkak i invazionit rus është bërë hegjemonia e SHBA-së, që ka sjellë si reagim përpjekjet e Rusisë për të mbrojtur interesat e saj të sigurisë. Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka akuzuar regjimin e Kim se i ka siguruar armëve forcave ruse në Ukrainë, akuzë të cilën Peniani e mohon.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB, Moska dhe Pekini i kanë bllokuar në mënyrë të përsëritur përpjekjet perëndimore për të shtuar sanksionet kundër Koresë së Veriut si ndëshkim për programin e saj bërthamor.
Add new comment