Riprodhimi i asistuar/ Gjykata hedh poshtë refuzimin e burrit për t’u bërë baba
Burri nuk mund të refuzojë të bëhet baba pasi fëmija të jetë ngjizur. Përparimi i mjekësisë, sidomos në fushën e riprodhimit, ka hapur debate të reja dhe raste konkrete të kësaj natyre po përfundojnë në gjykatë.
Gjykata Kushtetuese në Itali ka dhënë vendimin për një rast të tillë, ku implikohet riprodhimi i asistuar. Rasti në fjalë ka të bëjë me një grua, e cila kishte kërkuar implantimin e embrionit të krijuar kohë më parë me spermën e partnerit të saj të atëhershëm. Çifti u nda, por gruaja dëshironte ta sillte në jetë fëmijën, ndërsa burri refuzonte. Ndërkohë që embrioni ishte ende në laborator, burri pretendoi se nuk mund të bëhej baba kundër vullnetit të tij, pavarësisht se ligji 40 për riprodhimin e asistuar mjekësor përcakton se pasi të dyja palët kanë dhënë pëlqimin, atëherë ky i fundit bëhet i parevokueshëm (neni 6, paragrafi 3).
Gjykata Kushtetuese, e cila dha sot vendimin, argumenton se në rastin konkret prevalon interesi i gruas, e cila ka bërë "një investim të rëndësishëm fizik dhe emocional në funksion të prindërimit, që përfshin rreziqe, pritshmëri dhe vuajtje, dhe që ka një pikë kthese kur formohen një ose më shumë embrione. Prandaj, trupi dhe mendja e gruas janë investuar në mënyrë të pandashme në këtë proces, i cili kulmon në shpresën konkrete për të gjeneruar një fëmijë, pas implantimit të embrionit në mitrën e saj. Me këtë investim fizik dhe emotiv, që ka përcaktuar lindjen e pritshmërisë për mëmësi, gruaja e ka siguruar atë në bazë të besimit që i është dhënë nga pëlqimi i burrit për projektin e përbashkët prindëror”, thuhet në vendimin e cituar nga Avvenire.
Gjykata ka marrë parasysh edhe interesat e vetë embrionit, që nuk mund të konsiderohet një “gjë” e thjeshtë për t’u asgjësuar me indiferentizëm, apo për t’u lënë në ngrirje sepse refuzohet nga kushdo që e ka ngjizur. Nuk është rastësi që Gjykata Kushtetuese flet për “dinjitetin” e embrionit.
Pëlqimi që ligji 40 kërkon me shkrim të paktën 7 ditë përpara fillimit të “teknikave”, duke lënë kështu një pauzë adekuate për reflektim, bëhet një rrugë pa kthim për burrin, përtej asaj që mund të ndodhë në vitet në vijim në raportin e tij me gruan. Por mes lirisë dhe përgjegjësisë, fiton kjo e fundit. Një pikë pa kthim, por edhe një pikë nisjeje: për dinjitetin e embrionit, pra të jetës njerëzore, që nuk mund të krijohet në laborator pa paragjykuar mundësinë e “të menduarit për të”, dhe për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të gruas. Prandaj, liria dhe vetëvendosja e njeriut, përballë një perspektive të atësisë të arritur me anë të riprodhimit të asistuar, përfshihen në mënyrë "jo të paarsyeshme". E njëjta gjë nuk mund të pritet për nënën: asnjë gjykatës apo mjek nuk mund ta detyrojë një grua të vazhdojë një shtatzëni pa vullnetin e saj.
Add new comment