SHBA, Rusia dhe Raiffeisen Bank në mes

Postuar në 05 Korrik, 2024 15:14

Paralajmërimi i SHBA drejtuar Raiffeisen Bank International të Austrisë për të anuluar një marrëveshje që lidhet me një nga oligarkët më të fuqishëm të Rusisë u përshkallëzua në ultimatum një muaj më parë.

Në një letër drejtuar bankës, për të cilën u vunë në dijeni edhe mbikëqyrësi i saj Banka Qendrore Evropiane dhe qeveria e Austrisë, Uashingtoni e kërcënoi Raiffeisen se do t’i kufizonte aksesin në dollarë, një masë që do ta dënonte me vdekje huadhënësin më të madh perëndimor në Rusi.

Fjala është për një marrëveshje të bankës për të blerë aksione në firmën austriake të ndërtimit Strabag, për të cilën Thesari amerikan thoshte se i përkiste biznesmenit rus të sanksionuar Oleg Deripaska.

Raiffeisen reflektoi brenda pak orësh, megjithatë kjo solli nisjen e një krize mosbesimi nga pala amerikane.

Gati dy muaj më vonë, presioni ndaj bankës për të shkëputur lidhjet e saj me Rusinë po rritet, si nga Uashingtoni ashtu edhe nga BQE, citon Reuters tre persona që kanë dijeni mbi çështjen.

Raiffeisen dhe Austria, janë në vijën e parë të një nxitjeje globale nga Shtetet e Bashkuara për të izoluar Rusinë duke përforcuar sanksionet ndaj bankave dhe duke i penguar asaj aksesin në mallrat perëndimore.

Reuters citon burime të tjera, sipas të cilave “Raiffeisen dështoi të marrë parasysh paralajmërimet më shumë se një vit më parë nga rregullatorët evropianë se ishte duke luajtur një lojë me rrezik të lartë me Uashingtonin për biznesin e tij në Rusi”.

Uashingtoni vijon ta monitorojë nga afër bankën, marrëdhëniet e saj me Rusinë dhe çdo shkelje të mundshme të sanksioneve, thanë dy nga njerëzit me njohuri për procesin.

Oleg Deripaska akuzohet nga Shtetet e Bashkuara se është pjesë e një fushate të mbështetur nga Kremlini për të ndërhyrë në zgjedhjet e tij presidenciale të vitit 2016.

Uashingtoni ka fuqinë të gjobisë bankat në shkelje të sanksioneve, ose t'u ndërpresë atyre aksesin në dollarin amerikan. Një masë e ngjashme u mora ndaj bankës franceze BNP Paribas në 2014, kur u gjobit me 9 miliardë dollarë për shkeljen e sanksioneve të SHBA-së ndaj Sudanit, Iranit dhe Kubës.

“Raiffeisen dhe Austria po luajnë me zjarrin," tha Nina Tomaselli, ligjvënëse austriak nga të Gjelbrit, të cilët janë pjesë e koalicionit qeverisës të vendit. “Duam apo jo, Amerika ka kamxhikun në dorë”.

Ndërsa shumë qeveri perëndimore e kanë shmangur Rusinë, disa politikanë austriakë kanë hezituar të ndërpresin lidhjet me të. Austria ende mbështetet te gazi rus, ndërsa Vjena ka vepruar si qendër për paratë nga Rusia dhe fqinjët e saj ish-sovjetikë përmes një rrjeti financiar të ndërtuar pas rënies së komunizmit.

Raiffeisen ka depozita në një total prej 14 miliardë eurosh në Rusi.

Me prona të shumta industriale, më shumë se 18 milionë klientë nga Vjena në Moskë dhe 44 000 punonjës, Raiffeisen është pikë kyçe financiare për Austrinë dhe pjesën më të madhe të Evropës Lindore.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Rusia është bërë klient fitimprurës për bankën me rreth gjysmën e fitimeve të grupit në tre muajt e parë të këtij viti – pasi tarifat për pagesat jashtë vendit u rritën.

Më shumë sesa direkt, Uashingtoni ka zgjedhur të ushtrojë presion mbi bankën përmes rregullatorëve europianë. Këta të fundit kanë diskutuar disa herë mbi një plan për një ndarje të mundshme të bankës në rast emergjence, megjithatë problemet e dy bankave amerikane dhe Credit Swiss në mars të 2023-shit e larguan vëmendjen nga banka austriake.

Duke cituar një zyrtar publik, Reuters raporton se negociatat me Raiffeisen, pjesë e një grupi të fuqishëm me rrënjë në bujqësinë alpine dhe me ndikim të gjerë politik, nuk është e lehtë.

Edhe vetë Banka qendrore e Austrisë, e cila ka fuqinë të ngrijë aktivet, thotë se u takon vetë bankave të sigurojnë që marrëveshjet të mos shkelin sanksionet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.