Epoka e megalopoleve
Më 15 nëntor 2022, një vajzë e quajtur Vinice Mabansag, e lindur në Spitalin Memorial Dr Jose Fabella në Manila, Filipine, u bë – simbolikisht – personi i tetë miliardtë në botë. Nga 8 miliardë banorët e Tokës, 60% jetojnë në një qytet të madh apo një të zakonshëm. Deri në fund të shekullit të 21-të, qytetet do të përbëjnë 85% të 10 miliardë banorëve që pritet të ketë Toka.
Qytetet nuk rriten vetëm nga numri i banorëve. Sa më shumë njerëz të jetojnë në to, aq më shumë shërbime (transport publik, infrastrukturë energjetike, furnizim me ujë) u duhen, po aq më shumë qeverisje kërkojnë dhe aq më elastike duhet të jetë ekonomia e tyre. Mund të duket e habitshme, pra, kur kupton se nuk ka asnjë përkufizim të qartë mbi atë se çfarë është në të vërtetë një qytet.
Në epokën mesjetare, qytetet nga Londra në Seul përcaktoheshin nga muret e tyre. Dhe madje edhe në shekullin XX, ideja e kufijve të një qyteti ende nuk ishte e qartë. Sot, nëse procesi i urbanizimit sjell ende në mendje metropolet më të mëdha të paramijëvjeçarit (Tokio, São Paulo, Nju Jork ose Mumbai), ato përfaqësojnë megjithatë, një përqindje në rënie të të gjitha qyteteve të mëdha të botës.
Në të kundërt, në qendrat urbane me rritje më të shpejtë, si Lagos, shtrirja gjeografike e juridiksionit zyrtar të një kryetari bashkie shpesh përfundon shumë përpara popullsisë të cilës i shërben. Ndërkohë, ekonomia e saj shpesh është e ndërthurur thellë me ato të qyteteve fqinje.
Pyetja se ku të vendoset kufiri midis asaj që është dhe asaj që nuk është qytet – për të mos përmendur se ku mbaron njëri dhe fillon tjetri – po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të marrë përgjigje. Ndërsa bota shkon drejt urbanizimit total, vendbanimet po përhapen duke u shkrirë në njëra-tjetrën për të krijuar ato që ekspertët urbanë i quajnë "megalopolis".
Si u rritën qytetet
Më i madhi prej këtyre mega-qyteteve tashmë i kalon 60 milion njerëz. Në Kinë, rajoni i provincës Guangdong rreth grykëderdhjes së lumit Pearl, tani i njohur si Zona e Gjirit të Madh, bashkon në mënyrë efektive 11 qytete, nga Makao e gjer në Guangzhou, Shenzhen dhe Hong-Kong.
Me një popullsi totale prej mbi 70 milionë banorësh, ai numëron 2 milionë njerëz më shumë se e gjithë popullsia e Britanisë së Madhe, e mbledhur në afërsisht një të pestën e zonës. Në terma ekonomikë, Guangdong duket po aq i madh: në 1.64 trilion dollarë (1.39 trilion £) në 2018, PBB-ja e tij përfaqëson 11.6% të totalit të Kinës.
Ndërkohë, në bregun perëndimor të Afrikës, zona që shtrihet në 600 km midis Abidjanit, Bregut të Fildishtë dhe Lagos, në Nigeri, ndryshon me shpejtësi. Ekspertët parashikojnë se deri në vitin 2100, ky grumbull prej nëntë qytetesh do të jetë më i denduri i populluar në Tokë, me deri në 500 milionë njerëz.
Qytetet filluan të rriteshin vetëm në mesin e shekullit XVIII, kur nisëm të ndërtonim makineri që do të na vinin në lëvizje shumë më shpejt – dhe të na çonin më larg – se çdo teknologji e shpikur deri më tani. Për herë të parë, qytetet dhe Londra, në veçanti, kaluan pragun e rreth 1 milion njerëzve, që kishte dominuar deri në atë moment botën urbane.
Disa qytete të mëdha, mes të cilave Çikago dhe Nju-Jorku, u ngritën në lartësi pasi teknologjitë e kornizave të çelikut dhe ashensorët u mundësonin atyre që kishin burimet të ngrinin rrokaqiejt e hershëm, "katedralet e tregtisë".
Me shpikjen e automobilave, shumë qytete, si Los Angeles, janë rritur zgjeruar, pavarësisht rezistencës së madhe ndaj idesë së shtrirjes urbane.
Disa qytete të mëdha në botën në zhvillim, mes të cilave Dar es Salaam në Tanzani ose Nairobi në Kenia, janë rritur nga brenda. Në këtë rast ka zënë rrënjë ideja e qytetit kompakt të bazuar në transportin publik dhe me dendësi më të madhe banimi.
Metaverse dhe përkufizimi i ri për qytetin
Shumica e njerëzve sot jetojnë në qytete të mesme apo edhe të vogla. Ne ende varemi kryesisht nga motori me djegie të brendshme për të lëvizur nga aktiviteti në aktivitet, zakonisht në shtëpi dhe në punë.
Megjithatë, gjatë 50 viteve të fundit, hyrja e kompjuterëve dhe e komunikimit në rrjet ka bërë që njerëzit të mund të jetojnë në distanca të mëdha nga kolegët e tyre. Kjo mjegullon kufijtë fizikë të çdo qyteti.
Numërimi i banorëve të një qyteti dhe hartimi i kufijve të tij gjeografikë janë vetëm disa nga aspektet që duhen marrë parasysh kur përkufizohet se çfarë është një qytet. “Lëkura” dixhitale që tani mbulon planetin u mundëson qytetarëve të çdo qyteti të ndërveprojnë me cilindo, në çdo vend, në çdo kohë.
Qytetet do të vijojnë të rriten dhe të ndryshojnë fizikisht. Deri në fund të shekullit XXI, çdo vend pa dyshim do të jetë qytet në njëfarë mënyre, por vetë termi nuk ka gjasa të zhduket. Në vend të kësaj, do t’i ndryshojë kuptimi.
Në vitin 1937, në një përmbledhje të titulluar “Lexuesi i qytetit”, historiani Leëis Mumford argumentoi se megjithëse qytetet mund të identifikoheshin si entitete fizike, ato ishin vende të ndërveprimit shoqëror, të komunikimit.
Kjo rezonon fuqishëm me nocionin se në të ardhmen nuk do t'i mendojmë më qytetet thjesht si qendra të veçanta fizike në një peizazh rural, por si modele të lëvizjes dixhitale, që përshkojnë planetin në shumë shkallë nga megaqyteti deri në lagjen lokale. Kufijtë nuk do të kenë më të njëjtin kuptim si para revolucionit të parë industrial në Britani në 1830.
Studiuesit bien dakord se, ndërsa qytetet bëhen më të mëdha, ato gjenerojnë ekonomi të një shkalle të tillë që dominon gjithnjë e më shumë rritjen dhe prosperitetin e tyre ekonomik. Provat sugjerojnë se bota urbane është edhe më komplekse.
Qytetet gjithnjë e më shumë u ngjajnë sistemeve biologjike, më shumë se sa sistemeve mekanike, ndërsa rrjetet e transportit që shtrihen në brendësi të tokave përreth tyre u ngjajnë fraktaleve arboreale.
Bota urbane në zhvillim është shumë e ndryshme nga çdo gjë që ka kaluar deri tani. Përpjekja për të përcaktuar kufijtë fizikë të qytetit mbetet e rëndësishme. Megjithatë, në përpjekjen për të kuptuar se si ta llogaritim këtë kompleksitet të ri, rrezikojmë të mbetemi shumë sipërfaqësorë.
1Profesor i Informacionit Gjeografik dhe Hartografisë, UCL
2President dhe Profesor i Planifikimit, UCL
/ The Conversation /
Add new comment