Kriza e refugjatëve si mundësi e Shqipërisë për raportet me Greqinë

Postuar në 08 Mars, 2016 10:18

Kryeministri Edi Rama deklaroi pak ditë më parë se Shqipëria nuk do të hapë kufijtë për refugjatët sirianë, pasi nuk ka delirin se e vetme mund të shpëtojë botën. Megjithatë, ajo çka nuk tha kryeministri janë bisedimet që po zhvillohen mes Tiranës dhe Athinës për strehimin e 10 mijë refugjatëve në Shqipëri.
Në këtë krizë që ka goditur rajonin e Ballkanit dhe Europën, të gjithë biem dakord për një gjë. Shqipëria në çdo rrethanë nuk duhet të mbyllë kufijtë për refugjatët, për shkak të së kaluarës tonë të largët dhe të afërt. Por ajo që po ndodh, është se Shqipëria po kërkon dhe po nxiton që të bëhet vullnetarisht pjesë e këtij problemi.
Duket se edhe Athina po ngulmon në përfshirjen e Shqipërisë në këtë proces, në një kohë kur fqinjët e saj kanë mbyllur kufinj, çka ka tensionuar jo pak marrdhëniet mes tyre. Tashmë marrëdhëniet diplomatike mes Greqisë dhe Austrisë janë në nivelet më të ulta, ndërsa Athina ka kërcënuar Maqedoninë dhe Serbinë për pasoja, pas vendimit të këtyre të fundit për të vepruar njësoj si disa vende të BE-së, të mbyllin kufijtë dhe të vendosin aty ushtarët.
Meqënëse Shqipëria shumë shpejt do përfshihet në këtë çështje, atëherë është koha që të nxirren edhe disa përfitime diplomatike prej saj. Fqinji ynë jugor është pothuajse i paraliziuar nga kriza e refugjatëve. Mungesa e bashkëpunimit me vendet e tjera të Ballkanit, veprimi i ngadaltë i Brukselit dhe hyrja çdo ditë e qindra njerëzve nga Turqia, e kanë lënë të vetme Greqinë në këtë krizë.
Nëse shteti ynë ka kapacitet për të pranuar 10 mijë refugjatë, atëherë le ta bëjë, por jo pa përfituar asgjë prej saj. Në kushtet e një situate moralisht të drejtë dhe shumë parimore, ky diskutim do të ishte i tepërt, por në fakt, në realitet çdo lëvizje diplomatike dhe politike ka nga pas edhe përfitimet e saj.
Çështja e detit, njohja e pavarësisë së Kosovës, ligji i luftës, çështja çame janë disa nga temat ku Tirana duhet t’i kërkojë Athinës të ecë në rrugën e zgjidhjes së tyre. Shqipëria ndodhet realisht superiore ndaj Greqisë në këtë situatë dhe çdo ndihmë që mund të jepet për vendin fqinj duhet të ketë përfitimet e veta, dhe 10 mijë refugjatë të larguar nga Greqia për në Shqipëri është vërtetë një ndihmë e madhe.
Turqia do të përfitojë 6 miliardë dollarë nga Brukseli dhe heqjen e vizave për qytetarët e saj, me besimin se do të ndalë fluksin e refugjatëve sirianë që vijnë çdo ditë drejt Europës. E përse Shqipëria duhet të veprojë ndryshe?
Të mos harrojmë se një tjetër aleat i Shqipërisë, Italia, nuk e sheh me sy të mirë përfshirjen e vendit tonë në hartën e lëvizjes së refugjatëve. Frika se edhe deti Adriatik mund të kthehet një portë hyrëse e qindra dhe mijërave refugjatëve për në Itali, e tremb jo pak Romën, ndaj edhe vizitat e zyrtarëve italianë në Tiranë kanë qenë të shpeshta kohët e fundit.
Duke rrezikuar deri diku një pakënaqësi të Romës, Tirana duhet të mendojë dhe të veprojë me kujdes duke maksimalizuar përfitimet e saj në çdo lëvizje në bisedimet që po zhvillon me Athinën dhe jo për t’u shitur ashtu siç Rama mohoi, si shpëtimtarët e botës.

PS: Dërguar në adresën elektronike me autorësinë Artist Pena

Comments

Submitted by Symadhi (not verified) on

Shkrim i shkelqyer.
Mendime te sakta e precize.
Pergezoj autorin Artist Pena.
Me pushke e pene per memedhene.

Submitted by OK (not verified) on

Me pelqen

Submitted by Halili (not verified) on

Ku eshte Kosova ne kete harte e nderuara redaksi?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.