Europa duhet të zgjohet nga gjumi
Evropa po ecën si somnabul dhe populli i saj duhet të zgjohet para se të jetë tepër vonë. Nëse nuk e bëjnë këtë, Bashkimi Evropian do të ketë fatin e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. As udhëheqësit tanë, as qytetarët e zakonshëm nuk e kuptojnë se po përjetojmë një moment revolucionar, se sfera e mundësive është shumë e madhe dhe se, në këto kushte, rezultati eventual është shumë i pasigurt.
Shumica prej nesh supozojmë se e ardhmja do të ngjajë pak a shumë me të tashmen, por nuk është domosdoshmërisht kështu. Në jetën time të gjatë dhe me shumë ngjarje, kam përjetuar shumë periudha të asaj që unë e quaj disekuilibër radikal. Ne po jetojmë sot në një periudhë të tillë.
Pika tjetër e kthesës do të jenë zgjedhjet për Parlamentin Evropian në maj 2019. Për fat të keq, forcat antievropiane do të gëzojnë një avantazh konkurrues në votim. Arsyet për këtë janë disa, duke përfshirë sistemin e vjetër të partive që mbizotëron në shumicën e vendeve evropiane, pamundësinë praktike të ndryshimit të traktatit dhe mungesën e mjeteve ligjore për disiplinimin e shteteve anëtare që shkelin parimet mbi të cilat u themelua Bashkimi Evropian. BE mund të imponojë acquis communautaire (organi i së drejtës së Bashkimit Evropian) mbi vendet kandidate, por nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të zbatuar pajtueshmërinë e shteteve anëtare.
Sistemi i vjetëruar i partive pengon ata që duan të ruajnë vlerat mbi të cilat u themelua BE-ja, por i ndihmon ata që duan t'i zëvendësojnë këto vlera me diçka rrënjësisht të ndryshme. Kjo ndodh në vende të veçanta dhe akoma më shumë në aleancat trans-evropiane.
Sistemi partiak i shteteve individuale pasqyron ndarjet që patën peshë në shekujt XIX dhe XX, si p.sh. konflikti midis kapitalit dhe punës. Por ndarja që ka më shumë rëndësi sot është ajo midis forcave pro antievropiane.
Vendi dominues i BE-së është Gjermania dhe aleanca politike dominuese në Gjermani – ajo mes Bashkimit Kristian Demokratik (CDU) dhe Bashkimit Kristian Social (CSU) me bazë në Bavari - është bërë i paqëndrueshëm. Aleanca ka funksionuar për aq kohë sa nuk ka pasur parti të rëndësishme në Bavari, në të djathtë të CSU-së. Por kjo ndryshoi me rritjen e ekstremit të djathtë Alternative für Deutschland (AfD). Në zgjedhjet e fundit të shtatorit, rezultati i CSU ishte më i keqi në më shumë se gjashtë dekada, dhe AfD hyri për herë të parë në parlamentin bavarez.
Rritja e AfD-së hoqi “arsyen e ekzistencës” së aleancës CDU-CSU. Por kjo aleancë nuk mund të ndahet pa çuar në zgjedhje të reja, të cilat as Gjermania dhe as Evropa nuk mund t’i përballojnë. Siç është sot, koalicioni aktual në pushtet nuk mund të jetë aq rrënjësisht pro-europian sa do të ishte pa AfD-në.
Situata është e zymtë. Të Blertët në Gjermani po shfaqen si partia e vetme pro-evropiane në vend dhe vazhdojnë të rriten në sondazhet e opinionit, ndërsa AfD duket se ka arritur pikën e vet të lartë (përveç në ish-Gjermaninë Lindore). Por tani votuesit e CDU/CSU përfaqësohen nga një parti, angazhimi i të cilës për vlerat evropiane është ambivalente.
Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, një strukturë e panjohur partish pengon vullnetin popullor për të gjetur shprehjen e duhur. Të dyja partitë, laburistët dhe konservatorët, ndahen në mënyrë të brendshme, por liderët e tyre, Jeremy Corbyn dhe Theresa May, janë kaq të vendosur të çojnë në fund Brexit-in për të cilin kanë rënë dakord. Situata është kaq e komplikuar sa që shumica e britanezëve duan thjesht ta kalojnë si fazë, edhe pse Brexit do të jetë një ngjarje që do të përcaktojë fatin e vendit për dekada të tëra.
Por afrimi mes Corbyn dhe kryeministres May ka ngjallur opozitë te të dyja partitë, të cilat në rastin e laburistëve janë në kufijtë e rebelimit. Ditën pasi Corbyn dhe May u takuan, kryeministrja njoftoi një program për të ndihmuar zonat e varfëra pro-Brexit të laburistëve në veri të Anglisë. Corbyn tani akuzohet se ka tradhtuar premtimin e bërë në konferencën e partisë së tij në shtator 2018 për të mbështetur një referendum të dytë të Brexit-it nëse nuk është e mundur të mbahen zgjedhje të reja.
Publiku po bëhet gjithashtu i vetëdijshëm për pasojat e tmerrshme të Brexit-it. Shanset që marrëveshja e kryeministres May të refuzohet më 14 shkurt* po rriten. Kjo mund të vërë në lëvizje një bazë të mbështetjes për një referendum apo, edhe më mirë, për revokimin e nenit 50.
Italia po ashtu gjendet në një situatë të ngjashme. BE-ja bëri një gabim fatal në vitin 2017 duke zbatuar në mënyrë rigoroze Marrëveshjen e Dublinit, e cila padrejtësisht i ngarkon vendet si Italia, nëpër të cilën emigrantët hyjnë për herë të parë në BE. Kjo gjë e çoi elektoratin proevropian dhe proimigracionit të Italisë në krahët e Legës anti-evropiane dhe të Lëvizjes Pesë Yjet, në zgjedhjet e 2018-s. Partia Demokratike, e cila ishte më parë shumicë, është në kaos. Si rezultat, një pjesë jo e vogël e elektoratit, që mbetet proevropiane, nuk ka asnjë parti për të cilën të votojë. Megjithatë, ekziston një përpjekje për të organizuar një listë të bashkuar pro-evropiane. Një riorganizim i ngjashëm i sistemeve të partive po ndodh në Francë, Poloni, Suedi dhe ndoshta edhe në vende të tjera.
Kur bëhet fjalë për aleancat trans-evropiane, situata është edhe më e keqe. Partitë nacionaliste të paktën kanë disa rrënjë në të kaluarën, por aleancat trans-evropiane janë krejtësisht të diktuara nga interesi vetjak i liderëve të partive. Partia Popullore Evropiane (PPE) është shkelësi më i keq i këtij rregulli. PPE është pothuajse tërësisht pa parime, siç tregon gatishmëria e saj për të lejuar kryeministrin hungarez, Victor Orban, të jetë anëtar, një strategji kjo që (PPE) të ruajë shumicën e saj dhe të kontrollojë shpërndarjen e vendeve të punës në BE. Forcat anti-evropiane mund të duken mirë në krahasim: të paktën ato kanë disa parime, edhe nëse kanë urrejtjen brenda.
Është e vështirë të parashikohet se si partitë pro-evropiane mund të dalin fitimtare nga zgjedhjet në maj nëse nuk i vënë interesat e Evropës përpara vetes. Dikush mund të luftojë për ruajtjen e BE-së, në mënyrë që radikalisht ta reformatojë atë. Por kjo do të kërkonte një ndryshim mendimi në BE. Udhëheqja e tanishme është reminishencë e byrove politike ra Bashkimi Sovjetik – vijonte të lëshonte kumtesa sikur ato të kishin ende rëndësi.
Hapi i parë për të mbrojtur Evropën nga armiqtë e tij, si brenda ashtu edhe jashtë, është të njohim madhësinë e kërcënimit që ata paraqesin. E dyta është të zgjohet shumica pro-evropiane e fjetur dhe të mobilizohet për të mbrojtur vlerat mbi të cilat BE është ndërtuar. Përndryshe, ëndrra e një Evrope të bashkuar mund të kthehet në makthin e shekullit XXI.
*Më 14 shkurt, Parlamenti britanik hodhi planin e kryeministres Theresa May për rinegocimin e marrëveshjes për daljen nga BE-ja
Shkrimi është publikuar më 18 shkurt 2019
TvTema
Comments
Europa eshte e te pasurve dhe
Europa eshte e te pasurve dhe e vendeve te pasura! Perse duhet i varferi i perjetshem dhe vendi i varfer te luftoje per Europen e Bashkuar!?
Add new comment