Eksperimenti i Tiranës
Tirana po bëhet një qendër dinamike për arkitekturën e pazakontë pasi politikanët u drejtohen arkitektëve të huaj të profilit të lartë për ta transformuar kryeqytetin shqiptar në një "qytet botëror", raporton Starr Charles. “Tirana po ndryshon kaq shpejt, kaq shumë, shumë shpejt dhe në një mënyrë shpërthyese”, thotë arkitekti italian Stefano Boeri për Dezeen.
“Është shumë e vështirë të gjesh një arkitekt që nuk punon në Tiranë apo Shqipëri tani”, shtoi bashkëthemeluesi i OODA-s, Diogo Brito. “Ajo që po shohim në Shqipëri është krejt unike”.
Fokusi në "shprehjen artistike"
Aktualisht, në kryeqytetin shqiptar janë propozuar ose janë në ndërtim e sipër një valë shumëkatëshesh radikale, të dizajnuara shpesh nga studio të huaja të njohura dhe që shpesh marrin forma të çuditshme. Shembujt përfshijnë një kullë në formën e heroit kombëtar të shtetit të dikurshëm komunist nga studio holandeze MVRDV dhe një tjetër që i ngjan një pirgu shtëpish, projektuar nga studio italiane Network of Architecture (NOA) në bashkëpunim me vendasen Atelier 4. Tirana është rasti i rrallë i një mjedisi në të cilin arkitektët inkurajohen të shtyjnë kufijtë, thotë për Dezeen bashkëthemeluesi i NOA, Lukas Rungger.
"Është maksimumi i shprehjes artistike që merr përparësi dhe më pas gjen mënyra për t’u ndërtuar", thotë ai për procesin e projektimit dhe ndërtimit në qytet. "Unë mendoj se ideja është shumë më tepër për të prodhuar një vepër arti ose një skulpturë, ose çdo gjë që fillon më shumë nga rrëfimi, sesa nga një qasje strukturore ose një qasje estetike."
Firma portugeze OODA është ndër studiot e huaja më aktive në Shqipëri, me tetë propozime në zhvillim. Këto përfshijnë qiellgërvishtësen Hora Vertikale, i përbërë nga 13 kube që arrijnë 140 metra lartësi, dhe Bond Tower e zbuluar së fundmi, e cila do të përbëhet nga dy kulla të lidhura që ngrihen 50 kate dhe të dizajnuara për të evokuar "bukurinë e baletit".
Bashkëthemeluesi i OODA, Brito, thotë se arkitektët e huaj po tërhiqen nga liria krijuese që ofrohet, e lehtësuar nga ligjet relativisht të relaksuara të planifikimit dhe rregulloret e ndërtimit në krahasim me vendet e tjera në Evropë. "[Shqipëria] po u jep fuqi të madhe arkitektëve në mënyrë që të dizajnojnë me shumë më pak burokraci, ligje dhe rregullore që gjejmë në vendet e tjera, por gjithashtu na jep neve arkitektëve më shumë përgjegjësi për ta bërë atë mirë," i tha ai Dezeen.
“Ajo që po shohim në Shqipëri është krejt unike”, shtoi ai. "Ne po kapim mundësinë për të punuar me projekte të tilla mahnitëse, si kulla të mëdha dhe resorte në jug, ku arkitekti luan një rol të rëndësishëm në të gjithë qëllimin e projektit."
“Të gjithë arkitektët më të shquar sapo kanë filluar të ndërtojnë atje apo të miratojnë projekte dhe është shumë e vështirë të gjesh një arkitekt që nuk punon në Tiranë apo Shqipëri për momentin”.
Fluksi i arkitektëve të huaj po ndihmon për të plotësuar një boshllëk eksperience në fuqinë punëtore të arkitekturës në Shqipëri dhe për të rritur profilin e skenës ekzistuese të projektimit, sipas drejtorit të Atelier4, Andi Efthimi. “Ne nuk përpiqemi të sjellim vetëm emra të mëdhenj, sa për fillim, vetëm për t'u marrë seriozisht”, tha ai për Dezeen. "Për momentin, vetëm njerëzit që i kanë këto ide të këndshme dhe kreative janë ata që kanë projekte të reja."
Arkitektura bashkëkohore luan "rol kryesor"
Bumi po drejtohet nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili u zgjodh në 2015-n, dhe kryeministri shqiptar dhe kolegu i tij socialist, Edi Rama. Ata e kanë bërë arkitekturën dhe dizajnin urban pjesë kyçe të strategjisë për të rritur reputacionin ndërkombëtar të Tiranës, ndërsa Shqipëria kërkon të tërheqë më shumë turistë dhe të mbajë rritjen ekonomike.
“Mendoj se ideja është shumë e qartë: të bëjmë një qytet që është me të vërtetë një qytet botëror”, tha Boeri, i cili është ngarkuar me zhvillimin e masterplanit Tirana 2030. Plani i Boerit ka prioritet shërbimet e transportit, zonat e gjelbra, zgjerimin e kontrolluar urban dhe mbrojtjen e trashëgimisë arkitekturore të qytetit.
Ai ka hapur një zyrë në Tiranë, duke pranuar kështu faktin se ky qytet po kthehet në një pikë të rëndësishme të arkitekturës.
“[Rama] vendosi ta bëjë Tiranën një vend ku prania e arkitekturës bashkëkohore po luan vërtet një rol kryesor në të ardhmen e qytetit”, shpjegoi Boeri. "Kjo është arsyeja pse ai është i interesuar për arkitektë që vijnë nga të gjitha anët e botës."
Koncepti i internacionalizmit është ende një koncept relativisht i ri në Shqipëri, e cila pasi u pushtua nga Italia fashiste dhe nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, kaloi pjesën më të madhe të shekullit XX nën një diktaturë shtypëse komuniste, e izoluar edhe nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Një tranzicion kaotik drejt kapitalizmit në vitet 1990 e pengoi rritjen e Shqipërisë dhe pavarësisht stabilitetit më të madh politik në vitet e fundit, ai mbetet një nga vendet më të varfra në Evropë.
"Ishte një qytet i mbyllur"
Megjithatë, Tirana ka një historik të përdorimit të arkitekturës si mjet të transformimit social. Rama, një artist që shërbeu si kryebashkiak i Tiranës nga viti 2000 deri në vitin 2011, udhëhoqi iniciativat për restaurimin e ndërtesave publike të qytetit dhe nxitjen e zhvillimit përmes konkurseve ndërkombëtare. Më e famshmja është lyerja me ngjyra të ndezura dhe dizajne të ndryshme e strukturave të epokës komuniste.
“Mendoj se ajo që ka bërë Edi Rama është super e rëndësishme”, tha Boeri. “Ishte një mënyrë për të mos i fshirë këto trashëgimi, por përpjekje për t’i mbivendosur këto trashëgimi dhe procese të tjera që janë më të orientuara drejt një identiteti kozmopolit për Tiranën. Ishte një qytet i mbyllur në një front të mbyllur me një imagjinatë të mbyllur dhe ata nuk kishin asnjë mundësi për të komunikuar; ata ishin plotësisht të izoluar."
Një pjesë e arkitekturës së re të Tiranës ngre temën e rikornizmit të së kaluarës në një mënyrë pozitive. Për shembull, kulla e NOA dhe Atelier 4 me volume të grumbulluara në formë shtëpish, e quajtur Puzzle Tirana, përshkruhet nga Rungger si një "përgjigje ndaj asaj që ndodhi" në Tiranën e komunizmit".
"Të gjithë duhej të ishin njësoj", tha ai. "Unë mendoj se kjo është arsyeja pse është kaq e hapur në ditët e sotme."
“Sigurisht, është një gjë shumë komplekse dhe ka shumë shtresa të ndryshme që po bashkohen, por mendoj se propozimi ynë i projektimit për Puzzle Tirana po prekte atë që kemi gjetur deri tani, jo vetëm në një kontekst ndërtimor, por edhe në një kontekst kulturor, social dhe evolucionar të dekadave të fundit".
"Vendi nuk i shmanget së shkuarës së vet"
Një ndërtesë tjetër që kërkon një lidhje me të kaluarën është Ndërtesa Skënderbeu e MVRDV, e cila u projektua për t'u dukur si një "skulpturë figurative" e figurës së shquar historike të vendit, Gjergj Kastriotit – i njohur në vend si Skënderbeu – i cili u rebelua kundër sundimit osman në shekullin XV. Aktualisht, duke u ndërtuar në sheshin "Skënderbej" të qytetit, që mban të njëjtin emër, struktura 85 metra e gjatë është modeluar sipas bustit të Kastriotit. Pjesa më e gjerë e ndërtesës imiton shpatullat e tij, ndërsa nivelet e sipërme rrumbullakosen për të krijuar një formë si koka. Zgjatjet në formën e ballkoneve shërbejnë për të dhënë idenë e hundës, veshëve dhe mjekrës.
"Vendi nuk i shmanget së kaluarës së tij - ai dëshiron të përballet me të dhe ta bëjë atë pjesë të së ardhmes së tij," - tha bashkëthemeluesi i MVRDV, Winy Maas. "Këtu arkitektura mund të jetë një mjet i fuqishëm."
"Ndërsa qyteti vazhdon të rritet dhe të zhvillohet, është thelbësore që të gjitha zhvillimet e reja të vendosin një ekuilibër midis inovacionit dhe respektit për të kaluarën."
Duke punuar me studion lokale IRI Architecture, MVRDV gjithashtu finalizoi së fundmi një rinovim të gëzueshëm të Piramidës së Tiranës, e hapur për herë të parë në vitet 1980 si një homazh për diktatorin Enver Hoxha, por tani një qendër kulturore. Piramida, si dhe lyerja e pallateve të epokës komuniste, janë pjesë e një tradite të fortë të eklekticizmit arkitekturor në Tiranë që arkitektët bashkëkohorë po e kapin me zell.
“Tirana është një qytet ku lulëzon diversiteti dhe veçantia, duke i dhënë formë të gjitha pjesëve të shoqërisë”, tha Maas.
"Kjo është e dukshme edhe në mënyrën se si qyteti rritet - më shumë si një koleksion shumëngjyrësh sesa një tërësi uniforme," shtoi ai. "Dizajnet e reja që po lindin, krijojnë diçka unike dhe ndihmojnë qytetin të bjerë në sy."
"Rreziku për t'u bërë paksa shumë heterogjen"
Boeri është përpjekur ta inkurajojë këtë diversitet arkitekturor në masterplanin e tij.
“Këmbëngul në faktin se kjo shumëllojshmëri stilesh është një mënyrë për të importuar rrënjët e krijimtarisë së arkitektëve dhe dizajnerëve të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës dhe për t'i instaluar ato në Tiranë”, shpjegoi ai.
Megjithatë, është një filozofi që vjen me rreziqe – thënë qartë, potencial për një grumbull ndërtesash që nuk përputhen me njëra-tjetrën.
“Duhet ta bëjmë mirë, përndryshe do të ketë një masë të tillë idesh që nuk janë bërë mirë”, tha Brito.
Edhe Boeri është i gjallë ndaj kësaj sfide, veçanërisht pasi zhvillimi në Tiranë nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi.
"Është shumë i fortë ky lloj shpërthimi hapjeje dhe ky shpërthim i bashkëkohësisë, i cili ka rrezik të bëhet paksa shumë heterogjen," tha ai.
Kjo mund të nënkuptojë se, si në Kinë, ku presidenti Xi Jinping i dha fund "arkitekturës së çuditshme", statusi i Shqipërisë si një shesh lojrash për arkitektët e huaj ambiciozë, mund të jetë jetëshkurtër. “Tirana po ndryshon kaq shpejt, kaq shumë, shumë shpejt dhe në mënyrë shpërthyese”, tha Boeri. "Unë mendoj se tani është momenti për të propozuar rregulla të reja."
Burimi: Dezeen
Përkthimi: Gazmira Sokoli
Comments
Pas gjithe ketyre lavdeve e
Pas gjithe ketyre lavdeve e fjaleve mikluese fshihet veç deshira banale per te bere nje dore leke duke plrfituar nga babëzia dhe marrëzia e lali Kekutce,lali Edit. Boeri kaq shume u frymezua nga Tirana saqe kerkoi ta bente dhe Milanon si Tirana por atje ka Çeçua biçak dhe tashmë është nën hetim.
Add new comment