Ikje dhe Mosbesim
Sot paradite u njoftua një deklaratë e kryeministrit Rama, e cila nuk kishte ndonjë arsye politike për t’u mbajtur. Si një njeri i shumë punëve dhe edhe i më shumë interesave, z. Rama nuk ia ka më ngenë, por as midenë konferencave me gazetarë. Ai ka zhdukuar nga qarkullimi pozicionin e Zëdhënësit, këshilltarit dhe zhvillon mitin personal përmes aurës së gjithëpushtetit dhe podcasteve në të cilat i shkon kushdo.
Kushdo i bindet këtij subjekti që është edhe substanca morale e sistemit tonë. E bërë e tillë si të gjithë ne shqiptuesit e fjalës shqipe: në kapitullim të pa kushte ndaj zhvatjes dhe lakmisë.
Ata që e akuzojnë dhe kritikojnë miklohen me ftesën më të parë. Kandidojnë dhe rendin në çdo detyrë duke na kujtuar përditë se thithlopa e pushtetit po merr çdo gjë. Nëse e shohim ftohtë do thoshim se z. Rama po i bën një shërbim të madh vendit: po zbulon fëlligështinë e tij të plotë me historinë dhe të ardhmen. Ndoshta është kështu. Mbi këtë skorje bërthamore bien të gjitha, rrezja nekrotizuese e tij kap 28 mijë km2. Gjitarët që i kanë shpëtuar asaj po shndërrojnë veten, aq sa nuk mbetet që kundërshtia e vetme serioze të degdiset në formën e artit të shpellave. Ku mbase më vonë, dikush që nuk ka lidhje me çernobilin tonë të nisë interpretimin pozitiv të asaj që ka shpëtuar nga një e sotme asgjësuese.
28% e shqiptarëve kanë një plan për të ikur. Thoshte një sondazh para disa ditësh. 88% e shqiptarëve nuk i besojnë njëri-tjetrit, ja mbante një sondazh tjetër. Ikje dhe mosbesim. E jashtëzakonshme po të mendosh se jemi një shoqëri me rrënjë të forta fisnore, se ekonomia jonë me shifra ecën shumë mirë. Se paraja vërshon lumë, se ne po hyjmë në Europë.
Ne sot të gjithë vlejmë më pak se kullat që po ndërtohen, se paratë që kemi vënë mënjanë. Këto na thonë këto sondazhe të cilat po të kishim mjeshtëri kinematografike do të mund t’i rizbulonim si skenarë të një shoqërie që zgërdhihet por nuk qesh më, shfaqet dhe nuk dashuron, dredhon por nuk mëson, pasurohet dhe çnderohet e çedukohet. Ngrihet lart mbi sëndukët e rinj të pasurimit por po bie me 9.8 m/s2 si Njeri.
Shpirti i kësaj shoqërie ka vdekur, trupi jeton ende. Shpirti si asociim i brendshëm me besimin në një të ardhme, në disa vlera, në jetën që ka qenë ku “bukës i thuhej bukë”, ka ikur. Është zhbërë. Kemi mbetur me gojën plot, me bukë, gjellë, zorrë dhe llogje.
Kush fiton, Rama apo Berisha? Po Veliajn e arrestojnë? Ja jeta jonë. Ja dita dhe nata. Po mendja ku shkoi? Ku na ikën mendtë e kokës? Ato pak që kishim?
U ngrit çmimi i energjisë me zero lekë – qeveri muti.
U ul çmimi i energjisë me zero lekë – Shumë mirë. Ja një lajm i mirë.
Mund të vazhdohet pa ndalim me të këqijat që na kanë veshur të gjithëve dhe kryeministri këtu me deklaratën oshënare se “kush më njeh e di që paraja nuk ka qenë tundim i madh për mua”, të bëhet si një vegim. Si një profet i një të mire që më në fund ka zë. Ka figurë, ka imazh, jeton ende. Kemi edhe profetin e Penxheres, një tjetër fakir që zvarritet që nga 1968 për Ne dhe kaq duhet të mjaftojë. Se jemi vend i vogël, jemi shpirt vegjël. Mjaftojnë dy shqipe për ne. Ta ndajnë mbarë e prapë tepsinë, sahanin ku zhgërryhet kjo Shqipëri që nga agu i kohës së vet politike.
Një Shqipëri që ka më shumë shqiptarë jashtë se brenda. Por edhe ky fakt ka filozofi: ne mbijetojmë këtu, ata ikën dhe e lanë vendin.
Sa më keq shkon, aq më shumë Shqipëria gjen shqiptarët e vërtetë, të cilëve u mbetet tokë boll për lapidarë personalë, për ta bërë edhe Historinë treg të lirë dëshirash dhe ambiciesh siç bëmë vendin, një rrumpallë mburravecësh anadollakë.
Çfarë sharjeje paradoksale: anadollakë! E ardhur nga Shqipëria, imagjinoje! Në Anadoll lindën qytetërimet, që në Shqipëri u panë si shprehja e regresit.
Comments
fiks! ketu atavizmi eshte par
fiks! ketu atavizmi eshte par ekselence.
ata qe nuk ikin dot lepihen. ose kthehen ata qe nuk dine te bejne nje gje ne bote.
sa gjynah eshte ai vend : te rinj qe nuk dine te bejne gje tjeter ne jete e jargaviten sa ne nje parti ne tjeter per te dhene "kontribut". Fiks Braimllari qe po ben akrobacite nga LSI (a cdreqin e ka tashti) tek PS, e tipit oferte e hapur dhe e modifikueshme. Po fole nje here me inatcijte e PS ne Korce : Niko Peleshin, Ilirjan Pendavinjin e Filon ne bashki, se gjate fushates i cove ne prokurori e the se do beje namin e tashti do ulesh te hahsh e pish me ta. A vec ne e dhensh kontributin ne veri me Oltan. E njejta gje me nje tjeter qe po i lepihet politikes socialiste Andi Demo ne Fier, qe sa here ka zgjedhje rehtohet me nje parti apo tjetren. Jetojne jashte gjithe kohes e nuk dine te bejne nje gje se meren me "studime" kallpe, e vjen tashme te shpetoje memedhene, qe as nuk i bie mendja se ekziston.
Mire qe keta te dy me ne fund i rane mendjes dhe kaluan me PS, se me ate kane me shume shanse te fitojne dhe te behen pjese e familjes se madhe hajdute.
Add new comment